PRISHTINË-Ministrja kosovare për Dialogun, Edita Tahiri, priti sot Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, të cilin e falënderoi për përkrahjen e Bashkimit Evropian për shtetin e Kosovës në avancimin e axhendës për integrimit evropian të Kosovës përmes Marrëveshjes Stabilizim Asocim, si dhe zhvillimit dhe lehtësimit të dialogut mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit nga zyra e shtypit e qeverisë kosovare, Zhbogar shprehu urimet e sinqerta për përzgjedhjen e Tahirit si ministre e ngarkuar për procesin e dialogut, duke thënë se BE-ja ka mirëpritur konstituimin e qeverisë së re. Ai vlerësoi angazhim e ministres Tahiri në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ku tha se janë shënuar rezultate të konsiderueshme në këto katër vite.
Zhbogar tha se "edhe periudha e ardhshme do të jetë po ashtu e rëndësishme për arritjen dhe konsolidimin e progresit të mëtejshëm". Në mesin e prioriteteve të qeverisë së Kosovës Zhbogar vlerësoi angazhimet për jetësimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, reformat në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, në administratën publike, vazhdimin e progresit në liberalizimin e vizave dhe progresi në dialog.
Ai theksoi se bashkëpunimi i ndërsjelltë, si gjithnjë do të ketë për qëllim progresin e mëtejshëm, stabilitetin dhe prosperitetin për popullin e Kosovës.
Ministrja Tahiri e ka njohur Zhbogar me prioritetet e qeverisë së Kosovës, duke theksuar se do të jemi të përkushtuar për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe punësim, sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor, si dhe thellimin e reformave evropiane dhe euro-atlantike në të gjitha fushat. Ajo potencoi se Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal dhe, në këtë kuadër do të vazhdojë angazhimet konstruktive në Dialogun e Brukselit duke vlerësuar se ky dialog kontribuon për paqe dhe stabilitet në rajon dhe është bërë një model pozitiv për rajonin e më gjerë./ATSH/