SHBA- Flakët vazhdojnë të djegin dy zona të mëdha të Los Anxhelosit, Palisades dhe Eaton, ndërsa deri më tani është shkatërruar një zonë sa San Francisko. Gjashtë zjarre të njëkohshme kanë shkatërruar lagjet e Los Angeles County që nga e marta dhe tashmë numri i viktimave ka shkuar në 11.
Zjarri ka shkatërruar 10,000 struktura, ndërsa shifra totale pritet të rritet pasi zjarrfikësit do të kryejnë kontrolle shtëpi më shtëpi. Rreth 180 mijë persona janë evakuuar, ndërsa sipas Wall Street Journal dëmi arrin në rreth 50 miliardë dollarë.
Në mes të gjithë kësaj situate tragjike është shfaqur një fenomen shqetësues, pasi ka nga ata që plaçkitin rrënojat dhe shtëpitë e braktisura. Të paktën 20 persona janë arrestuar si të dyshuar për grabitje, ndërsa grabitësit kanë filluar të maskohen me uniformat e zjarrfikësve.
Së shpejti pritet të futet në fuqi shtetrrethimi, ndërkohë që ka banorë që po punësojnë sigurim privat për të ruajtur shtëpitë e tyre.
Kompania shumëkombëshe Walt Disney do të dhurojë 15 milionë dollarë për të kontribuar në përpjekjet për shuarjen e zjarreve, për të ndihmuar viktimat dhe për të rindërtuar qytetin e Los Anxhelosit të shkatërruar nga zjarret.
Me pamje nga ajri agjencia Reuters sjell pamjet apokaliptike mbi Los Anxhelos, teksa duket bilanci i tmerrshëm pas zjarreve.
I ashtuquajturi qyteti i engjëjve tashmë është si një vend ferri, ku gjithçka është bërë shkrumb e hi dhe vatrat e zjarrit ende vazhdojnë.
Po ashtu, pamjet satelitore që shihni në këtë video tregojnë si ka qenë zona dhe si është shndërruar tashmë në shkrumb e hi.
Shtëpia e aktorit të Hollivudit, Mel Gibson, është djegur deri në themel nga një zjarr në Los Anxhelos. Për këtë, aktori kritikoi guvernatorin Gavin Newsom.
Gibson tha se ndihej "i sëmurë" gjatë vizitës së tij në Austin, Teksas, ku ishte i ftuar në The Joe Rogan Experience, sepse ai e dinte se lagjja e tij ishte "në zjarr".
"Është disi shkatërruese, është emocionale," tha Gibson në Elizabeth Vargas Reports të NewsNation .
Në podcast me Rogan , Gibson kritikoi guvernatorin e Kalifornisë, duke thënë se Newsom pretendoi se ai "do të kujdesej për pyjet", por "nuk bëri asgjë".
"Unë mendoj se të gjitha dollarët tanë ta taksave ndoshta shkuan për xhelin e flokëve të Gavin," tha aktori.