Zgjidhja e vetme, bashkimi i
Kosovës me Shqipërinë

Zgjidhja e vetme, bashkimi i <br />Kosovës me Shqipërinë
PËRPJEKJET PËR KTHIM NË QYTETËRIMIN EVROPIAN
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, Shqipëria shtetërore do të bëjë përpjekje, kur më pak e kur më shumë të suksesshme, për kthim në gjirin e qytetërimit evropian.

Në të vërtetë këto përpjekje fillojnë në kohën e Rilindjes Kombëtare, përforcohen pas Luftës së Parë Botërore, veçmas në programin politik, shoqëror, kulturor të demokratit liberal, Fan Nolit, vazhdojnë në Mbretërinë e Ahmet Zogut, forcohen rishtazi në kohën e komunizmit, sado të mbuluara me ideologjinë komuniste dhe me doktrinën dogmatike staliniste të realizmit socialist.

Pas rënies së komunizmit përpjekjet shqiptare për evropianizimin e identitetit politik, kulturor, shoqëror dhe shtetëror shqiptar po plotësohen edhe me përpjekje për "evropianizimin" e identitetit fetar islam të shqiptarëve, në të vërtetë si e thonë disa vetje dhe organizata, për krishtianizmin e tyre.

NDËRTIMI I INSTITUCIONEVE
Gjatë 100 vjetëve të Pavarësisë, sidomos gjatë gjysmës së dytë të këtij njëqindvjeçari, shteti shqiptar, kryesisht do të pajiset me institucione të shtetit bashkëkohor: me institucione politike e shtetërore, me institucione të arsimit, të shëndetësisë, të shkencës e të kulturës; dhe me kuadro të shkolluara e të specializuara për ngritjen dhe mbajtjen e këtyre institucioneve. Në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, Shqipëria do të bëhet për herë të parë me Universitet shtetëror, me Akademi të Shkencave, me Bibliotekë të madhe Kombëtare e Universitare, të pasur me vepra nga të gjitha fushat e arteve, të shkencave e të filozofisë, me Institutin e Gjuhës e të Historisë, me Institutin e Kulturës Popullore, me Arkivin Shtetëror, me Teatrin Kombëtar, me Ansamblin e Baletit, me Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve popullore, me institute të disa shkencave ekzakte.

GJUHA STANDARDE
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, saktësisht në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, do të ndodhë edhe një ngjarje e madhe në historinë politike dhe kulturore të Shqipërisë, e rëndësishme për gjithë shqiptarët kudo qofshin ata: do të mbahet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në të cilin do të krijohet gjuha standarde shqipe, atëherë e quajtur gjuha e njësuar letrare kombëtare.

ARTET E SHKENCAT
Gjatë 100 vjetëve të pavarësisë, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, krijimtaria shpirtërore shqiptare - krijimtaria letrare, artistike në përgjithësi, shkencore, publicistika dhe gazetaria do të shënojnë zhvillim të panjohur kurrë më parë në historinë shqiptare, sado në një pjesë të kohës, në masë të madhe të cenuar dhe të kufizuar prej ndërhyrjeve censuruese të doktrinës së realizmit socialist. Për herë të parë në historinë e shqiptarëve, letërsia, artet dhe studimet e tyre albanologjike, kur më pak e kur më shumë dhe ku më pak e ku më shumë, bëhen të njohura edhe në botë, në mënyrë të veçantë në Evropë.

SHQIPËRIA DHE ÇËSHTJA KOMBËTARE
Gjatë gjithë qenies së saj 100 vjeçare si shtet, Shqipëria nuk ka pushuar të merret me çështjen shqiptare - me çështjen e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të saj, në mënyrë të veçantë me çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Dhe, kjo çështje në vazhdimësi e ka brengosur dhe e ka munduar Shqipërinë. I mënjanshëm dhe i papërgjegjshëm ndaj kësaj çështjeje shteti shqiptar do të tregohet në kohën e Mbretërisë shqiptare dhe do të tregohet i tillë për shkak të obligimeve që me marrëveshje kishte marrë mbi vete ai të cilin Serbia dhe Jugosllavia e kishin sjellë në pushtet në dhjetor të vitit 1924 - Ahmet Zogu.

