SHKODËR – Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë Malin e Taraboshit pranë zonës së antenave të televizioneve dhe të telefonive celulare. Zjarri ka filluar rreth orë 19:00 në zonën e Oblikës por si rrjedhojë e erës ai ka përparuar duke mbërritur tek antenat e Taraboshit.
 
Kanë qenë punëtorët e mirëmbajtjes së antenave të cilët kanë lajmëruar forcat zjarrfikëse për zjarrin që ka rënë në Malin e Taraboshit.
 
Dyshohet se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, ku banorë të zonës mund të kenë ndezur flakë për hapjen e tokave dhe si pasojë e erës zjarri ka dalë nga kontrolli.
 
Forcat zjarrfikëse dhe efektivë të policisë kanë mbërritur në vendngjarje për të vënë nën kontroll flakët e zjarrit por si rrjedhojë e relievit të thyer, shuarja e tyre po vështirësohet së tepërmi teksa era punon kundër tyre. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)