Zgjidhjet kushtetuese
vs zgjidhjet balancuese

Zgjidhjet kushtetuese<br />vs zgjidhjet balancuese
Në të gjitha modelet e tranzicionit postkomunist faza e parë e ndryshimeve politike u shoqërua me rotacion në politikë, në elitën drejtuese, në institucionet kushtetuese dhe në jetën publike. Procesi ndodhi përmes kompromiseve politike apo imponimit të njëanshëm të forcave demokratike. Përjashtim nuk bëri as Shqipëria. Pavarësisht se më 1991 komunistët fituan zgjedhjet parlamentare 99% e ligjeve të miratuara në parlament ishin produkte konsensuale.

Ligjet më të njohura janë Dispozitat Kryesore Kushtetuese, ligji i pronave, ligji për depolitizimin e institucioneve, ligji mbi grevën, ligji mbi partitë politike, ligji mbi median, amnistia ndaj ish të përndjekurve, ligji zgjedhor, etj. Kompromisi ishte i kuptueshëm, madje i paevitueshëm. Vetë qeveria e Stabilitetit ishte e ndërtuar mbi bazë kompromisi, ndaj edhe produktet e saj priteshin të ishin të tilla.

Natyra konsensuale mori fund në prill 1992 me rotacionin politik dhe ardhjen e demokratëve në gjithë hierarkinë shtetërore. Ajo vijoi e njëjtë edhe më 1997 kur një rotacion tjetër politik zëvendësoi demokratët me socialistët, pavarësisht akordit të San Edigios, për balancim pushteti. Kompromisi i parë me rëndësi politike ndodhi vonë, vetëm më 2002 me zgjedhjen konsensuale të presidentit, kryeprokurorit dhe shefit të shërbimit sekret.

Për herë të parë u fut koncepti i balancimit politik të pushteteve, duke u ofruar kuota de facto të lira përfaqësimi partive të opozitës në një sërë institucionesh, përfshirë KKRT, KD i TVSH, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Banka e Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, etj. Ky zhvillim konsiderohej pozitiv më 2002-2004 pasi zëvendësonte natyrën njëpartiake të pushtetit me një frymë kompromisi e bashkëpërgjegjësie në administrimin politik shtetëror.

Përkrahësit e kësaj ideje, përfshirë edhe autorin e këtij komenti, mendonin se kalimi nga faza militante në fazën e pavarësisë reale institucionale kërkonte një fazë të ndërmjetshme kompromisi, gjatë të cilës institucionet fitonin integritet, partitë bëheshin më të distancuara nga mandatet kushtetuese, të cilat shpeshherë ishin deri në dyfish më të gjata në kohë sesa mandati politik i një mazhorance parlamentare.

Më 2005 ndodhi rotacioni i dytë politik demokratik. Demokratët erdhën në pushtet duke pranuar sistemin përfaqësues kushtetues, pra edhe mandatet kushtetuese, pavarësisht nga natyra e propozimit apo balancimit të tyre. Logjika e balancës politike vijoi të respektohet në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, në Bordin e Bankës Qendrore dhe në KQZ, në disa borde të tjera si dhe në drejtimin parlamentar.

Kjo erdhi për dy arsye. E para sepse mazhoranca duhej të pranonte pafuqinë e saj për ndryshimin e gjitha institucioneve dhe të paraqitej e moderuar në raport me opinionin publik e faktorin ndërkombëtar; dhe e dyta sepse institucioni i kryetarit të shtetit paraqitej garant i frymës kushtetuese të institucioneve.

Pati disa përpjekje të mazhorancës për marrjen e kompetencave apo ndryshime në institucione kushtetuese, siç ishin nisma për shkarkimin e kryeprokurorit, rrëzimi i disa dekreteve për gjyqtarë, apo ndryshimet ligjore në drejtim të SHISH, por në tërësi sistemi institucional funksionoi dhe mbeti garant për demokracinë funksionale.

Mandati i dytë i mazhorancës së djathtë rezultoi e kundërt me mandatin e parë, kjo ndihmuar edhe nga fakti se përkoi me mbarimin e mandatit të shumë prej të zgjedhurve në formë balancimi apo konsensuale në institucione kushtetuese. Ajo u përpoq të bllokojë çdo natyrë të dominimit të logjikës institucionale duke zgjedhur formën tranzicionale të partive të para të tranzicionit, për delegim të figurave besnike në këto institucione.

Rasti më flagrant ishte rrëzimi kolektiv i dekreteve presidenciale për gjykatën e lartë, ndryshimet në shërbimin sekret dhe në të gjitha institucionet e tjera kushtetuese. Aktualisht, me përjashtim të një natyrë ende të brishtë balancuese në Bordin e Bankës së Shqipërisë, KQZ apo tek Avokati i Popullit të gjitha institucionet e tjera janë plotësuar me kandidatë të përzgjedhur mbi bazë militante e njohje personale nga lidershipi i mazhorancës qeveritare.

I vetmi *devijim* nga ky bilanc negativ ishte parcelizimi i pushtetit, pra delegimi nga mazhoranca e kandidatëve të partisë së parë dhe të dytë në qeveri, duke e deformuar konceptin e balancimit kushtetues në balancim midis partnerëve të koalicionit qeverisës, siç ndodhi edhe me dy dekretet e fundit në Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht sistemi kushtetues është tërësisht jashtë parametrave cilësorë institucionalë. Ndryshe nga pothuajse të gjitha vendet e tjera ish komuniste, tashmë anëtare në NATO e BE, Shqipëria është rikthyer tek faza e parë e tranzicionit, tek modeli i delegimit partiak në krye të institucioneve kushtetuese.

