Pasditen e kësaj të hëne disa fshatra të Finiqit dhe Delvinës u përballën me një situatë të vështirë nga zjarret.
Flakët që fillimisht u shfaqën në pjesën kodrinore të Matomares u përhapën me shpejtësi pranë zonave të banuara duke rrezikuar shtëpitë.
Më kritike situata u paraqit në fshatin Kostar dhe Mesopotam, ku flakët hynë edhe në oborret e banesave.
I rrezikuar ishte dhe fshati Vllahat, ku forcat zjarrfikëse u stacionuar pranë shtëpive. Në terren forcat e policisë u angazhuan për evakuimin e banorëve.
Për normalizimin e situatës, 3 helikopterë “Cougar” të Forcës Ajrore ndërhynë nga ajri për shuarjen e flakëve.
Për Report Tv, nënkryetari i Bashkisë së Finiqit, Jani Harizi, tha se pas 6 orësh situata u vendos nën kontroll.
“Gjendja është nën kontroll. Fillimi i zjarrit ka qenë shumë intensiv dhe angazhimi i zjarrfikëses së Finiqit, Sarandës dhe Konispolit ka qenë i menjëhershëm. Edhe ndërhyrja e ushtrisë me 3 helikopterë”, tha mes të tjerash nënkryetari i Bashkisë së Finiqit, Jani Harizi.
Operacionin për fikjen e zjarrit e ndoqi nga afër edhe prefektja e Vlorës, Elvis Allushi. Ajo tha se fshati Kostar rrezikohej më shumë nga flakët, ndërsa banorët e evakuuar po rikthehen në banesa.
“Ditën e sotme kemi pasur një situatë aspak të lehtë në bashkitë Delvinë dhe Finiq. Ishte një situatë që na shqetësoi të gjithëve. Kemi pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm të bashkisë Finiq. Jemi në një menaxhim të mirë të situatës dhe mund të themi situata është e qetë. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi qenë në koordinim të vazhdueshëm me bashkitë, për të sensibilizuar banorët. Banorët po kthehen në banesat e tyre. Masat kundër zjarreve nga ana e Prefekturës së Vlorës kanë filluar që në muajt shkurt, mars, në të gjitha bashkitë e qarkut të Vlorës. Nuk do përsëritet më situata e zjarreve të vitit të kaluar”, tha prefektja e qarkut Vlorë.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, u bëri thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo veprim që mund të krijojë rrezik shtesë. Pas disa orësh situata u vu nën kontroll, teksa forcat zjarrfikëse janë dislokuar në mbrojtje të avancimit të zjarrit në zona të banuar.
Një zjarr përfshiu pasdite edhe një sipërfaqe me shkurre e barishte një zonë kodrinore në fshatin Opar të Maliqit. Në vendngjarje u nisën zjarrfikëset për izolimin e vatrës, me synim pengimin për të rrezikuar zonat e banuara.
Një tjetër zjarr me përmasa të mëdha ra edhe në Hekal të Ballshit, flakët e të cilit u favorizuan nga era e fortë shkrumbuan mbi 10 hektarë me ullishte dhe shkurre.
Flakët rrezikuan banesat dhe puset e naftës, rreth 100 metra afër, por falë ndërhyrjes së 6 mjeteve zjarrfikëse të Ballshit, Patosit, Roskovecit e Albpetrolit, u izolua.
Ndërkohë, prej 6 ditësh zjarri në masivin pyjor në Dardhë të Librazhdit vijon të jetë aktiv, ndihmuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta.
Zjarrfikësit e Librazhdit dhe Mbrojtja Civile po hasin vështirësi prej terrenit të thyer malor.
Fatmirësisht, deri tani nuk raportohen të lënduar apo banesa të rrezikuara, vatra ndodhet larg zonave të banuara.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas vënies nën kontroll të zjarrit që përfshiu ditën e sotme disa fshatra të bashkive Delvinë de Finiq.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ku ka publikuar edhe pamje nga aksioni për shuarjen e flakëve, Nufi është shprehur se pilotët e Forcave të Armatosura, me ndërhyrjen e 3 helikopterëve njëkohësisht, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për vënien e situatës nën kontroll.
Reagimi i ministrit Ermal Nufi:
Punë e jashtëzakonshme e pilotëve të Forcave Ajrore me ndërhyrjen e 3 helikopterëve njëkohësisht dhe të gjithë efektivëve të angazhuar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit në territorin e bashkive Delvinë dhe Finiq.
Në koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe punës së palodhur të Forcave të Armatosura, si dhe bashkërendimit të strukturave vendore dhe qendrore, situata është vënë nën kontroll.
Çdo ndërhyrje, çdo fluturim, çdo minutë ka një mision: të mbrojmë jetën, banesat dhe natyrën.
Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv, pilot, zjarrfikës dhe pjesëtar të Forcave të Armatosura që, me profesionalizëm, guxim dhe përkushtim, ishin dhe vazhdojnë të jenë në vijën e parë të këtij operacioni.

Një vatër zjarri ka rënë në fshatin Opar të njësisë administrative të Moglicës. 2 banesa të pabanuara janë përfshirë nga flakët ndërsa zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe barishte.
