Zhduken thesaret e
ekspozitës së 100-vjetorit!

Zhduken thesaret e<br />ekspozitës së 100-vjetorit!
TIRANE- Ajo që kishim frikë se do të ndodhte, ka ndodhur...! Një pjesë e koleksionit së 260 thesareve të trashëgimisë kulturore, që u ekspozuan në Kosovë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, mungojnë. Koleksioni me thesaret e trashëgimisë, ndryshe nga udhëtimi që kanë bërë në muzetë e Italisë, në atë të Kosovës, jo vetëm kanë qenë pa leje, por edhe pa polica sigurimi.
Gazeta “Shqiptarja.com” ka qenë e para që ka denoncuar rrezikun që iu kanosej thesareve të trashëgimisë gjatë udhëtimit të tyre Romë-Torino, ndërsa kishin shkuar për t’u ekspozuar në Kosovë gjatë muajit prill. Ndërsa gazeta ka zbuluar abuzimet dhe parregullsitë ligjore që në fillim të ngjarjes, në muajin korrik ka botuar lajmin për rrezikun e vërtetë që iu kanosej 260 thesareve të trashëgimisë kulturore. Dyshimi që ka shprehur pas këtij lajmi edhe specialisti i trashëgimisë Gjergj Frashëri në një intervistë për “Shqiptarja.com” se veprat mund të kishin humbur, “trafikuar apo vjedhur” për fat të keq doli i vërtetë.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dje në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Medias ka deklaruar se thesaret e trashëgimisë nuk rezultojnë të jenë kthyer të gjitha, duke u shprehur se ka mungesa gjatë krahasimit të procesverbaleve të daljes jashtë kufijve të Shqipërisë dhe procesverbalit të kthimit.
Siç do të vërejmë nga citimi i fjalëve të ministres Kumbaro del se për këtë ngjarje ka qenë në dijeni edhe ish-drejtori i Monumenteve të Kulturës, i cili gjatë periudhës së qëndrimit të veprave të trashëgimisë në Muzeun e Kosovës ka shmangur çdo prononcim për mediat.  

Kërkesën për transparencë se në ç’gjendje janë thesaret e kthyera nga Kosova për ministren e Kulturës Kumbaro e bëri deputetit i PS-së, Alfred Peza. Ministrja Kumbaro gjatë përgjigjes tha: “Zoti Peza ju më bëtë dy pyetje, një pyetje që ka të bëjë më dosjen e ikonave të Gjergji Thimjos dhe tjetra që ka të bëjë me ekspozitën e 260 artefakteve që ikën me rastin e 100-vjetorit që kanë ndjekur itinerarin nga Roma në Torino dhe më pas u vendos që të ekspozoheshin edhe në Muzeun e Prishtinës. Për ekspozitën, informacioni i plotë dhe zyrtar, që unë pasi e ndoqa më përparësi këtë dosje, them se është një rast ose objekt shumë problematik. Jo më kot ai u bë objekt i reagimeve në media në muajin gusht”.
 
Hapet dosje për ish-drejtorin e IMK-së, Apollon Baçe
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, dje në seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Medias, duke rrëfyer se çfarë ka ndodhur me 260 objekte të trashëgimisë, të cilat kanë dalë jashtë kufijve të Shqipërisë flet edhe për dosjen e hapur për shkeljet ligjore. “Pasi kanë ardhur nga Italia në muajin Prill të vitit 2013, sipas Ligjit të Trashëgimisë Kulturore për objekte të rëndësi së veçantë duhet të zhvendosen ekspozita vetëm me një VKM të veçantë, e cila duhet të jetë e pajisur me një listën e plotë dhe të detajuar të objekteve që mund të lëvizin dhe një VKM të parë të parë të prillit të vitit 2013 me një listë shoqëruese, e cila parashikonte qëndrimin e këtyre objekteve deri në datën 20 gusht 2013”, theksoi ministrja Kumbaro, e cila citoi më tej: “ndërkohë këto objekte kanë qëndruar pa VKM deri në tetor të këtij viti.

