TIRANE- Identifikohet personi që thirri Julian Çelën, djalin e zyrtarit të SHISH pasditen e 30 nëntorit në zonën e Laprakës në Tiranë, ku dhe është parë për herë të fundit.

Policia thotë se ai është Gëzim P, një person më i madh se Juliani, i cili shoqërohej me të miturin për një kohë të gjatë, ndërsa ka dyshime se mund ta ketë rekrutuar te grupi i tij, shkruan sot gazeta Shqip. Ky person, sipas policisë, është arrestuar disa herë për vjedhje në kryeqytet, ndërsa ka të dhëna se kohët e fundit kishte ngritur një grup për grabitje. Ai ka studiuar mirë aftësitë e 10 - vjeçarit, i cili ngjitej në lartësi të mëdha dhe nuk kishte frikë.

Megjithatë burime policore nuk japin detaje nëse Gëzimi ka qenë personi që e ka rrëmbyer Julianin, ndërsa saktësojnë se kanë zbardhur vetëm një çast që ishte mister prej datës 30 nëntor. Pasditen e kësaj date, pas qëndrimit për një kohë të shkurtër në qendrën e internetit, ku pronarja thotë se e ka parë, madje ka biseduar, Juliani është thirrur nga një person. Roza, operatorja e internetit, para policisë por dhe në media kishte deklaruar se dikush e kishte thirrur dhe Juliani kishte dalë jashtë. Ajo dëshmonte se nuk e kishte parë por nga zëri dukej se ishte më i madh se vetë djaloshi 10 vjeçar.

Tashmë kanë kaluar 3 javë nga zhdukja e Julianit dhe nisur nga këto të dhëna policia ka dyshime të forta se 10 vjeçari i zhdukur prej 22 ditësh shoqërohet me një të dënuar për vjedhje, Gëzim P. i cili është mbajtur nën vëzhgim nga agjentë të antikrimit, pro deri më sot nga hetimet nuk kanë sjellë asnjë të re për fatin e tij.

(Redaksia online)
(sg/shqiptarja.com)