TIRANE- Shqipëria si një vend që aspiron aderimin në Bashkimin Europian, kërkon implementimin e praktikave më të mira sipas standardeve europiane për sigurinë e jetës në punë. Pikërisht këtij qëllimi i shërbeu dhe takimi dy ditor i organizuar këto ditë nga Fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Ilabs, “International Laboratory for Safety and Development of Work” që përuruan punimet e “WorkInLab”, seminarit të parë ndërkombëtar për kursin e parë formues për përhapjen e kulturës së mbrojtjes dhe sigurisë në punë.
 
Punimet u zhvilluan, në Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, nën logon e një seminari ndërkombëtar ku përshëndetën punimet Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Atë Daniele Bertoldi, President i Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”, si dhe Profesorë italiane nga Universiteti i Barit “Aldo Moro” dhe Sadi Vorpsi, Prefekt i Tiranës.
 
Ministri Veliaj, në fjalën e mbajtur në këtë konferencë u shpreh se, në prioritet të dikasterit që ai drejton është siguria dhe jeta e njerezve në punë. Në këtë konteks tha ai, Ministria po harton draft strategjinë e re 2014, për sigurinë e jetës në pune duke u mbështetur në eksperiencat dhe praktikat më të mira europiane vecanërisht të fqinjëve tanë italianë që njihen për ligje dhe standarte të larta të sigurisë së jetës në punë. Duke vlerësuar organizimin e këtij eventit që ka në fokus edukimin e biznesit në rritjen e përgjegjshmërisë për sigurin e jetës në punë, Velia tha se ky bashkëpunim me LABS do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
 
Francesco Pantaleo, President i LABS në një prononcim për ATSH-në, u shpreh se “Shëndeti dhe siguria në punë përcaktojnë tashmë një kuadër të privilegjuar ndërhyrjesh institucionale në nivele të ndryshme (ndërkombëtare, evropiane, shtetërore ) dhe njëkohësisht përfaqësojnë një temë, e cila gjithnjë e më shumë, ndërthur kompetenca të shumëfishta tekniko-shkencore që tërheqin interesa të ndryshme, shoqërore, ekonomike dhe kulturore . Sipas tij angazhimi i te gjitha ketyre strukturave, pritet te sjelle përmirësime konkrete të kushteve të punës dhe një pakësim të aksidenteve në punë dhe të sëmundjeve profesionale.
 
Për këtë qëllim sipas tij, është e nevojshme që krahas një normative me karakter kushtëzues, të përdoren një sërë instrumentesh, ndër të tjera, si dialogu social, fushatat e informimit dhe ato të ndërgjegjësimit, shkëmbimi i praktikave të mira, përgjegjësia shoqërore e sipërmarrjes,përfshirja dhe konsultimi me fuqinë punëtore, nxitja ekonomike dhe, më në përgjithësi, çdo nismë e mundur që ka si qëllim përhapjen më të gjerë të kulturës së shëndetit dhe të sigurisë në punë. Pikërisht në këtë këndvështrim, është konceptuar edhe organizimi i ketij eventi, në shtjellimet e saj të veçanta dhe të ndërlidhura.
 
Ndërsa Luigi Triggiani Drejtor i Uniocamere Puglia Tiranë,vuri theksin në faktin se jeta është më e cmuar se gjithcka dhe me kete lajmotiv synojmë, në mënyrë tepër modeste, por edhe shumë realiste, të japim një ndihmesë të mëtejshme jo për të eliminuar por, për të ulur përqindjen e lartë të të dëmtuarve dhe aksidentuarve në pune. Sipas tij, është e nevojshme të sensibilizohen për këtë qëllim subjektet e ndryshme, të anëtarësuara në shoqata, publike apo private, për të zbatuar masa të nevojshme për të rritur nivelin e mirëqënies shoqërore dhe ekonomike si të Shqipërisë ashtu edhe të vendeve të tjera të zonës ballkanike.
 
Gianfranco Giordano, President i shoqërisë “Aziende in Sicurezza”, u shpreh per median se, duhet forcuar bindja për të krijuar një aktivitet pune të shëndetshëm dhe të sigurtë për të rritur në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e jetës së secilit prej nesh.
 
Në ditën e dytë të punimeve të këtij eventi i pari në llojin e vet që organizohet në vendin tonë, u vijua me kursin e formimit WorkInLab “Puna, Shëndeti e Siguria”, që i drejtohej të punësuarve të Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Paneli me të ftuar elitar nga fusha të ndryshme të jetës social ekonomike dhe politikave shoqërore evidentoi në qendër të dy ditëve të punimeve temën e sigurisë në punë si vlerë, në kuptimin etik dhe ekonomik, për punonjësit, sipërmarrjet, dhe për kolektivitetin.
 
Seminari dhe Kursi i Formimi, nxiti një balafaqim në nivele të ndryshme dhe për më tepër, synoi të rrisë aftësitë që i përkasin burimeve njerezore, duke ndihmuar kështu rritjen e mirëqënies socio-economike, në përputhje me objektivat dhe standardet europiane.
 
Këto evente realizohen në bashkepunim me Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Università degli Studi di Bari “Aldo Moro” në partnership me “Aziende in Sicurezza” dhe Unioncamere Puglia – Selia Tiranë dhe mbi 20 sipërmarrje të huaja dhe shqiptare ushtrojnë aktivitet në vendin tonë.
 
Në kuadër të këtij aktiviteti me temë “Pun,a shëndeti dhe siguria”, Drejtues të Fondacionit I-LAB si dhe profesorët e ftuar zhvilluan një takim me Prefektin e Tiranës Sadi Vorpsi dhe Shefin e Emergjencave civile Klajdi Nikolla, ku diskutuan mbi bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e mbrojtjes në punë.
 
Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)