Në kohën e komunizmit, politika e Shqipërisë ndaj çështjes kombëtare, në mënyrë të veçantë ndaj çështjes së Kosovës, do të jetë e caktuar prej raportit të forcave në skenën politike ndërkombëtare. Prej vitit 1981, ndërkaq, Shqipëria komuniste do të mbrojë të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje - ashtu siç kërkohej prej lëvizjes së studentëve shqiptarë në Kosovë.
Pas rënies së komunizmit, politika e Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi, përsëri do të përcaktohet prej politikës së faktorëve ndërkombëtarë ndaj kësaj çështjeje. Për këtë arsye deri në vitin e ndërhyrjes së forcave të NATO-s në luftën e Kosovës, në Shqipëri do të bëhet politikë për status autonomie të Kosovës dhe kjo politikë do të ndryshojë atë ditë kur qëndrimin e tyre ndaj kërkesave të shqiptarëve ta ndryshojnë SHBA-të dhe BE-ja, domethënë kur qëndrimi i tyre të bëhet qëndrim për pavarësinë e Kosovës.

KOSOVA, SHQIPTARËT NË MAQEDONI, NË MAL TË ZI, NË LUGINË TË PRESHEVËS E NË ÇAMËRI

100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e kremtojnë sivjet në një gjendje në masë të madhe të ndryshuar të fatit të tyre politik, shoqëror dhe historik. Në sajë të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ndërhyrjes së forcave të NATO-s, domethënë të SHBA-ve dhe të disa vendeve të Bashkimit Evropian, Kosova është sot shtet i lirë dhe i pavarur i njohur prej 97 shteteve ndër të cilat janë shtetet më të përparuara të botës - SHBA-të dhe numri më i madh i shteteve të BE-së, mandej Turqia, Japonia dhe një varg shtetesh të tjera.

Megjithëse Republika e Kosovës është e njohur prej aq shtetesh dhe prej shtetesh më të rëndësishme në politikën ndërkombëtare dhe megjithëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e quajti të ligjshme pavarësinë e Kosovës, të shpallur në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, Serbia vazhdon të mos e pranojë këtë pavarësi. Me institucionet para¬lele dhe me krimin e organizuar në Veriun e Mitrovicës ajo po përpiqet të krijojë paqëndrueshmëri në Kosovë në përgjithësi.

Është në interesin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe është në interesin e paqes në rajon që Serbia të pajtohet me realitetin shtetëror të Kosovës, sado pavarësia e Kosovës nuk mund të quhet zgjidh¬je përfundimtare e çështjes së Kosovës: zgjidhje përfundimtare e kësaj çështjeje është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë Shtetërore.

Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, mund të thuhet se në masë të madhe janë rritur të drejtat politike, kulturore, shoqërore, në përgjithësi kombëtare, të shqiptarëve në Maqedoni. Ata janë sot një faktor i pashmangshëm në politikën e shtetit maqedonas, megjithëse nuk mund të thuhet se çështja shqiptare në Maqedoni është e zgjidhur. Numri i shqiptarëve në përbërjen demografike të Maqedonisë, është shumë i madh për t'u quajtur ata të kënaqur me statusin që kanë sot.

Mendja politike dhe historike sikur e thotë se ndarja e Maqedonisë dhe bashkimi i pjesës Perëndimore me Shqipërinë dhe Kosovën e bashkuar do të sillte zgjidhje të përhershme të çështjes shqiptare dhe të çështjes maqedonase.

Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë janë rritur pak a shumë edhe të drejtat politike, kulturore dhe në përgjithësi kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi, megjithatë as pjesëmarrja në jetën politike e shtetërore, as punësimi i tyre nuk është i barabartë me pjesëmarrjen e punësimin e malazezve. Fatin e shqiptarëve në Mal të Zi, ndërkaq, në masë të madhe e përcakton dëshpërueshëm procesi i pandalshëm i shpërnguljes së tyre në SHBA-të dhe në shtete të BE-së.