Mësohet se në vendngjarje janë forcat zjarrfikëse që po përpiqen të izolojnë vatrën dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve në zonat përreth.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar për situatën e vështirë me të cilën po përballen disa fshatra të Finiqit, pas zjarrit të rëndë ditën e sotme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari ka publikuar pamje nga evakuimi i banorëve të zonave të prekura nga flakët dhe ka theksuar se strukturat shtetërore janë në terren për sigurimin e jetës së qytetarëve.
Lamallari i ka bërë thirrje banorëve që të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo veprim që mund të krijojë rrezik shtesë.
Reagimi i Lamallarit:
Prej orësh po përballemi me një situatë të vështirë nga zjarret në disa fshatra të Delvinës dhe Finiqit. Të gjitha strukturat tona janë në terren dhe operacioni vijon pa ndërprerje, si nga toka ashtu edhe nga ajri, me angazhimin e forcave të shumta zjarrfikëse, të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, shërbimeve vendore dhe 3 helikopterëve
Prioriteti ynë absolut është mbrojtja e jetës së qytetarëve, e banesave dhe e çdo pasurie të rrezikuar.
Ju bëjmë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo veprim që mund të krijojë rrezik shtesë.
Report Tv sjell pamjet me dron nga zjarret që kanë përfshirë fshatrat e Finiqit. Situata më kritike paraqitet në Kostar ku flakët janë pranë oborreve të banesave, siç duket edhe në pamje. Situatë e vështirë edhe në Mesopotam, ku po punohet për shuarjen e flakëve.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mesditën e sotme në afërsi të fshatit Hekal, pranë vendit të quajtur “Qafa e Vidhit” në Mallakastër.
Flakët, të favorizuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe mbi 10 hektarë me ullishte dhe shkurre.
Zjarri u afrua rreth 100 metra pranë banesave dhe puseve të naftës në zonë, por fatmirësisht nuk i përfshiu ato.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë 6 mjete zjarrfikëse të Ballshit, Patosit, Roskovecit dhe Albpetrolit, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve.
Dy helikopterë janë angazhuar për shuarjen e zjarrit në Kostar të Finiqit. Flakët, siç shihet edhe nga pamjet rrezikojnë banesat.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga qeveria për vatrën e zjarrit të aktivizuar në zonën e Matomares, në Bashkinë Finiq, e cila po përhapet drejt Mesopotamit dhe fshatrave të Bashkisë Delvinë.
Ajo i bëri thirrje autoriteteve të shtojnë forcat në terren, të angazhojnë Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura, si edhe të kërkojnë ndihmë ndërkombëtare për ndërhyrje ajrore nëse është e nevojshme, ndërsa paralajmëroi se çdo vonesë rrezikon të përsërisë fatkeqësine e zjarreve të vitit të kaluar në Delvinë.
Reagimi i Ina Zhupës:
Një vatër e rrezikshme zjarri është aktivizuar paraditen e sotme në zonën e Matomares, në territorin e Bashkisë Finiq. Flakët po avancojnë në drejtim të Mesopotamit dhe po përhapen edhe drejt fshatrave të Bashkisë Delvinë.
Forcat vendore kanë ndërhyrë që në orët e para, por zjarri nuk është vënë ende nën kontroll. Në këto kushte, qeverisja qendrore duhet të reagojë menjëherë me të gjitha kapacitetet e saj. Duhet të shtohen forcat zjarrfikëse, të angazhohen strukturat e Emergjencave Civile, Forcat e Armatosura dhe, nëse është e nevojshme, të kërkohet menjëherë ndihmë ndërkombëtare për ndërhyrje ajrore.
E dimë mirë se avionët e shuarjes se zjarrit të premtuar nga Edi Rama çdo vit dhe medemek të blera vjet nga Pirro Vengu nuk ekzistojnë. Prandaj, mos humbni kohë po ndërhyni me të gjitha mjetet që keni. Çdo minutë vonesë i jep përparësi flakëve.
Nuk duhet të lejojmë që të përsëritet fatkeqësia e vitit të kaluar në Delvinë, ku mijëra hektarë u dogjën me pasoja të rënda për banorët, ekonominë dhe mjedisin që i vuajnë ende.
Prej gjashtë ditësh, zjarri që ka përfshirë masivin pyjor të fshatit Dardhë, në Bashkinë e Librazhdit, vijon të mbetet aktiv, ndërsa përpjekjet për shuarjen e flakëve po hasin vështirësi për shkak të terrenit të thyer malor, erës së fortë dhe temperaturave të larta.
Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Librazhdit, të mbështetura nga strukturat e Emergjencave Civile, të cilat po punojnë për izolimin e vatrave aktive dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Fatmirësisht, deri tani nuk raportohen persona të lënduar apo banesa të rrezikuara, pasi vatra ndodhet larg zonave të banuara. Megjithatë, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.
-
Lum ne per sulltanin qe kemi. Na kenaq me muzike 4 milionshe dhe nga ana tjeter duke kenduar do fikim flaket me lopata
Përgjigju -
Zonja Zhupa keni te drejte te beni aperti por si nuk that nje here qe personat e pa pergjegjeshem te denohen apo te gjinden sa me shpejte qe te jete e mundur duke i bere shembull ne decime, qe te mis vazhdohet keshtu me zjarrvenie. Po si nuk ra ,jarr ne kohen e xhaxhit,apo frika ruan vreshtin seu denoje ne ate kohe
Përgjigju










Komente
Komento