KORÇE - Seanca e radhës për zhdukjen e 64 pikturave nga galeria e arteve”Guri Madhi” është zhvilluar sot në Gjykatën e Faktit të Korçës. Pas ndarjes së çështjes midis ish-drejtorit Vladimir Topi dhe piktorit Sotiraq Xega, seanca ka vijuar me pyetjen e pesë dëshmitarëve të kërkuar nga akuza.

Punonjësit e qëndrës kulturore”Vangjush Mio”, Bardhi Pojani, Dhimitraq Cikopani, Tatjana Caca, Sotiraq Kuqali dhe Genci Proko, janë pyetur në lidhje me mënyrën e administrimit të fondit të galerisë ,kryerjen e inventareve dhe organizimin e ekspozitave brenda dhe jashtë vendit.

Dëshmitarët Bardhi Pojani dhe Dhimitraq Cikopani kanë përforcuar edhe njëherë dëshmitë e dhëna nga të tjerë dëshmitarë, mbi kushtet e mjerueshme ku ruheshin pikturat si dhe kryerjen e inventarëve, që kanë qënë vetëm formalë.

Sipas tyre, inventaret e fondit të pikturave të galerisë, edhe pse kryheshin çdo vit , ishin formalë dhe konsistonin vetëm në numërimin fizik të pikturave, pasi shumica e anëtarëve të komisioneve nuk ishin profesionistë të fushës dhe si të tillë, nuk mund të përcaktonin autorësinë e punimeve të fondit.

Seanca e radhës ndaj ish drejtorit,Vladimir Topi, i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre’, u la për në 27 shkurt. Ndërkohë, pas ndarjes së çështjeve, nuk dihet ende se kur do të rifillojë sërish gjyqi ndaj përgjegjësit Sotiraq Xega, icili ndodhet në Tiranë për arsye shëndetësore.


Redaksia Online
(ar.sh/shqiptarja.com)