Odisetë e shqiptarëve që blejnë apo prenotojnë shtëpi dhe më pas hyjnë në rrugë pa krye konfliktesh për shkak të borxheve të ndërtuesve ndaj bankave apo personave të tjerë, pritet të marrin fund. Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë një udhëzim që shpëton një herë e mirë blerësin e shtëpisë nga detyrimet e ndërtuesit, duke lejuar më në fund hipotekimin e banesave, pavarësisht detyrimeve të shitësit.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, bëri dje publik daljen e një udhëzimi, që i referohet shqetësimit të përcjellë nga ana e mjaft qytetarëve të cilët ndonëse kanë porositur banesa, pra në fakt i kanë blerë ato, por ende nuk i kanë regjistruar në ZRPP, ndihen “të kërcënuar” nga shërbimi përmbarimor për shkak se ndërtuesit e objekteve mund të zhyten në borxhe, falimentojnë, nuk paguajnë kredinë ose kanë probleme me tatimet.

Çështja, e cila sikurse informoi Manjani është diskutuar edhe gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë, është konstatuar edhe në mjaft raste të sjella në Ministrinë e Drejtësisë. “Pallatet e ndërtuara me leje ndërtimi por që gjatë procesit të ndërtimit apartamentet janë kaluar tek qytetarët me kontratë sipërmarrjeje, me kontratë porosie ose me kontratë premtim – shitje, por që ende nuk janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë, sipas këtij udhëzimi do të thotë që konsiderohen të mbrojtura, që do të thotë shërbimi përmbarimor, privat ose publik, kushdo qoftë, nuk mund të sekuestrojë apartamentin e askujt që e ka ende me kontratë sipërmarrje, me kontratë porosie ose me kontratë premtim – shitje. Ka vetëm një kusht, që personi, pra familjari, qytetari duhet të tregoj që ka shlyer këstet e pagesave, qoftë dhe një këst të vetëm”,-u shpreh Manjani.
Ndërtuesi

Ministri theksoi se është e rëndësishme që qytetarët të kenë një kontratë, të banojë në shtëpi dhe të vijojë rregullisht procedura e regjistrimit. Sipas tij, në kushte të tilla, shërbimi përmbarimor nuk mund ta sekuestrojë këtë banesë. “Ky është udhëzimi im i nxjerrë sot i cili do t’i bëhet me dije të gjithë përmbaruesve të Republikës së Shqipërisë, por doja ta thoja publikisht, për ta shpjeguar, se kjo është një mbrojtje që ne u japim këtyre qytetarëve, të cilët kanë harxhuar paratë e tyre për të blerë një banesë dhe ne duhet t’ua sigurojmë këtë banesë. Ky është qëllimi i këtij udhëzimi.

Përsa i takon pjesës tjetër, ku ndërtuesit nuk kanë paguar kredinë ose janë debitor tek tatimet apo diku tjetër, i ftoj të mendojnë dhe të reflektojnë që paratë që kanë borxh, t’i paguajnë qindarkë më qindarkë. Asnjë mbrojtje për ndërtuesit! Kur kanë shkuar tek dera e bankës për të marrë kredi e kanë llogaritur që do ta shlyejnë. Udhëzimi im mbron djersën e ballit që nxjerrin qytetarët shqiptar për të blerë banesat e tyre, këto banesa janë të mbrojtura, por kurrsesi nuk është qëllim që të mbrojmë ata që nuk paguajnë detyrimet. Pra shërbimi përmbarimor, ka fuqi të plotë ligjore, të “gjurmoj” ku ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme, cilindo ndërtues që ka borxhe për të shlyer por jo në kurriz të atyre qytetarëve, të cilët kanë paguar shtëpitë e tyre por që për arsye procedurale, burokratike apo po të doni ju dhe korruptive, ende nuk janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë. Kjo është e mbrojtur, tashmë edhe me udhëzim”,-tha Manjani.

