Një ditë pasi akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk po u tregon të vërtetën shqiptarëve për efektet e Ligjit 21/2024 mbi zonat e mbrojtura, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa thotë se këtë çështje e ka diskutuar edhe me një delegacion të Komisionit të Jashtëm të Senatit francez.
Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa njofton se zhvilloi një takim me delegacionin e kryesuar nga Jean-François Rapin, i shoqëruar edhe nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, ku në fokus ishte mbrojtja e trashëgimisë natyrore dhe zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit.
Sipas saj, senatorët francezë ndanë shqetësimin e tyre për ndërtimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe sollën shembuj nga përvoja franceze në mbrojtjen e bregdetit dhe hapësirave natyrore.
“Senatorët e nderuar ndanë shqetësimin e tyre për ndërtimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe sollën shembuj nga përvoja franceze në mbrojtjen e bregdetit dhe të hapësirave natyrore”, shkruan Zhupa.
Deputetja demokrate thotë se i informoi anëtarët e delegacionit për rrugëtimin e Ligjit 21/2024, që sipas saj hapi rrugën për lejimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura, si dhe për nismën që ka depozituar për shfuqizimin e tij.
“Gjithashtu, i vura në dijeni për nismën që kam depozituar për shfuqizimin e këtij ligji dhe kërkova mbështetjen e partnerëve dhe institucioneve evropiane për rikthimin e standardeve të mbrojtjes së natyrës, në përputhje me parimet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian”, shprehet ajo.
Sipas Zhupës, gjatë takimit u diskutua edhe për potencialin e Shqipërisë për zhvillimin e një turizmi cilësor dhe të qëndrueshëm, në harmoni me natyrën dhe trashëgiminë kulturore.
Postimi i plotë i Zhupës në rrjete sociale
"Pata kënaqësinë të zhvilloj një takim me delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Senatit francez, të kryesuar nga z.Jean-François Rapin të shoqëruar nga Ambasadorja e Francës në Shqipëri znj. Catherine Suard, ku diskutuam për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.
Senatorët e nderuar ndanë shqetësimin e tyre për ndërtimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe sollën shembuj nga përvoja franceze në mbrojtjen e bregdetit dhe të hapësirave natyrore, përfshirë politikat e konsoliduara për ruajtjen e vijës bregdetare dhe institucionet e krijuara për këtë qëllim gjatë reformave të ndërmarra në Francë.
I informova në detaje mbi rrugëtimin e Ligjit 21/2024, i cili hapi rrugën për lejimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura, si dhe për qëndrimin tonë të palëkundur kundër tij. Gjithashtu, i vura në dijeni për nismën që kam depozituar për shfuqizimin e këtij ligji dhe kërkova mbështetjen e partnerëve dhe institucioneve evropiane për rikthimin e standardeve të mbrojtjes së natyrës, në përputhje me parimet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian.
Biseda u shtri edhe mbi potencialin e jashtëzakonshëm që ka Shqipëria për të zhvilluar një turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm, në harmoni me natyrën dhe trashëgiminë kulturore. Bashkëpunimi me Francën mund të sjellë modele të suksesshme dhe përvoja të vlefshme për të ndërtuar një zhvillim që respekton mjedisin dhe u shërben brezave të ardhshëm"
Komente










