VIDEO/ Zjarr në Ishullin e Sazanit, flakët rrezikojnë shpërthimin e municioneve luftarake! Dy helikopterët Cougar ende në servis, forcat e ushtrisë punojnë me mjete primitive për shuarjen e flakëve

VLORË- Në një kohë kur vendi është përfshirë nga temperatura të larta dhe është rritur ndjeshëm edhe rreziku i zjarreve, ashtu si verën e kaluar, strukturat vendore dhe qendrore, gjenden sërish të papërgatitura për të vënë nën kontroll flakët.

Në ishullin e Sazanit që prej mesditës së sotme, flakët po shkrumbojnë bimësi dhe pisha, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe të ushtrisë po punojnë me mjete primitive si lopata e degë peme, për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Në terren janë angazhuar mbi 90 efektivë të ushtrisë dhe forca të Zonave të Mbrojtura, të cilët po hasin vështirësi, në fikjen e flakëve, për shkak të terrenit dhe bimësisë së dendur. Ndërsa dy helikopterët Cougar të ushtrisë shqiptare, të cilët mund të përdoreshin për të shuar flakët nga ajri, edhe këtë verë ndodhen ende në servis.

Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se pjesa lindore e ishullit dhe vendi i quajtur ‘Plazhi i Gjeneralit’ ka marrë flakë duke djegur pisha që arrijnë deri 20 m të larta dhe shkurre, ndërsa flakët kanë dalë jashtë kontrollit. Nga ana tjetër ministria e Mbrojtjes ngre alarmin se si një ish-repart ushtarak, në ishull rrezik paraqesin dhe municionet e pashpërthyera.

Lidhur me situatën e zjarrit, ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta, i cili bën thirrje që strukturat vendore dhe qendrore të angazhohen për lokalizimin dhe fikjen e zjarreve dhe mos të rrezikojë që të përsëritet, situata si në verën e kaluar.

Kjo është hera e dyta brenda pak ditësh që ishulli i Sazanit përfshihet nga flakët. Vetëm dy ditë më parë, disa shkurre e ferra u dogjën, ndërsa u desh ndërhyrja e forcave të ushtrisë dhe më anije që të izoloheshin flakët.

Ishulli i Sazanit është zonë e mbrojtur, ndërsa nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:15
Zjarri në Sazan, Çako për Report Tv: Është izoluar një pjesë! Nëse situata do të prevalojë, do kërkojmë ndihmën e fqinjëve për ndërhyrjen nga ajri

 

Shefi i Emergjencave Civile, Haki Çako në një intervistë për Report Tv tha se është izoluar një pjesë e zjarrit në ishullin e Sazanit. Çako tha se terreni është i vështirë dhe se po mobilizohen kapacitetet për të bërë shuarjen e flakëve. Çako tha se në rast se situata prevalon, ato do të kërkojnë ndihmën e shteteve fqinje, por po punohet që të vihet në kontroll nga forca tona.

‘Ka rreth katër ditë që është shfaqur një vatër zjarri. Është lokalizuar vatra e zjarrit është nën kontroll dhe për shkak të erërave është rishfaqur. Ka disa orë ku janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të shuar flakët. Është një terren shumë i vështirë, është izoluar një pjesë e konsiderueshme e vatrave të zjarrit. Ne jemi në vlerësim të situatës. Do të mobilizojmë kapacitete tona. Nëse situata do të prevalojë do të kërkojmë ndihmë nga fqinjët. Shpresojmë të vihet në kontroll nga forcat tona.’- tha Çako.

Ora 21:45
Me lopata dhe pa asnjë masë mbrojtëse, forcat e ushtrisë dhe zonave pyjore ‘luftojnë’ me flakët në ishullin e Sazanit

 

Pa asnjë masë mbrojtëse dhe me lopata, zjarrfikësit e Vlorës, forcat e ushtrisë dhe punonjësit e Zonave të Mbrojtura Pyjore po punojnë për të shuar flakët, që prej orëve të mesditës. Siç shihet nga pamjet, punonjësit shihen duke ‘luftuar’ për të shuar flakët me mjete rrethanore. Një tjetër rrezik që mund të hasen, është edhe se zona ka qenë ish-repart ushtarak dhe mund të ketë shpërthime municionesh.

Ora 21:05
Zjarri në ishullin e Sazanit, Ministria e Mbrojtjes: Si ish-repart ushtarak ka rrezik nga municionet e pashpërthyera

Ministria e Mbrojtjes thotë se terreni dhe bimësia e dendur po pengojnë ndërhyrjen e trupave ushtarake për të shuar zjarrin. Si një ish-repart ushtarak njofton ministria e Mbrojtjes, rrezik paraqesin dhe municionet e pashpërthyera.

