Piromanët janë kthyer në një shqetësim në zonën e Mallakastrës, teksa vetëm gjatë këtij sezoni veror, flakët e zjarrit kanë shkrumbuar mbi 200 hektarë pyje. Banorët e zonës shprehin bindjen se zjarret janë të qëllimshme dhe bëhen kryesisht nga barinj për të hapur kullota të reja.

Ndërkohë burime pranë policisë së Mallakastrës pohojnë se vatrat e zjarrit bëhen edhe për të hapur parcela të reja për mbjelljen e Canabisit.

Kjo pistë mbetet ende për t’u vërtetuar, teksa jo të pakta kanë qenë rastet kur në pyjet e Mallakastrës janë zbuluar parcela me lëndë narkotike.
 
Ndonëse është shtator edhe gjatë ditës së sotme zonat kodrinore në Belishovë të Mallakastrës janë përfshirë nga flakët e zjarrit.

Erërat e forta dhe terreni i thyer malor kanë ndikuar në zgjerimin e vatrës së zjarrit, ndërsa zjarrfikëset e kanë të pamundur të mbërrijnë në vendngjarje.

Vatra e fundit e zjarrit deri tani ka shkrumbuar rreth 5 hektarë pyje, kryesisht dru ahu, ndërsa policia deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar për këto vatra zjarri.

Në mjaft fshatra banorët e zonës bëjnë vetë roje pranë zonave pyjore për të penguar Piromanet të finalizojnë misionet e tyre.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)