Zjarret në Greqi kanë krijuar një situatë mjaft problematike, por shqetësues mbetet edhe tymi i shpërndarë në atmosferë që tashmë që po thithet edhe nga ata që nuk janë në zonat e rrezikuara nga flakët. Mediat greke, teksa citojnë mjekun pneumolog, Panagiotis Bechrakis, shkruajnë se mikro-grimcat e tymit në ajër, mund të shkaktojnë edhe kancer nëse thithen për një kohë të gjatë, por edhe një sërë problemesh të tjera shëndetësore.
"Këto mikrogrimca të prodhuara nga zjarret në pyje janë shumë toksike dhe njerëzit duhet të mbrohen sa më shumë të jetë e mundur. Këto grimca kanë një diametër shumë të vogël dhe për pasojë mund të arrijnë shumë thellë në rrugët e frymëmarrjes, ku stimulojnë një mekanizëm inflamator, i cili prek të gjitha organet, duke filluar nga ato të frymëmarrjes, por edhe të qarkullimit të gjakut. Mund të bëhen shkak i problemeve koronare, aritmisë, hipertensionit dhe është vërtetuar se janë edhe kancerogjene", ka thënë ai.
Ai rekomandoi që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, në zonat ku nuk ka rrezik nga zjarret si dhe të tregohet kujdes i shtuar ndaj fëmijëve, pasi preken më shumë nga kjo ndotje e ajrit.
"Efekti i këtyre grimcave te fëmijët është më i madh dhe duhet t'i mbrojmë fëmijët sa më shumë të mundemi", ka theksuar mjeku.