21 vatra zjarri janë shënuar në 24 orët e fundit në të gjithë vendin, ndërsa deri në orën 14:00 të kësaj të diele, 7 vatra mbeten aktive dhe 8 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Gjatë orëve të drekës, zjarri në zonën e Pishë Poros, pranë grykëderdhjes së Vjosës, është riaktivizuar sërish. Edhe mbi Palasë, në malin e Çikës zjarri vijon në terren të thepisur dhe të paaksesueshëm. Në të dy zonat po punohet me 2 avionët “Air Tractor” për shuarjen e flakëve.
Në Krastë të Krujës zjarrfikësit po luftojnë me flakët të cilat janë ndezur në 5 vatra. Flakët po përhapen të favorizuara nga era, ndërsa në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Krujës, me mbështetje nga Kamza dhe Vora, ndërsa po ndërhyhet nga ajri me 1 helikopter. Ministria e Mbrojtjes thotë se kjo është aktualisht zona ku është përqendruar vëmendja kryesore, pasi zjarri paraqitet me intensitet dhe pranë zonave të banuara.
Problematike situata paraqitet në Pukë, ku vijojnë të digjen sipërfaqe pyjesh, por nuk ka rrezik për banesat. Ndërkohë, situata në Gojan–Gjegjan është përmirësuar ndjeshëm, me vatrat të izoluara ose të fikura dhe nën mbikëqyrje.
Në dy vatrat e Mirditës, zjarri është aktiv por me intensitet të ulët, ndërsa në Tenë situata paraqitet e stabilizuar. Njëjtë si edhe në Dajt, ku po angazhohet edhe një helikopter për fikjen e plotë të flakëve dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë po sot, është riaktivizuar zjarri në dy vatra në pyll me pisha të dendura në Bulqizë.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet e sotme janë angazhuar 213 forca, 10 mjete zjarrfikëse, një ekskavator i rëndë, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Pesë vatra zjarri janë regjistruar njëkohësisht në disa pika në zonën e Krastës së Krujës. Flakët po përhapen të favorizuara nga era, ndërsa ndërhyrja për shuarjen e tyre po vijon si nga toka, ashtu edhe nga ajri.
Sipas të dhënave paraprake, momentalisht nuk rrezikohen banesa apo biznese. Vatrat e zjarrit ndodhen pranë zonës ku edhe ditët e fundit u regjistruan zjarre, ndërsa forcat operacionale vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Zjarri që ra ditën e djeshme në zonën e Pish poros, pranë grykëderdhjes së Vjosës, është riaktivizuar sërish. Flakët janë përhapur në zonën e prekur, ndërsa ka nisur ndërhyrja nga ajri për vënien nën kontroll të situatës.
Në operacion janë angazhuar dy avionë, të cilët po punojnë për shuarjen e flakëve. Terreni i vështirë dhe era po favorizojnë përhapjen e zjarrit, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e forcave nga toka.








Komente
Komento