Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë këtë mbrëmje edhe pyjet e Fushë Arrëzit. Mësohet se zjarri ka rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha pranë rrugës së Krrabit në orët e mbrëmjes, ndërsa dyshohet të jetë i qëllimshëm.
Shërbimet zjarrfikëse të Fushë Arrëzit kanë mbërritur pranë vatrës së zjarrit dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Raportohet se flakët janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje pishe. Fatmirësisht nga flakët nuk rrezikohen banesa.
Nga veriu në jug, vendi ndodhet në një situatë shumë të vështirë si pasojë e zjarreve, ku aktive janë 9 vatra zjarri. Karaburuni digjet prej ditësh tashmë, ku as ndërhyrja nga ajri prej 3 ditësh nuk ka mundur të vërë nën kontroll flakët. Edhe më e rendë paraqitet situata në Gjirokastër, ku një person humbi jetën në fshatin Asim Zenel dhe dy të tjerë mbetën të plagosur, përfshirë edhe ushtarin e FA. Zjarret rrethuan tre fshatrat Asim Zenel, Krinë dhe Arshi Lengo, ndërsa Ministria e Mbrojtjes dha urdhrin për evakuim.