Në komunikimet që kam pasur me ish-drejtorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, ashtu sikurse dosja ma konfirmon dhe ai ma konfirmon që zgjatja e kontratës me Muzeun e Prishtinës dhe me Institutin e Monumenteve të Kulturës është bërë në mënyrë të parregullt, nuk ka qenë e shoqëruar me VKM dhe problemi më i madh është se gjithë ky ekspozim në Prishtinë është bërë pa asnjë policë sigurimi”. Ashtu siç kanë deklaruar dhe specialistët të trashëgimisë tre muaj më parë në gazetën Shqiptarja.com, të cilët i kërkuan drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës Apollon Baçe dhe qeverisë Berisha kthimin e thesareve në atdhe, ministrja Kumbaro konfirmon pa hezitim se 260 thesaret që u ekspozuan me rastin e 100-vjetorit të Pvarësisë kanë qenë të pambrojtura. “Ka pasur vetëm një sigurim fizik nga ana e autoriteve kosovare, por nuk ka pasur asnjë policë sigurimi që t’i shoqëronte objektet, përkundër rasteve ku në Itali ato janë zhvendosur brenda të gjitha rregullave me policën e vet të sigurimit.

Bëhet fjalë për të njëjtat sasi objektesh që u zhvendosën jashtë territorit të Shqipërisë për në Romë dhe në Torino dhe janë kthyer në 7 prill dhe janë shoqëruar me siguracionin përkatës, ndërsa në Kosovë ato kanë lëvizur pa asnjë ditë të siguruar me asnjë siguracion të posaçëm”, tha ministrja Kumbaro. Ministrja është shprehur se është marrë posaçërisht me këtë çështje, duke kontaktuar edhe Ministrinë e Kulturës së Kosovës. “Ata kanë marrë gjithë masat për sigurimin fizik, por është një dosje që figuron pa siguracion”, tha ministrja Kumbaro. Sikur të mos mjaftonte mungesa e policës së sigurimit, ministrja Kumbaro rreshton dhe abuzimet të tjera të rënda të ish-drejtorit të Institutit të Momumenteve dhe organizatorëve të kësaj ekspozite: “Dhe e dyta zgjatja e kontratës është bërë në mënyrë krejt të paligjshme dhe mbi bazën e vullnetit të drejtorit të IMK e pashoqëruar me VKM dhe unë në bazë të një analize të detajuar që i kam bërë vetë dosjes ka mospërputhje të listës së procesverbaleve, ose të listës që shoqëron VKM fillestare dhe të listës së procesvervalit të objekteve të dorëzuara në ekspozitë”, u shpreh ministrja e Kulturës, duke siguruar të pranishmit se pas hapjes së dosjeve objektet e kthyera, duke nisur që nga data 10 tetor, kanë nisur shpërndarjen në destinacion në muzeun e Durrësit dhe muzetë e tjera nga janë marrë.

Shtëpia e Flamurit në Korçë do të rindërtohet. Godina Kodra në Gjirokastër e paligjshme, mund të shembet
Çfarë do të bëhet me shtëpinë e rrafshuar të Shtëpisë së Flamurit në Korçë?. Kjo ishte pyetja që i ka bërë deputeti i PS-së, Fidel Ylli, ministres Kumbaro. “Ky monument nuk ekziston më. Trualli u shtrua me pllaka. Po e trajtojmë me prioritet. Kam thirrur në takim pronarët e shtëpisë të negociojmë. Do të diskutojmë për këtë çështje. Vullneti ynë është të rikthehet në formën që kishte më parë”, përgjigjet ministrja e Kulturës, Kumbaro. Ndërkohë ministrja iu është përgjigjur edhe pyetjeve për objektin e subjektit Kodra që po ngrihet në Gjirokastër ndërkohë që ka një vendim për pezullimin e ndërtimeve në Gjirokastër, Krujë dhe Berat. “Objekti i subjektit Kodra që është me një leje rindërtimi nga IMK dhe KKKR ka avancuar me të gjitha kërkesat për pezullim që janë bërë nga drejtoria rajonale”, tha ministrja, duke e konsideruar një ndërtim të paligjshëm. “Nuk bëhet fjalë për restaurim, sikurse është interpretuar nga IMK, por bëhet fjalë për ndërtim nga e para... jashtë kritereve të parashikuara për zonat e mbrojtura të trashëgimisë”, tha ministrja e Kulturës, duke lënë të kuptohet se pas kontakteve që ka pasur me zyrën e UNESKO-s, godina mund të ketë fatin e të gjitha godinave të paligjshme, të shembet.
 
Shkrimi u publikua sot (5.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK/ Shqiptarja.com zbardh EMRAT! Ja për kë SPAK firmosi urdhërarrestet

Operacioni i SPAK/ Shqiptarja.com zbardh EMRAT! Ja për kë SPAK firmosi urdhërarrestet