Gjithashtu, ministri ka përcjellë edhe një apel të rëndësishëm për të gjithë qytetarët që duan të blejnë një pasuri të paluajtshme. “Cilido që do të blejë një pasuri të paluajtshme, duhet ta bëj këtë gjë në zyrën e noterit, askund tjetër përveçse në zyrën e noterit. Pse e them këtë? Sepse tashmë me ligj, noteri përpara se të bëj një shitje të pasurisë së paluajtshme, do të duhet të verifikoj paraprakisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë, lejen e ndërtimit, sepse lejet e ndërtimit tashmë regjistrohen në ZRPP, pa filluar pallati ende. Bashkia jep lejen e ndërtimit dhe ja çon automatikisht ZRPP-së ose hipotekës dhe ajo e njofton noterin. Vetëm pas këtij çasti noteri jep garanci që banesa mund të shitet, mund  të jepet me sipërmarrje apo me premtim – shitje, apo me çfarëdo forme ligjore. Ky është mësimi i nxjerrë! E përsëris, çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë që do të blejë një pasuri të paluajtshme, duhet ta bëj këtë vetëm në zyrën e noterit, të ketë me vete dokumentin e identitetit, të cilin të gjithë ata që e kanë nxjerrë para vitin 2014, duhet të gjejnë pak kohë të shkojnë të aktivizojnë nënshkrimin elektronik, aty ku e kanë marrë këtë dokument, sepse kjo do ta rrisë sigurinë ligjore në 1000%. Në qoftë se dokumenti noterial i blerjes bëhet që në fillim tek zyra e noterit, transaksioni është 100 % i sigurt, në qoftë se blerja bëhet jashtë zyrës së noterit, shteti nuk ka më asnjë përgjegjësi dhe nuk garanton më askënd”,- përfundoi Manjani.
 
Udhëzimi i plotë i Ministrisë së Drejtësisë 
Udhëzoj:
Të gjithë përmbaruesit gjyqësorë privatë dhe publikë në Republikën e Shqipërisë për zbatimin e këtij udhëzimi si vijon:
Kur në përfundim të procedurave përmbarimore, karabinaja kalon në pronësi të një kreditori dhe në regjistrin e veçantë nuk është regjistruar asnjë akt tjetër noterial, ose kontratë sipërmarrjeje/porosie/premtim shitjeje, sipas nenit 46, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, regjistruesi lëshon dokumente të përkohshme në favor të kryerjes së transaksioneve nga ana e kreditorit, i cili ka të drejtë të disponojë dhe të tjetërsojë me të tretët këtë pasuri, vetëm për ato njësi ndërtimore që janë të lira dhe nuk kanë akte noteriale të regjistruara më parë mbi to.

Në rastet kur në regjistrin e veçantë ku është i regjistruar objekti si karabina, janë të regjistruara kontrata sipërmarrjeje/porosie/ premtim shitjeje, apo çdo akt tjetër noterial për njësitë ndërtimore të individualizuara, pjesë e strukturuarës së karabinasë, përmbaruesi nuk mund të vendosë sekuestro mbi këto njësi ndërtimore të individualizuara, objekt i këtyre kontratave.

Në rastet kur disponohet një kontratë sipërmarrjeje/porosie/premtim shitjeje, apo çdo akt tjetër noterial, i paregjistruar në regjistrin e veçantë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por vërtetohet se porositësi/ blerësi ka kryer pagesa në zbatim të kontratës së sipërmarrjes/ porosisë/ premtim shitjes, apo çdo akti tjetër noterial, përmbaruesi gjyqësor nuk mund të vendosë sekuestro mbi këto njësi ndërtimore, objekt i këtyre kontratave dhe nëse e ka vendosur, duhet të marrë masa të menjëhershme për përjashtimin apo heqjen e sekuestros nga këto njësi.

Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit dhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësore Privatë, të orientojë përmbaruesit gjyqësorë të marrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij udhëzimi.Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com