Ndërkohë, edhe prodhuesit e miellit nga Kosova presin të vazhdojnë eksportin drejt Maqedonisë. Me heqjen e bllokadave ndërmjet Kosovës e Maqedonisë, dy ditë më parë ka filluar vetëm lëvizja e lirë e njerëzve e automjeteve drejt Maqedonisë pa paguar asnjë taksë, por jo qarkullimi i mallrave, pasi të dielave nuk bëhet zhdoganim.
Kurse dje zhdoganimi i produkteve me origjinë nga Maqedonia bëhej pa problem, edhe pse ka më shumë dërgesa se zakonisht, tha për Radio Kosovën zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci. Me arritjen e marrëveshjes, shprehen të kënaqur edhe prodhuesit e miellit në Kosovë, të cilët nga 1 qershori nuk kanë mundur të eksportojnë në Maqedoni.
Ata ende nuk kanë filluar eksportin, pasi që prej heqjes së bllokadës presin kërkesa nga partnerët e tyre nga Maqedonia. Bllokimi i miellit ka qenë një nga temat më të mprehta që shkaktoi “lufta” tregtare midis dy vendeve.
Shkrimi u publikua sot (17.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)