‘Si pasojë e riaktivizimit të vatrës së zjarrit në zonën jugore të ishullit të Sazanit, që prej mesditës së të dielës, 61 efektivë të Forcës Detare dhe asaj Tokësore, por edhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe forcat zjarrfikëse të Vlorës janë angazhuar për shuarjen e flakëve në ishull.

Terreni dhe bimësia e dendur kanë vështirësuar tej mase ndërhyrjen e trupave, ndërkohë që si një ish-repart ushtarak, rrezik paraqesin dhe municionet e pashpërthyera. Trupat në terren vazhdojnë përpjekjet edhe gjatë orëve të pasdites, ndërkohë që janë marrë masa për zëvendësimin dhe shtimin e tyre.’- njofton ministria e Mbrojtjes.

 

Ora 20:10
Zjarri në Ishullin e Sazanit, reagon Meta: Meta: Të angazhohet edhe flota ajrore! Vera do të jetë e nxehtë, të mos përsëritet situata e vitit të kaluar

1653926014_meta.jpg

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me përhapjen e vatrës së zjarrit në ishullin e Sazanit. Meta bën thirrje për vënien në gadishmëri të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkive në të gjithë Shqipërinë, për mbrojten civile, sidomos për angazhimin e flotës ajrore, për ndërhyrjen nga ajri.

Në reagimin tij, kreu i shtetit thekson se nxit strukturat e pushtetit vendor për shtimin e vrojtuesve për të informuar në kohë dhe mbajtjen në gadishmëri të strukturave operacionale, për ndërhyrje të menjëhershme në përballimin e situatave të zjarrit gjatë muajve të verës.

‘Po ndjek me vëmendje situatën e përhapjes së zjarreve në zonën e Vlorës, veçanërisht në Ishullin e Sazanit.

Me qëllim parandalimin e përhapjes së vatrave të zjarrit, që të mos përsëritet situata si në verën e kaluar, kërkoj angazhimin e plotë të strukturave vendore dhe qendrore për lokalizimin dhe fikjen e tyre në kohë sa më të shkurtër.

Duke vlerësuar parashikimet e Institutit të Gjeoshkencës për një verë të nxehtë, me temperatura shumë të larta, bëj thirrje për vënien në gadishmëri të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkive në të gjithë Shqipërinë, për mbrojten civile, sidomos për angazhimin e flotës ajrore, për ndërhyrjen nga ajri për fikjen e vatrave të zjarrit në zona ku është e pamundur ndërhyrja në rrugë tokësore, siç është rasti i Ishullit të Sazanit.

Njëherazi i nxis strukturat e pushtetit vendor për shtimin e vrojtuesve për të informuar në kohë dhe mbajtjen në gadishmëri të strukturave operacionale, për ndërhyrje të menjëhershme në përballimin e situatave të zjarrit gjatë muajve të verës.

I ftoj të gjithë qytetarët për të kontribuar me informacione të shpejta në të gjithë territorin e vendit për çdo rast zjarri të konstatuar, në mënyrë që strukturat përgjegjëse të angazhohen në kohën e duhur për izolimin dhe shuarjen e tyre.’- shkruan Meta.

Ora 19:20
Ishulli i Sazanit nën flakë, dy helikopterët Cougar ende në servis edhe këtë verë

Ishulli i Sazanit është përfshirë nga një zjarr i përmasave të mëdha që prej mesditës, ndërsa punonjësit e ushtrisë dhe forcat zjarrfikëse po punojnë me mjete rrethanore. Burime për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta nga Ministria e Mbrojtes, bëjnë me dije se dy helikopterët Cougar të ushtrisë shqiptare edhe këtë verë ndodhen ende në servis.

Ora 18:19
Zjarri në ishullin e Sazanit, reagon ministri i Mbrojtjes: 61 efektivë të Forcës Detare dhe Tokësore po punojnë me zjarrfikësit e Vlorës për shuarjen e flakëve

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka reaguar pas zjarrit që ka përfshirë ishullin e Sazanit, mesditën e sotme. Peleshi shkruan se 61 efektivë të Forcës Detare dhe Tokësore po punojnë bashkë më zjarrfikësit e Vlorës që të shuajnë flakët.

‘Që prej mesditës, 61 efektivë, kryesisht të Forcës Detare dhe forcat e gatshme të Forcës Tokësore, së bashku me zjarrfikës të Vlorës, po punojnë për shuarjen e zjarrit të rënë në Ishullin e Sazanit. Përpjekjet maskimale vijojnë në kushte tepër të vështira ku terreni dhe bimësia vështirësojnë fikjen e zjarrit.’- njofton ministri i Mbrojtjes.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë