3 vatra janë aktivizuar në pyjet dhe bimësinë e Pogradecit pranë kodrave të kalasë së qytetit.
Sipërfaqja e djegur është e konsiderueshme dhe aktualisht zjarri ka përfshirë pisha dhe shkurre.
Zjarrfikëset ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve. Paraprakisht dyshohet se zjarri është i qëllimshëm.
Ndërkohë, prej dy ditësh flakët vijojnë të djegin pyllin në fshatin Osnat. Flakët janë përhapur masavisht, ndërsa në terren janë angazhuar zjarrfikësit, punonjës të pyjores e punëtorë shërbimesh që po punojnë për shuarjen e flakëve.
Një vatër zjarri masive prej 2 ditësh ka përfshirë një sipërfaqe pylli në fshatin Osnat, njësia Dardhas, në zonën e quajtur Qafë Panjë në Pogradec. Prej dy ditësh punonjës të pyjores, zjarrfikës dhe punëtorë shërbimesh po punojnë për fikjen e vatrës së zjarrit. Këtë pasdite është arritur të izolohet një pjesë e tij, por vatra e zjarrit vijon të jetë aktive.