33 vatra zjarri janë raportuar në 24 orët e fundit në vend, 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive ndërsa 5 po mbahen në monitorim, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Vatra kryesore mbetet ajo në Gurë-Lurë të Dibrës, ku vijon ndërhyrja e forcave tokësore, e mbështetur nga dy avionë Air Tractor. Janë angazhuar për shuarjen e këtyre vatrave 115 forca bashkiake, 13 policore, 50 efektivë të Forcave të Armatosura.
Zjarre aktive raportohen edhe në Malin e Dajtit, në Qafë Helmës e Bruç, si dhe në Lufaj të Mirditës dhe Fushë-Lajë të Pukës. Në të gjitha këto zona, autoritetet thonë se nuk ka rrezik për banesat, ndërsa disa vatra vijojnë të monitorohen.
Në operacione janë angazhuar 535 forca dhe 51 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura po mbështesin ndërhyrjen me 120 efektivë, dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Mali i Dajtit, Tiranë – vijon puna me 15 efektivë të MZSH, 10 forca të ADZM, 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Vakumone janë nën kontroll dhe po monitorohen.
Gurë-Lurë, Dibër – vijon një angazhim i gjerë me 115 forca bashkiake, 13 policore, 11 ADZM, 14 efektivë MZSH, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qafë Helmës dhe Bruç – puna vijon në terren të vështirë; nga krahu i Bulqizës zjarri në Qafë Helmës është fikur dhe mbetet aktiv vetëm drejt Selishtës. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Lufaj, Mirditë – vijon puna e forcave operacionale pas hapjes së korridoreve ndarëse, me mbështetje edhe nga 1 helikopter i Forcës Ajrore.
Fushë-Lajë, Pukë – në operacion janë 10 efektivë zjarrfikës, 16 forca bashkiake dhe 40 efektivë të FA. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Rrjoll, situata monitorohet nga afër edhe me dron dhe po ashtu nuk ka rrezik për banesat.
Ndërkohë një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një zonë kodrinore në fshatin Qishbardhë, në Vlorë mbrëmjen e së dielës. Fatmirësisht mëngjesin e sotëm flakët janë vënë nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse. Natën e kaluar era e fortë favorizoi përhapjen e flakëve, ndërsa ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ishte pamundur për shkak të terrenit të thyer dhe errësirës.
Lajm në përditësim…








Komente
Komento