Gjendja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës është një gjendje e veçantë, që mund të quhet e paqëndruar dhe e pasigurt. Në disa nga mediat tona shkruhet se Republika e Serbisë vazhdon të mos ua pranojë atyre ato të drejta që i kanë apo i kërkon ajo për serbët në Kosovë, në mënyrë të veçantë për serbët në Mitrovicën Veriore, edhe pse në numër shqiptarët e Luginës së Preshevës janë dyfish më shumë se serbët e Mitrovicës Veriore: në të vërtetë Serbia e synon spastrimin etnik të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës! Do ta arrijë këtë qëllim ajo në qoftë se Kosova nuk e mendon më mirë se deritani politikën e saj ndaj kësaj Lugine.

Siç nuk po e ndryshon Serbia politikën e saj tradicionale ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, madje, as ndaj çështjes së Kosovës a çështjes shqiptare në përgjithësi, ashtu as Greqia nuk po e ndryshon politikën e saj ndaj çështjes çame të krijuar me pushtimin e Çamërisë prej saj - prej Greqisë. Mjerisht, Shqipëria shtetërore nuk ka bërë në të kaluarën dhe nuk po bën as sot çka e obligon politikisht, moralisht dhe kombëtarisht të bëjë e drejta e çamëve për zgjidhjen e çështjes së tyre.

SHQIPËRIA, NATO, BE
Në 100 vjetorin e pavarësisë së saj, Shqipëria është anëtare e NATO-së.
Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, edhe republika e Kosovës po bën krejt ç'mund të bëjë për t'u bërë sa më parë anëtare e këtij bashkimi ushtarak perëndimor. Po aq të mëdha për t'u bërë anëtare të NATO-s shtetet në të cilat jetojnë, janë sot edhe përpjekjet e shqitarëve të tjerë të Ballkanit.

Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Shqipëria shtetërore, republika e Kosovës dhe shqiptarët në Maqedoni dhe në Mal të Zi po bëjnë shumë përpjekje për t'iu bashkuar Bashkimit Evropian.

Por, përpjekjet e shqiptarëve, përpjekjet e Shqipërisë dhe të Kosovës, për të hyrë në Bashkimin Evropian deri sot janë treguar më pak të suksesshme se përpjekjet e fqinjëve të tyre ballkanikë.

Arsyet për këtë janë të ndryshme: dhe janë sa objektive aq edhe subjektive.
Shqipëria shtetërore - e kështu, duket, mund të ndodhë edhe me republikën e Kosovës - nuk po arrin ende të plotësojë kushtet që kërkon BE-ja për t'u bërë kandidat për anëtarësim në të!

SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT SOT

Megjithëse të ndarë edhe më tej në disa shtete, shqiptarët janë sot popull më i përparuar e më i zhvilluar si në Shqipëri e në Kosovë ashtu edhe kudo tjetër në Ballkan. Shqiptarët jetojnë sot më mirë, në shkallë më të lartë shoqërore, ekonomike, kulturore dhe demokratike se ndonjëherë në historinë e tyre. Por, në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, njëmendësia shqiptare ka edhe faqen tjetër të saj: ka disa të këqija që s'është mirë të heshten.
Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Shqipëri, në thelb vazhdon luftë gojore qytetare midis forcave politike që quhen të djathta dhe forcave politike që quhen të majta. Ato tani e njëzet vjet nuk mund të krijojnë pajtim për çështje themelore të shtetit shqiptar.

Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë këto forca politike nuk mund të pajtohen, madje, as se cilën ditë ta quajnë ditë të çlirimit të shtetit prej pushtuesit në Luftën e Dytë Botërore.

Në 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, po të gjykojmë varësisht prej emrave që u vihen sot atyre - emra arabë, turkë, iranianë, grekë, italianë, francezë, gjermanë, anglezë, spanjollë, meksikanë, e të tjerë, e të tjerë, do të mund të thuhej se shqiptarët kanë mbi dhjetë identitete apo se nuk kanë një identitet të qëndruar!

Në 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët vazhdojnë të kenë mospajtime, madje ndarje, në lidhje me gjuhën standarde, domethënë në lidhje me gjuhën e njësuar letrare kombëtare.

