Nëndetësja argjentinase e zhdukur prej gjashtë ditësh është lajm kryesor i mediave prestigjioze ndërkombëtare.

Gazetari i Report Tv, Ilir Mati me një përvojë të gjatë në Forcën Detare  shpjegon vështirësitë e ekipeve të kërkimit për lokalizimin e vendndodhjes së nëndetëses në thellësi të oqeanit. Në studion e Report Tv, gazetari Mati tha se shkaqet që kanë sjellë zhdukjen e nëndetëses 66 m të gjatë në thellësi të oqeanit mund të jenë avaritë teknike dhe gabimet njerëzore

Ai thekson gjithashtu se autonomia e nëndetëses është 30 ditë nga dita e zhdukjes dhe brenda kësaj periudhe ekuipazhi mund të mos ketë probleme që çojnë në rrezikimin e jetës së tyre, pasi nëndetësja ka oksigjen në gjendje si dhe bazë materiale.   

Shkaqet mund të jetë një avari, avari të ndryshme që mund të ndodhin. Nuk përjashtohet neglizhenca në raste të tilla, gabimet njerëzore të cilat janë të pranishme, por janë ekuipazhe, ekipe të tilla të cilët janë të trajnuar të përballojnë kushte të vështira pune. Shkaku me siguri është teknik, është një nëndetëses 66 m e gjatë, nëndetëse oqeanike me një motor, me një helikë dhe një motor elektrik. Këto janë nëndetëse që punojnë me bateri kur janë nën ujë. Që të karikosh baterinë ka një motor diesel, pastaj bateritë vënë në lëvizje elektromotorin.

Është prodhim gjerman i vitit 1983 dhe ka hyrë në punë në vitin 1985. Nuk është një nëndetëse e vjetër. Edhe nëndetëset tona kishin këtë moshë kur kam punuar unë, kishin 20 vjet punë. Është një mjet i sigurt gjatë kohës kur është në shërbim. Autonomia e kësaj nëndetëse është 30 ditë. Për të bërë një mision të tillë, disa ditë lundrimi, të gjitha këto parashikohen dhe nëndetësja nuk shkon asnjëherë që të ketë një limit mundësish për furnizime, naftë, ushqime, ajër etj.

Problemi është të arrijmë të kujtojmë nëse ata njerëz që janë brenda arrijnë të përdorin të gjitha ato mjete që ka vetë nëndetësja për të eliminuar një defekt të tillë. Thonë që ka ndodhur një defekt në sistemin elektrik të baterive por nëndetësja për të dalë në sipërfaqe nuk ka vetëm bateritë. Ne nuk dimë cila është gjendja e tyre fizike". 
 

Vështirësitë për kërkimin e nëndetëses
Në një kohë kur ekipet argjentinase dhe jo vetëm të shpëtimit kanë nisur punën për gjetjen e nëndetëses, gazetari Ilir Mati rendit vështirësitë e këtij operacioni dhe mekanizmat që përdoren në raste të tilla për të lokalizuar vendndodhjen në thellësi të oqeanit.

“Thonë për GPS, por kur kërkohet nëndetësja në ujë kërkohet me ultratinguj dhe jo me valë elektromagnetike. Ajo mund të jetë zhytur 300 m, se aq zhytje mund të durojë ajo nëndetëse. Maksimumi një radar që dërgon sinjale për të kërkuar nëndetësen nuk shkon më shumë se 5 km. Nëse ajo nuk lëviz, nuk bën zhurmë, e vetja është që t'i dërgosh një sinjal me ultratinguj dhe të marrësh përgjigje. Ka dhe një mënyrë tjetër me anë të termoelementeve, për të parë nëse nëndetësja ka një temperaturë më të lartë se uji për ta detektuar. Është dhe sonari i vendosur mbi një avion ose mbi anije që skanon një sipërfaqe më të madhe. Është ngritur një komision i posaçëm që merret me raste të tilla, të zhdukjes së nëndetëseve dhe futet menjëherë në veprim”. 

Aksidentet e nëndetëseve shqiptare
Mati përmend edhe dy aksidentet e nëndetëseve shqiptare gjatë regjimit komunist. Në të dyja rastet nuk ka pasur pasoja në njerëz, ndërsa nëndetëset ia kanë dalë që të kthehen në bazë. 

“Ka shumë të interesuar në Shqipëri për këtë lajm. Ne nuk kemi pasur aksidente me nëndetëset. Por ka qenë një rast kur një nga nëndetëset tona, gjatë kthimit në bazë, është përplasur me një shkëmb por ekuipazhi ia doli dhe nëndetësja u kthye në bazë dhe u riparua. Kemi pasur edhe një aksident tjetër gjatë kohës kur riparimi bëhej me kinezët dhe pas aksidentit nëndetësja u riparua nga fillimi”.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com