TIRANE- Thanas Gjinopulli, ose siç njihet shkurt me emrin “Nasho” ka qënë i dyshuari kryesor i prokurorisë dhe policisë së Shtetit, në rastin e zhdukjes së biznesmenit Eduart Belegu. “Nasho”, emri me të cilin e njohin të gjithë, para viteve ’90 ka qënë mes rradhëve të policisë, dhe se gjatë shërbimit të tij në këtë kohë ka mbajtur detyrat si hetues dhe specialist kriminalistike. Pikërisht një ish-ekspert policie në fushën e krimit, ka qënë njeriu më i dyshuar në zhdukjen e biznesmenit Eduart Belegu. Nasho, rezulton të jetë personi i fundit që Belegu ka marrë kontakte në datën e 22 marsit dhe 23 marsit 2010 dhe më pas është zhdukur së bashku me 8 topa me dollarë që sapo ja kishte marrë Thanas Gjinopullit.

Belegu, ka dalë nga magazina tregtare e tij që ndodhet në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, dhe se aty ka takuar dy apo tre persona, dhe më pas gjurmët e tij humbin. Për gati një vit me rradhë, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit kanë kryer hetime për të rënë në gjurmët e Belegut, duke pasur përballë një person të dyshuar, që pjesën më ta madhe të viteve të jetës së tij, i ka kaluar në hetuesinë kriminale.

Mbikqyrja e Nashos
Ish-specialisti i policisë, aktualisht biznesmeni Thanas Gjinopulli ka qënë personi kryesor që është mbajtur në mbikqyrje nga policia dhe prokuroria. Mësohet se pas disa muaj hetime, të gjitha dyshimet dhe vëmëndja e grupit që hetonte zhdukjen e biznesmenijt Eduart Belegu, është përqëndruar tek një emër i vetëm, Thanas Gjinopulli. Ky i fundit është marrë disa herë në pyetje, ku ka treguar bisedën e fundit me Belegun dhe tre personat misoteriozë, që e kishin takuar Eduartin, sapo ai kishte dalë nga magazina tregtare. Nasho, është mbajtur në përgjim për disa muaj me rradhë dhe se një grup agjentësh kanë kryer dhjetëra veprime për të mbajtur në mbikqyrje të dyshuarin kryesor, por që në asnjë rast nuk është arritur të sigurohen prova. Lidhur me këtë çështje, hetimi i prokurorisë dhe policisë është shtrirë dhe tek djali i Nashos, i cili është marrë në pyetje, por që në fakt edhe ky i fundit nuk ka dhënë të dhëna të vlefshme për hetimin e ngjarjes.

Dyshimet e prokurorisë dhe policisë në vitin 2010 ishin se Nasho, kishte gisht në zhdukje, pasi kishte shumë borxhe financiare që Eduart Belegu ia kishte dhënë me përqindje. Pikërisht, për të marrë lekët Belegu është paraqitur një herë në datën 22 mars, por Nashon i ka kërkuar Belegut, që të paraqitej në datën 23 mars, pasi ende nuk kishte siguruar shumat financiare. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, kjo kohë ka mjaftuar që ish-specialisti i kriminalistikës, të mund të ketë thurur planin për zhdukjen e biznesmenit të kromit, njëherësh dhe këshilltarit të ish-ministrit Dritan Prifti.

Nasho:I dhashë dollarët iku dhe takoi 3 persona

Për të mësuar të vërtetën e zhdukjes së Belegut, është pyetur në prokurori Thanas Gjinopulli. Ky i fundit shpjegon se: ”Dollarët ja kisha marrë hua Eduartit që nga viti 2002 me një përqindje interesi 2 për qind e më pas në 1 për qind, kjo shumë ka qënë 76 mijë dollarë. I kam likujduar disa herë dollarë dhe se në takimin e fundit në datën 22 mars 2010, ditën e Hënë vjen Eduarti tek puna ime në Laprakë dhe më thotë, ke bërë ndonjë lekë, dhe unë i them se nesër do të bëj nja 20 ose 30 mijë dollar, pasi kam pasur edhe punë dhe nuk kam pasur shumë lekë. Në datën 23 mars në orën 09:45 ka ardhur Eduarti në magazinë vetëm, jemi takuar dhe i kam dhënë 8 topa me dollarë si dhe një letër ku ishin të gjitha shënimet e duhura sipas likujdimeve.

