Brenga e madhe e “presorëve”në Shqipëri mori rrugën e zgjidhjes kur celula e Partisë Demokratike në arsimin e lartë, veshur me petkun e të ashtuquajtur sindikatë, vendosi të fillojë protestën, shoqëruar me ndërprejen e orëve mësimore, “Rama ik”. Si ide e tyre protestuese, i kanë rrënjët e nismës në dogmën berishiste të përçarjes dhe të programit politik të “mallkimit shqiptar”. Marrëdhënjet mes tyre, pres-orë dhe PD, shihen shkoqur se janë marrëdhënje vartësie. Ai që komandon në këto sindikata u shfaq dikush që ka qenë dhe është një zagar, qen gjahu i Sali Berishës.
Ekstremizmi radikal në politikë ngjet të jetë i njëjtë si veprim prej një shekulli. Nuk ndodh rishtazi dhe nuk është Shqipëria vëndi shembull që rrëfen politizimin e trupit akademik në universitete, siç ngjet me orvatjen e kësaj sindikate politike. 95 vjet më parë, në vitin 1931, Musolini ja mbërriti të nënshtroj profesorët. Regjimi fashist ndërmori një nga hapat më të dhunshëm për përgjunjëjen totale të arsimit të lartë në Itali, duke detyruar të gjithë profesorët e universiteteve të bënin një betim besnikërie ndaj fashizmit. Ky akt ligjor eliminoi lirinë akademike dhe i ktheu universitet në një vegël të propagandës fashiste. Rreth 1200 profesorë universitarë të Italisë, (aq kishte Italia 45 milionëshe atë botë, po kaq sa ka Shqipëria e 2026-tës!???) pothuajse të gjithë, u nënshtruan dhe e nënshkruan betimin për të mos humbur vendet e tyre të punës dhe karrierën. Ata që refuzuan, "Të Trembëdhjetë Otomanët", siç i cilësoi fashizmi, që patën guximin të refuzonin hapur shantazhin politik, emra të shquar të fizikës, të historisë, të së drejtës, elita e profesorëve, u dëbuan menjëherë nga universitetet dhe vuajtën persekutimin nga regjimi.
Nëse ju, i nderuar lexues, merrni përsipër të dilni sot e të vërdalloseni nëpër sheshin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku “pres-orët” protesojnë, do ndesheni me të bijën e Saliut dhe bashkëshortin e saj, të cilët gardhohen prej emrash të njohur të nëpunësve politikë të ish administratës berishiste. Çfarë kanë bërë këta profesorë të arsimit të lartë? Kanë lënë orët mësimore dhe duan që kryeministri të japi dorëheqjen. Shtrati ku e vendosin kërkesën është thjesht idealist, të cilin e paraqesin si thelbin e “revoltës”, si bazë nga do nisin reformën shoqërore-kupto: ardhjen në qeversisje të Sali Berishës me kuajt e tij të luftës, por pa zgjedheje, siç kushtetuta përcakton!
Ajo që gjithkujt i bie në sy është pakujdesia e organizatorëve për të shmangur ngjashmëritë e pamjes dhe të formës mes tyre (profesorëve) dhe celulës së Partisë Demokratike. Kësaj turme politike, nuk është se i janë bashkuar shumica, sepse nuk janë anëtarë të kësaj sindikate! Një pjesë tjetër e madhe janë distancuar. Ata që i janë bashkuar, për shkak të zellit të tepërt, nuk i kanë shpëtuar tundimit për t’u marrë me veprimtari që janë në shkelje dhe tejkalojnë caqet si të Kodit të Punës ashtu dhe të kodit profesional e moral të mësim-dhënsit.
Ka individë në popull, në PS, deputetë dhe madje grupe shoqërore, që shohin me dhimbje shkatërrimet prej bandave të frymëzuara nga Sali Berisha, që u janë nënshtruar ngasjeve, një mëndësie që don të shohë patjetër dorëheqjen e Ramës. Atyre, është mbase rasti t’u tregosh rrëmujën politike e juridike të dorëheqjes. Përmendet rëndom kërkesa politike për qeveri teknike, term ky që nuk gjëndet në asnjë tekst të së drejtës, të kushtetutës apo të çfardo dokumenti juridik. Është e paimagjinueshme të marrësh e të trajtosh dorëheqjen si mundësi për krijimin e një organi kaotik, parazit, “Qeveri tenike”.
U pa para disa vjetësh se si qeveria teknike nuk ishte gjë tjetër përpos se një grusht ministrish e institucionesh, që detyrë kryesore, me të cilën mbushnin ditën, ishin qoka emrimesh, shpërblesa këto për pjesëmarrje në protesta. Ideja e qeverisë teknike, gjetja kjo më idiote për drejtimin e shtetit, jeton në kokat e turbullta të listës së pritjes për punësim prej PD-së dhe shefit të saj. Afërmendsh, që një sajesë e tillë prish vazhdimësinë, funksionimin e aparatit administrativ, ndjekjen e detyrave operative për drejtimin e vetë shtetit.
Dorëheqja është një akt qytetar që nuk diktohet, por vetmerret sipas rrethanave, ndërsa qeveria teknike që kërkonte një eksponet i PD-së, që pason sipas tij dorëheqjen, mund të jetë një ushqim i vogël qetësues për opozitën! “E vogël është miza-është një thënje popullore-por barkun ta prish!”. Ndoshta opsioni për të shkuar në zgjedhje do ishte më i përshtashëm. Kështu merr rrugë si qeverisja ashtu dhe kërkesa “Rama ik”, shihet me kë është shumica, të cilës kushtetuta i jep të drejtën të formojë qeverinë dhe të qeverisë? Opozita dhe vete profesorët janë kryekëput të pa qartë se çfarë kërkojnë, veç “Rama ik”; ata nuk kuptohen, madje nuk u niihen as shtysat nga të cilat nxiten të veprojnë kur përkrahin ushtrimin e dhunës mbi kryeqytetin e drobitur.








Komente
Komento