TIRANË, 8 Janar /ATSH/- Zhvillimi i bujqësisë në çdo zonë të vendit, duke u mbështetur në traditat dhe ofertat e çdo rajoni, vlerësohen nga ekspertët e bujqësisë si faktor në nxitjen e konkurrueshmërisë së këtij sektori.
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, u shpreh për mediat ditët e fundit se, politikat e dikasterit që ai drejton po orientohen kryesisht për të larguar bujqësinë e 'malit' dhe të mbijetesës, në një bujqësi konkurrente.
"Po punojmë për zhvillimin bujqësor në çdo zonë, duke mbështetur traditat dhe ofertat në çdo rajon", tha Panariti.
Rikthimi i shijes së prodhimeve shqiptare, si vera e Kallmetit, djathi i Lunxhërisë, apo konjaku Skënderbe, që kanë qënë marka të njohura, jo vetëm për tregun vendas por dhe atë të huaj, do të stimulohen nga politikat mbështetëse të ministrisë, si rruga e duhur që kërkohet të ndjekë ky sektor për të konkurruar në treg.
Sfidat e së ardhmes për ministrinë e Bujqësisë janë përqendruar në bërjen e fermerëve dhe të agrobizneseve shqiptare më konkurues në tregjet e brendshme dhe të eksportit, përmes teknikave të përparuara, kontrollit të cilësisë, marketingut dhe ambalazhimit. Ndërkohë që prioritet edhe në subvencionin e fermerëve për vitin 2015 i është dhënë asistencës teknike për prodhues në sektorin e bujqësisë për shtimin e prodhimit të produkteve me vlerë të madhe dhe për mbështetjen e konkurrencës tregtare në bujqësi. e,xh//m.m/