Aktori Viktor Zhusti ka reaguar publikisht ndaj publikimit të një fotografie ku shfaqet krah aktivistit Adriatik Lapaj, duke sqaruar se imazhi ishte realizuar vetëm për qëllime personale dhe me marrëveshjen që të mos bëhej publike.

Sipas Zhustit, fotoja u përdor si "shashkë progandistike" për mitingje politike, e për të krijuar përshtypjen se aktori mbështet lëvizjen Shqipëria Bëhet. 

Duke mos fshehur zhgënjimin nga ato të cilat i quajti "miqësi të rrugës", Zhusti tha se postimi i ka sjellë "shumë armiqësi, qejfmbetje dhe komente negative"

Postimi i plotë i Viktor Zhustit në Facebook.

"Eh,mor LLAPA…

Nuk di a të kam sjellë ndonjë të mirë me dëshirën që të bëje një foto private, kur isha duke kaluar për në shtëpi mbas shfaqjes, por mua, veç dëm e shqetësim më ke sjellë.

Pranova të beje foto vetëm për albumin tënd privat meqë “ kishe shumë simpati si aktor” dhe më premtove që nuk do ta postosh, madje i thashë dhe bashëluftëtarit tënd, artistit të kaq e ka filmave dhe kandidatit për deputet të “Shqipëria bëhet”, djalit të mikut tim të çmuar, Gent Kames, që të mos e postosh (po vendos dhe mesazhin për të dhe premtimin e tij) por juve, duket e kishit të nevojshme, një shashkë propagandistike për 22 dhjetorin…

Duke e shoqëruar foton me komentin “erdhi na takoi dhe na dha energji pozitive" më bën përkrahës e simpatizant të partisë e lëvizjes tënde, “Shqipëria bëhet”, gjë që as më ka shkuar ndonjëherë ndërmend, pasi, sipas meje, Shqipëria, vërtet do bëhet, emancipohet, modernizohet, europianizohet, por, VETËM me ata, kundër të cilëve ju, po luftoni me çdo mjet e mënyrë.

Me postimin tënd më ke sjellë mjaft armiqësi, qejfmbetje dhe komente negative, për të cilat nuk kisha nevojë. Po, nuk është hera e parë që dal i zhgënjyer nga miqësitë e rrugës…" shkruan Zhusti.