DURRËS - Debati për shatërvanin që gjendet në sheshin para Bashkisë së Durrësit është rikthyer edhe një herë në këshillin bashkiak të Durrësit. Në mbledhjen e djeshme kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka deklaruar se shatërvani nuk do të prishet, por do të zhvendoset në një vend tjetër, për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit për rivitalizimin e sheshit Liria i cili ka nisur të realizohet 1 muaj me parë.
 
 
Vendimin e bashkisë e kanë kundërshtuar këshilltarët e djathtë. Këshilltari i partisë demokratike Pëllumb Berisha është shprehur kundër këtij vendimi duke deklaruar se kryetari i bashkisë nuk mund të vendosë me një të rënë të lapsit, por duhet të marrë parasysh edhe kërkesat e qytetarëve që janë kundër largimit të shatërvanit.
 
 
Një grup qytetarësh të Durrësit nisën para dy javësh mbledhjen e firmave për nënshkrimin e një peticioni ku i kërkojnë bashkisë që shatërvani 85 vjeçar para bashkisë të mos largohet nga ky vend.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)