SHKODER- Arjola Zadrima është nënë e dy fëmijëve dhe pas humbjes së bashkëshortit do të përballej me semundjen e kancerit të gjirit. 

 “Ndonëse mjekët më thoshin se nuk ky nuk është ky fundi, njeriu nuk e mendon këtë, njeru mendon fundin, por në të vertetë ishte vec fillimi i një lufte të madhe. E verteta është se nuk kthehesh më sikur ke hyrë në atë sfidë”, tha ajo për Report TV.

Pesë vite më parë u njoh me këtë sfidë, por gjeti forcën tek familja dhe poezia për ta kapërcyer dhe për të qënë një mbështetje për të gjitha gratë dhe vajzat. 

   “Kishte një vit e ca ditë që kisha humb tim shoq, dhe pyetja ishte: Po tani?! Ndërsa vajza më tha forcë: Ti je njeriu kryesor i jetës tonë. Unë e di që ata të dy (fëmijët) janë në venat e mia të gjakut”, tha ajo. 

Poetja shkodrane tregon vështirësitë por edhe betejën e brendshme.

“Unë nuk e kam mbaruar betejën sepse bëj ekzaminime çdo 6 muaj. Zgjohem çdo ditë me frikën a kam për ta çuar këtë ditë deri në fund!”, thotë ajo me mjekren që i dridhet nga emocionet.

Gjatë betejës ajo kishte edhe një mënyrë për të lënë gjurmë të kësaj përballje nëpërmjet poezisë. Thirrja e poetes nuk është vetëm e drejtëpërdrejtë por edhe një mesazh për të gjithë grate. Në këtë muaj sensibilizimi të gjithë duhet të kenë guximin të bëjnë kontrollet për të shpëtuar jetë.

Ndërsa e mbyll intervisten për Report TV me këtë mesazh:

 “Jeta është e bukur nuk duhet të dorëzohemi. Fatin e kemi ne në dorë!”