Në 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ne po ndotim anërrugët, lumenjtë, liqenet, bregdetin - tokën tonë me gjithfarë lëndësh ndotëse; gjuhën e bukur e të pasur shqipe me fjalë të huaja të panevojshme; kurse virtytet tona kombëtare, botërisht të çmuara, me puthje duarsh ndaj të huajit, me drogë, me prostitucion, me rrenë e pabesi. Dhe, të gjitha këto i bëjmë thuajse s'i duam as tokën, as gjuhën, as virtytet tona të trashëguara.
Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët i vazhdojnë mospajtimet mbi rolin e përbërësve fetarë e kulturorë perëndimorë dhe të përbërësve fetarë e kulturorë lindorë në identitetin e tyre, me përpjekjet e disa vetjeve për mohimin a përçmimin e përbërësve lindorë, thuajse për Lindjen dhe për Perëndimin edhe sot në kohën e globalizmit mund të flitet me gjuhën me të cilën është folur në kohën e kolonializmit të shekullit XIX.
Në 100 -vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, edhe pas njëzet vjetëve të rendit demokratik, demokracia shqiptare vazhdon të jetë demokraci e fazës zgjedhore, e cila nuk mund të quhet as demokraci e gjysmëkonsoliduar.

Dhe, ndodh kështu, në radhë të parë, sepse Shqipëria është një shtet i partokratizuar, në të cilin, në vend të institucioneve shtetërore, sundojnë, punësojnë, ç’punësojnë, privilegjojnë e ndëshkojnë partitë!

Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, demokracia shqiptare nuk garanton barazinë e qytetarëve para ligjit dhe sidomos para gjasave!
Në 100-vjetorin e pavarësisë, Shqipëria nuk mund të quhen as përafërsisht shtet i së drejtës në të cilën do të respektohej ndarja e tri pushteteve. Për trysnitë, pengesat dhe zhvlerësimet, që bën qeveria shqiptare ndaj Presidencës, Kryeprokurorisë dhe gjyqësorit janë në dijeni dhe faktorët ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë institucionet e BE-së.

Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në jetën e shqiptarëve nuk ka barazi dinjiteti, nuk ka bindje të qeverisë para ligjit dhe gjyqësorit, dhe nuk është mposhtur dhuna e qeverisë në favor të respektimit të ligjit.

Në 100 - vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Kuvendi i Shqipërisë nuk është institucion që rrezaton tolerancë, mirëkuptim, vlera shoqërore e morale evropiane, po konflikte e mosdurim në popull. Kuvendi i Shqipërisë është institucion në të cilin cenohet rëndë dhe pandërprerje kultura elementare e komunikimit të forcave politike!

Në 100 - vjetorin e pavarësisë, as njëzet vjet pas vendosjes së rendit demokratik, Shqipëria nuk ka krijuar sistem të qëndruar zgjedhor, prandaj edhe nuk ka mbajtur ende zgjedhje të lira dhe demokratike në të cilat do të plotësoheshin standardet që kërkon BE-ja.

Në 100 - vjetorin e pavarësisë, Shqipëria ende nuk ka krijuar një administratë të qëndruar shtetërore; administrata e saj vazhdon të jetë administratë kryesisht partiake!

Në 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë mediat shqiptare, të botuara dhe elektronike, janë vënë nën kontrollin e qeverisë a të partive kryesore, kurse i vetmi televizion publik, TVSH-ja, vazhdon të jetë i ndoruar, domethënë shërbyes ndaj qeverisë si në kohën e diktaturës komuniste.

Në 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, gënjeshtra, mashtrimi, shantazhi, cinizmi, ekzaltimet, teprimet, pasionet e fryra përbëjnë gjuhën mbizotëruese politike, sidomos të qeverisë së sotme shqiptare, me të cilën mashtrohet dhe nënçmohet mendja e qytetarëve.

