Ajo është vetëm 19-vjeçe, por ëndrrat e saj për të ecur në fushën e modelingut kanë nisur të bëhen realitet. Kjo ëhstë bukuroshja Zhaneta Byberi, e cila përmes një rrëfimi për “Shqiptarja.Com” tregon hap pas hapi pasionin e saj mbi modën, ëndërrat dhe vullnetin e sja të hekurt përpara sfidës së pasarelave. Konkursi i bukurisë “Miss Universe 2014” nën kujdesin e fotografit të njohur Fadil Berisha, zgjodhi më të bukurën e këtij edicioni. Zhaneta u kurorëzua me titullin “Miss Universe Albania 2014” dhe do të na përfaqësojë në “Miss Universe” i cili do të zhvillohet në janar në Majami.

zhaneta zyberi
 
Kush është Zhaneta Byberi, vajza që rrëmbeu kupën e “Miss Univers”?

Një vajzë e vendosur e me ëndrra të mëdha, vullnet të hekurt dhe pasion të papërshkrueshëm për t'ia dalë mbanë në këtë botë.
 
Çfarë studion?

Kam mbaruar Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, dhe së shpejti nis vitin e parë të shkollës së lartë për Shkenca Politike.
 
Cila është ëndrra e jetës tuaj?

Të kaloj gjithë vitet e jetës time duke bëre familjen time të lumtur dhe të ndihet krenare për mua.
 
Prej kohësh theksuat se jeni marrë me modeling, si i kujtoni fillesat tuaja?

Ashtu sikur fillesat e kujtdo në çfarëdolloj fushe, edhe të miat kanë pasur vështirësitë e tyre. Nuk njihja njeri, nuk kisha asnjë eksperiencë të mirëfilltë në pasarela, fotografi apo çdo element tjetër që kishte lidhje me modën. Më është dashur kohë të mësohesha me çdo vështirësi që sillte kjo lloj pune. Modelingu është vërtet një rrugë shumë e vështirë për t'u ndjekur; kërkon vullnet, karakter të fortë dhe durim të madh.

zhaneta zyberi
 
Mendoni se profesioni që keni zgjedhur ka lidhje me konkurset e bukurisë...?

Deri diku ekziston një lidhje ndërmjet këtyre dy fushave, pasi për të dhënë performancën optimale në një konkurs bukurie, duhet fillimisht të dish sesi të 'sfilosh' gjatë prezantimit tënd përpara publikut, të mësosh sesi të krijosh posturat e përshtatshme të trupit, të dish të mbash qëndrimin, mimikën e duhur në skenë, si dhe shumë elemente shtesë që zakonisht mësohen gjatë eksperiencës së fituar në evenimente mode.
 
Si ndiheni që do të përfaqësoni Shqipërinë në Majami?

Ndihem jashtmase shumë e nderuar që më është dhënë një mundësi e tillë kaq e jashtzakonshme. Do të bëj të pamundurën që të nderoj vendin tim me performancën time atje.
 
Kush iu ka përkrahur më shumë në këtë rrugë?

Përkrahjen më të madhe ma ka dhënë nëna ime, e cila nuk ka reshtur së më suportuar dhe më ndihmuar kurdoherë dhe sa herë që e kam pasur të nevojshme.
 
Veç modelingut dhe sfilatave, keni ndonjë pasion tjetër që ju ndjek?

Po, më pëlqen jashtmase shumë të këndoj dhe të pikturoj. Jam e talentuar në të dyja këto fusha, por duke qënë se momentalisht angazhimet e mia më të mëdha dhe fokusimet primare i kam gjetkë, them se këndimi dhe piktura do të ngelen thjeshtë një hobi, të paktën momentalisht.
 
A e ndjeni veten të privilegjuar tani që cilësoheni si vajza më e bukur e shqipërisë?

Sigurisht. Është një privilegj i madh për mua që u vlerësova dhe u kurorëzova ‘Miss’. Tani detyrimet e mia sigurisht do të jenë më të mëdha, pasi do të më duhet të përgatitem më së miri në mënyrë që të jap më të mirën e mundshme në konkursin ndërkombëtar.
 
Kujt ja dedikoni çmimin?

Të gjithë atyre që nuk kanë reshtur së besuari tek unë dhe të cilët nuk janë lodhur duke më ndihmuar e duke më dhuruar kohën e tyre të çmuar sa herë që mund të kem pasur nevojë për ta.
 
Jeni e dashuruar? Nëse po, çfarë mnedon i dashuri juaj për këtë çmim?

Nuk jam e dashuruar. Edhe nëse do të isha, besoj se i dashuri do të ndihej goxha krenar për mua, ashtu sic ndihet tani familja dhe të gjithë miqtë e mi të dashur.
 
Cilat janë projektet në vazhdim?

Angazhimi parësor si fillim është vetëm parapërgatitja për konkursin ndërkombëtar në Janar, të tjerat mbeten për t'u parë në vazhdim.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm  (11.10.2014) të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)