Eduarti nxitonte shumë dhe më tha futi në një qese se nxitoj do të iki në Durrës. Unë i thashë të bëjmë letra tek noteri, ai më thotë mbasdite kur të kthehem se kam një punë dhe nxitoj. Iku nga makazina dhe pashë që në rrugë takoi dy-tre persona dhe po komunikonte me ta dhe më pas nuk di gjë se ku ka shkuar, por rreth orës 13:30 më ka dërguar një SMS ku më thoshte: “Ato që më dhe sot ishin 76.000 USD dhe jo 80.000 USD. Nga Dhjetori 2004 më ke dhënë 127.000 USD. Takohemi ora 16. Tek noteri tek gjykata. Edi Belegu”. Unë kam shkuar tek gjykata dhe kam pritur për rreth një orë aty së bashku me avokatin tim, por Eduarti nuk ka ardhur. I kam dërguar një SMS por ai nuk më kthehu përgjigje.

Në mbrëmje më merr në telefon gruaja e Eduartit dhe më pyet nëse isha takuar me Eduartin dhe nëse i kisha likujduar huanë. Dua të sqaroj se marrëdhëniet tona me Eduartin kanë qënë shumë të mira dhe nuk kemi pasur asnjëherë problem”-ka treguar Nasho. Lidhur me hetimet e bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit, është pyetur ortaku i Belegut, Arefi Jakupllari, të cilët administronin kompaninë "KUARCI BLACE". Ky person ka treguar se në me një telefonatë, të bërë nga Belegu rreth orës 11:28, por ai ishte në lokal dhe se kishte shumë zhurmë dhe se nuk i ka folur. E ka rimarrë në telefon vetëm 1 minutë më vonë. Telefonta ka qënë e shkurtër dhe përveç Eduart Belegut, që i thoshte me një zë shqetësues se do t’i telefononte më vonë, ai ka dëgjuar edhe disa zhurma.
 
Kontrolli në magazinë
Veprime të shumta nga ana e prokurorisë janë kryer edhe në magazinën e Thanës Gjinopullit. Një grup hetimor, ka shkuar pikërisht në këtë magazinë, duke kryer kontrolle të imtësishme por pa rezultat. Kontrolle, janë bërë edhe në makinën e Eduart Belegut që është gjetur afër vendit të zhdukjes, por nuk ka asnjë provë që mund të ngjallte dyshime. Ndërkohë për të siguruar prova të mjaftueshme, prokuroria dhe policia kanë mbajtur, në përgjim Thanas Gjinopullin, por nga interceptimi i bisedave telefonike, nuk kanë mësuar asnjë gjë rreth fatit të Eduart Belegut.
 
Gëzim Peshkopia: Nasho,oficeri që më ka torturuar
Thanas Gjinopulli ose Nasho, përmendet nga Gëzim Peshkopia, një ish-i përndjekur politik, si personi që e ka torturuar gjatë këhës së arrestimit. Në dëshminë e tij, Peshkopia tregon se dy hetuesit e tij kanë qënë Nasho Gjinopulli dhe Kosta Gazeli. Më tej Peshkopia, tregon se më tej Nashoja, nga seksioni i zbulimit në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës, kaloi sekretar i ambasadës sonë në Budapest dhe pas rënies së komunizmit, u kthye në trafikant vizash e u bë pasanik. Sipas modës është biznesmen i kamur.

faksimile e prokurorise

Shkrimi u publikua sot (06.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)