Në 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, krimi i organizuar dhe korrupsioni i shumëllojshëm e shënojnë jetën politike e shtetërore shqiptare dhe janë pengesë e madhe e ndërtimit demokratik të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në institucionet më të larta shtetërore e partiake gjenden edhe delikuentë, gënjeshtarë, mashtrues, të korruptuar e dhunëtarë - njerëz të rrezikshëm jo pse s'dinë të frikësohen, po pse s'dinë të turpërohen. Privilegjat e tyre të shumëllojshme, të paprovuara prej paraardhësve të tyre politikë e shtetërorë, pasuritë e tyre, të patundshme e të tundshme, të krijuara tepër shpejt e tepër lehtë, lejojnë të pohohet se pasuria kombëtare shqiptare, kurrë nuk është shpërdorur dhe nuk është plaçkitur siç po shpërdoret e po plaçkitet prej kastës së sotme politike e shtetërore. Në të vërtetë, si këta vetëm edhe Ahmet Zogu me mytesarifët e tij e ka plaçkitur Shqipërinë, kurse Nikolla Pashiqi me namesnikët e tij Kosovën!

Në 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë prijësit e kësaj kaste politike janë bërë sundimtarë të përhershëm: të përhershëm në partitë e tyre dhe të përhershëm në pushtetin shqiptar, natyrisht duke e zëvendësuar njëri - tjetrin në pushtetin shtetëror, por jo edhe partiak. Nuk duan ta dinë se kështu funksionon oligarkia, të cilën Platoni, në veprën e tij Shteti, e quan sistem më i dëmshëm se tirania.

Në 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, pjesëtarët e kastës politike, pavarësisht sa gënjejnë, sa mashtrojnë, sa shkelin ligje e Kushtetutë, mbesin të pandëshkuar. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse institucionet shtetërore të SHBA-së dhe BE-së flasin për kulturën e pandëshkueshmërisë në jetën politike shqiptare si për një të keqe të madhe që prodhon shumë të këqija të tjera.

Në 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, për të gjitha arsyet e sipërthëna, shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë paqen politike e shpirtërore dhe mirëqenien jetësore në botë, para së gjithash në vende të BE-së, në SHBA dhe në Kanada. Vetëm gjatë njëzet vjetëve të fundit atdheun e tyre, Shqipërinë, e kanë braktisur rreth 1 milion e 300 mijë shqiptarë, kurse Kosovën rreth 700 mijë! Hulumtimet e bëra tregojnë se numri i atyre që do të dëshironin të largohen prej atdheut është shumë më i madh se i të larguarve.

Në 100 - vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në jetën politike dhe shtetërore shqiptare ndodhin gjithë këto të këqija, kurse BE-ja, dhe SHBA-të vazhdojnë t'u shtrijnë dorën përfaqësuesve të kastës politike sunduese, që i prodhojnë këto të këqija, që popullin shqiptar e mbajnë në gjendje krize të përhershme sociale, politike e morale.

Po, ta përfundoj këtë fjalë.
Prej shtjellimit të sipërthënë mund të shihet, besoj, se Shqipëria në 100-vjetorin e pavarësisë ndodhet në kërkim të identitetit të saj politik dhe shtetëror. Dhe, këtë kërkim e dëshmojnë si të arriturat ashtu edhe prapangeljet e të këqijat e sipërtheksuara. Demiurgu i historisë dhe rrethanat ndërkombëtare ia kanë krijuar mundësinë asaj që ta bëjë realitet atë identitetin politik, shtetëror dhe qytetërues, dhe atë idenë e madhe të bashkimit kombëtar që e ëndërronin krijuesit e Shqipërisë: rilindësit e mëdhenj. Domethënë se shekulli XXI, ka filluar si shekull i përpjetëzës historike të popullit shqiptar: ai i ka krijuar atij gjasën që nuk e ka pasur kurrë në historinë e tij të re - gjasën e bashkimit kombëtar dhe të qëndrueshmërisë historike. A do të dinë Shqipëria dhe Kosova, a do të dinë gjithë shqiptarët, që ta shfrytëzojnë këtë gjasë historike mbetet të shihet.

Po të isha më i ri do të hyja në sheshin e betejave politike dhe do të bëja çmos për sendërtimin e atij ideali e të atyre vlerave. Kështu, në moshën në të cilën jam, s'më mbetet tjetër përpos të rri anash, të shikoj ç'bëhet, të dëgjoj ç'thuhet, të përimtoj ç'mendohet, të bëj krahasime e vlerësime, natyrisht me lapsin në dorë.

Prishtinë
20.11.2012

Vijon nga analiza "Sundimtarët e një shekulli"

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)