Zhizel i mrekullueshëm me Petra
Contin dhe Eris Nezhën në Tiranë

Zhizel i mrekullueshëm me Petra<br />Contin dhe Eris Nezhën në Tiranë
TIRANE - Të shtunën në mbrëmje, në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u luajt një nga "Zhizel" më të bukur që ka parë skena shqiptare. Petra Conti dhe Eris Nezha mahnitën publikun artëdashës shqiptar me elegancën dhe profesionalizmin e tyre. Në një nivel shumë të lartë edhe balerinët e TKOB, të cilët i dhuruan skenës një shfaqje të jashtëzakonshme.

Baleti nisi me një homazh për ikonën e muzikës Vaçe Zela, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë. Më pas, të dy aktet e baletit Zhizel, mbajtën pa frymë sallën plot të TKOB dhe duartrokitje pa fund gjithë entuziazëm.

 Petra Conti dhe Eris Nezha, balerinë të parë të Teatrit në La Scala në Milano dhe të Boston Ballet i dhurojnë publikut shqiptar dy netë në interpretimin e Zhizel: e shtuna 8 shkurt dhe e diel 9 shkurt. Petra Conti dhe Eris Nezha, çift në punë përveçse në jetë, dhanë një spektakël plot emocion, ëmbëlsi dhe perfeksion.

Petra Conti, me baba italian dhe nënë polake, u diplomua në vitin 2006 në Akademinë Kombëtare të Kërcimit në Romë me Maestro Zharko Prebil dhe pas një viti specializimi në Marijinsky të Shën Pjetërburgut si dhe një sezoni në Bavarian State Ballet të Monaco-s, debutoi në vitin 2009 në Teatrin La Scala pikërisht me rolin e Zhizel.

Eris Nezha u diplomua në Akademinë e Kërcimit në Tiranë në vitin 1997, më tej u zhvendos në Milano dhe, pas një viti formimi në Teatrin Carcano, u pranua në Shkollën e Baletit të La Scala, ku u diplomua në vitin 2002. Që nga ai moment ka marrë pjesë në shfaqje të ndryshme me trupën e baletit. Viti 2011 ka qenë viti i suksesit për të dy artistët.

Ata u zgjodhën nga drejtori Makhar Vaziev Balerinë të Parë të Teatrit La Scala gjatë turneut në Bolshoi në Moskë me baletin Ëndrra të një nate vere. Në të njëjtin vit u nderuan me çmimin “Premio Danza&Danza” si Interpretuesit më të Mirë të vitit. Pjesëmarrja e çiftit të artistëve me famë ndërkombëtare në veprën e famshme të Adolf Adam –it, që do të ngjite më 8 dhe 9 shkurt në skenë u mundësua nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë.
 
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane