Lezha është kthyer në epiqendrën e mundësve më të mire nga e gjithë Shqipëria këtë fundjave. Në këtë qytet u zhvillua kampionati kombëtar i mundjes për të rritur, me pjesëmarrjen e 14 ekipeve nga i gjithë vendi dhe dhjetëra sportisteve.
Trajneri i ekipit të Besëlidhjes në Mundje Altin Shtjefni thotë se ky është aktiviteti më i rëndësishëm që zhvillohet në Lezhë në këto 30 vite.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes Sahit Prizreni thotë se ky kampionat do të përcaktojë sportistet që do të përfaqësohen në garat e ardhshme ndërkombëtare, ndaj dhe rivaliteti është mjaft i fortë.
Në stilin e lirë vendin e parë e zuri ekipi i Tiranës me 220 pikë, të dytën Teuta me 175 pikë dhe vendin e tretë Jonas Wrestling me 147 pikë. Edhe në Greko-Roman Tirana u shpall kampion me 210 pikë, ndërsa vendin e dytë dhe të tretë e morën Besëlidhja me 127 pikë dhe Tirana B me 55 pikë.
Pjesë e këtij kampionati kombëtar të Mundjes që u zhvillua në Lezhë ishin edhe sportistet femra, ku kampion në peshën 53 kg u shpall Marina Jaku, për peshën 57 kg zunë vend të parë dhe të dytë Esmeralda Nela dhe Melisa Xhika, për peshën 59 kg Celestina Gjuraj dhe për peshën 68 kg Albina Drazhi dhe Kleona Shabani.