Parlamenti dhe qeveria janë këmbëngulës në këtë pikë, deri atje sa ato vazhdimisht marrin nisma të njëanshme dhe të dukshme publike për zëvendësimin e ndonjë zyrtari ende të pavarur, me militantët që dalin sa nga zyra e kryeministrit sa nga ajo e kryetares së parlamentit, njëri kryetar e tjetri nënkryetar i piramidës partiake të shtetit. Rasti i ndryshimeve të fundit në KQZ është rast tipik. Argumenti nuk ishte ligjor, nisma nuk ishte ligjore, kërkesa dhe vendimi ishin të motivuar thellësisht me natyrë partiake.

Në logjikën e sotme nuk ka rëndësi mandate kushtetues dhe as imuniteti kushtetues që buron prej tij, sa ka rëndësi humori i 2-3 individëve që praktikisht kontrollojnë dhe drejtojnë të gjitha pushtetet.

Ndaj KLD drejtohet nga një person që kurrë në jetë nuk ka qenë gjyqtar, profesor as avokat, ndaj shërbimi sekret drejtohet nga një shtetas i huaj pa eksperiencë profesionale drejtimi, ndaj TVSH drejtohet nga një figurë e deleguar administrative e një stacioni televiziv pro qeveritar, ndaj KKRT dhe KQZ drejtohen nga këshilltarë të deleguar politikë të dy shefave në PD, ndaj proceset konkurruese në gjyqësor drejtohen nga familjarë të drejtuesve të pushtetit, ndaj policia dhe garda republikane drejtohen nga miq, të afërm dhe bogidardë të tyre, ndaj në gjyqësorin e lartë e kushtetues delegohen avokatë e gjyqtarë me lidhje familjare e personale me krerët e pushtetit, ndaj ambasadorë dërgohen besnikë militantë të pushtetit, ndaj në ushtri drejton ndonjë gjeneral me mendësi shërbimi pakushte ndaj pushtetit politik, ndaj privatizimet dhe deri edhe hipotekat drejtohen nga figura politike që bëjnë pjesë në Byronë Politike të pushtetit.

Ka rënë praktika e balancimit politik, ajo e ndarjes së shtetit nga pushteti politik dhe shanset që Shqipëria të kalojë testin e standardeve të demokracisë, njësoj si shumica e vendeve ish komuniste. Nëse kemi dy palë që mendojnë njësoj dhe abuzojnë njësoj nuk ka vlerë dhe as kuptim balancimi midis dy të këqijave, por zëvendësimi i tyre me një alternativë e sjellje të tretë, jashtë natyrës abuzuese, klanore dhe militante të injorimit të vullnetit qytetar, nevojave të vendit dhe vijimit të logjikës parademokratike të njësimit të shtetit me pushtetin.

Rënia e logjikës institucionale dhe kushtetuese dhe zëvendësimi i saj me logjikën partiake dhe balancës personale mes njerëzve me pushtet e kanë kthyer pas procesin e shtetit funksional dhe demokracisë përfaqësuese në Shqipëri. Çdo raport ndërkombëtar e konsideron këtë si bilancin më negativ të qeverisjes së viteve të fundit, dhe burimin kryesor për korrupsionin, natyrën abuzive, nivelin e lartë të pazbatueshmërisë së ligjit dhe humbjen e sensit të shtetit në raport me rritjen e forcës së pushtetit politik.

Zgjidhja nuk është më rikthimi më 1991 apo 2002 tek natyra balancuese e përkohshme e pushteteve, praktikë që me shembujt e ndryshimeve periodike në KQZ apo me ndryshimet kushtetuese 2008, rezultoi tërësisht e dështuar dhe kundërproduktive. Demokratët sot në pushtet harrojnë se nesër kalojnë në opozitë dhe do të paguajnë të njëjtin çmim injorimi e denigrimi siç ndodh sot me socialistët.

Këta të fundit harrojnë se përsëritja e keqqeverisjes nesër në pushtet do të sjellë të njëjtat pasoja negative për vendin, siç ndodh sot me qeverinë. Ndaj zgjidhja tejkalon vullnetin e tyre aktual dhe duhet imponuar si zgjidhje reformatore ndaj sistemit politik dhe me vizion për Shqipërinë e viteve 2017-2020, kohë kur nëse gjërat shkojnë mirë mund të kemi shanse reale për ftesë anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Zgjidhja është jashtë selive të partive dhe logjikës së tyre militante, është tek logjika e zgjidhjes kushtetuese, tek forcimi i demokracisë përfaqësuese dhe kufizimi i pushtetit të partive në raport me shtetin. P.sh, nëse Presidenti zgjidhet direkt, nëse do kemi referendume lokale e kombëtare për vendime me rëndësi jetike për komunitetin, nëse zgjedhja e organeve kushtetuese bëhet me votë të cilësuar, nëse hiqet dorë nga administrimi partiak I zgjedhjeve dhe nëse ndryshohet sistemi zgjedhor për ti dhënë më shumë peshë individit konkurrues sesa vullnetit personal të kryetarit të partisë, atëherë rezultati do të ishte pozitiv për shtetin dhe demokracinë shqiptare.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur

'Frontline'/ Lita: Influencër të lidhur me Metën e Kryemadhin janë kontrolluar nga BKH! S’justifikojnë shtëpinë! Bregu: Dosja CEZ-DIA e mbyllur