Policia e Tiranës ka nisur hetimet lidhur me pretendimet dhe akuzat e familjarëve të Bujana Bushit, 33-vjeçares e cila mbeti viktimë e një aksidenti më 30 korrik, në aksin Kavajë-Rrogozhinë.

Burime nga policia informojnë se tashmë është ngritur një grup hetimor, i cili ka nisur hetimin për zhdukjen e pretenduar prej tyre të shumës prej 100.000 eurosh nga çanta e Bujanës.

Fillimisht, janë pyetur katër punonjësit e Policisë Rrugore të Kavajës, të cilët ndodheshin në vendngjarje ditën e aksidentit. Efektivët e kanë mohuar se ditën e aksidentit të kenë konstatuar para në mjetin tip "Benz", me të cilin po udhëtonte viktima. Ata kanë deklaruara se kanë administruar sende personale të viktimës, por jo para.

Policia ka nisur verifikimin e transaksioneve bankare, të pretenduara nga bashkëshorti i viktimës, Vullnet Troka. Ky i fundit po merret në pyetje në Drejtorinë e Policisë në Qarkun Tiranë, ku po jep dëshminë para oficerëve të policisë gjyqësore.

Policia sqaroi dje se çanta e Bujana Bushit u mor nga i vëllai i saj dhe i kaloi me procesverbal prokurorit të çështjes, ndërsa bashkëshorti  i të ndjerës ka thënë se paratë i kishin tërhequr për të blerë një shtëpi. Sipas policisë, sendet me vlerë të sekuestruara do t'i marrin vetëm pas urdhrit të Prokurorisë.

Aksidenti u regjistrua në aksin rrugor Kavajë- Rrogozhinë, pranë kryqëzimit të fshatit Lekaj. Policia arrestoi shtetasit Fatmir Bekshiu, 65 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë dhe Kosta Taçi, 51 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë. Viktima ishte pasagjere në automjetin e biznesmenit Kosta Taçi nga Vlora. Ndaj këtij të fundit, Gjykata e Kavajës ka dhënë masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, ndërsa për shtetasin tjetër, "arrest me burg"./shekulli/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)