Një total prej 27 vatrash zjarri janë raportuar në të gjithë Shqipërinë deri në orën 20:00, ndërsa 17 prej tyre janë shuar, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 8 vijojnë aktive.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 265 forca operacionale dhe 38 automjete zjarrfikëse, krahas 170 forcave ushtarake dhe 3 automjeteve të Forcave të Armatosura. Helikopterët e Forcës Ajrore kanë ndërhyrë në katër operacione, ndërsa vëmendja kryesore është përqendruar në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër.

Në Lezhë, një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu zonën e Kalivaçit, duke rrezikuar banesat. Për pasojë u dogjën 3 shtëpi të banuara dhe disa të pabanuara, ndërsa u bë evakuimi i banorëve. Në zonë pati edhe shpërthime, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga municione të pashpërthyera që gjenden në Kalivaç. Flakët u përhapën me shpejtësi në disa drejtime, të favorizuara edhe nga era e fortë.

Në terren ndodhen strukturat e emergjencave, shërbimet zjarrfikëse për të mbajtur nën kontroll situatën, ndërsa gjatë pasdites u ndërhy edhe me dy helikopterë të Forcave të Armatosura. 

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, vizitoi zonën e prekur nga flakët, duke thënë se zjarri u përhap me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duke u favorizuar edhe nga era e fortë. Ndreu shtoi se me ndërhyrjen nga toka dhe të 2 helikopterëve nga ajri, situata e flakëve në terren po përmirësohet.

"Zjarri tani po vihet nën kontroll, megjithëse ka vatra dhe ne po i ndjekim. Tani po shpërndahen edhe të gjitha forcat këmbësore që do shkojnë në disa vatra ku helikopteri ka bërë punën e vet. Dy helikopterë. Dhe besoj se pas gjithë asaj që ka ndodhur, situata do të vihet nën kontroll. Shpresoj që të jemi në një situatë për përmirësuar orë pas ore. Zjarri është përhapur shumë shpejtë, ka pasur një përhapje rrufe. Zjarri ka hyrë në banesa dhe ka bërë dëme më të mëdha”, tha mes të tjerash Ndreu.

Në qarkun e Dibrës vijojnë operacionet në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, ndërsa në zonat e Matit është ofruar edhe mbështetje ajrore, pa raportime për rrezik ndaj zonave të banuara.

Në Dajt është riaktivizuar një vatër zjarri, por pas angazhimit në terren të 60 forcave, aktualisht nuk paraqitet rrezik për banesat.

Ndërkohë, në Mnelë të Vogël në Vaun e Dejës intensiteti i zjarrit është ulur dhe rreziku për zonat e banuara është shmangur, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se vijon monitorimin dhe koordinimin e strukturave në terren, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:37
Lezhë/ Zjarri në Kalivaç shkrumbon gjithçka, Report Tv siguron pamjet! Banori i zonës: Shtëpia ime 3 katëshe është djegur plotësisht, kisha 5 frigoriferë brenda (VIDEO)

 

Report Tv ka siguruar pamje nga pasojat e zjarrit në Kalivaç të Lezhës, ku u dogjën edhe disa banesa.

Nga pamjet duket se gjithçka është bërë shkrumb e hi, përfshi edhe banesa të zonës, 3 prej të cilave të banuara, por për fat të mirë nuk është raportuar për persona të lënduar nga flakët.

Zef Boci, njëri prej pronarëve të një banese të djegur, ka deklaruar se dëmi material në shtëpinë e tij 3 katëshe është shumë i madh. Ai tha se i kishte të gjitha plaçkat brenda, përfshi edhe 5 frigoriferë, të cilët janë djegur.

“Unë kam qenë në Lezhë. Unë quhet Zef Boci. Jam banor i këtij fshati. Kam ikur ka një muaj me shtëpi kam shkuar në Lezhë. Dëmi këtu është mjaft i madh, sepse unë s’pata tërheq asnjë mall që këtu. Vetëm frigorifera kam pesë. Shtëpia është djegur komplet, 3 kate. Absolutisht as gjënë më të vogël nuk arrita të shpëtoja dot. S’mund të afroheshe. Shpërthente eterniti. Gjithçka është shkrumbuar”, tha banori i zonës, Zef Boci.

Ndërkohë një tjetër banor i zonës tha se arriti të nxirrte nga banesa e tij 3 bagëti, në mënyrë që të mos rrezikoheshin nga flakët, që kishin rrethuar lagjen. Ai tha se kishte vërejtje për punën e helikopterit në zonë, pasi sipas tij, nuk fokusohej të shuante zjarrin në zonën e banuar, por merrej me shuarjen e flakëve në toka bujqësore.

“Aty ka bërë dëme shumë, banesën ia ka prishur këtij. Unë arrita të kaloja andej, nxora edhe 3 bagëti. Kam vërejtje për atë helikopterin, kalonte këtu po nuk ndërhynte. Shkonte andej nga toka e thatë”, tha një tjetër banor i zonës.

Ora 19:17
Lezhë/ Zjarri në Kalivaç, kryebashkiaku Pjerin Ndreu në terren: Flakët u përhapën me shpejtësi rrufe! Dëme të shumta në disa banesa, situata në përmirësim

 

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka vizituar nga afër zonat e prekura nga zjarri në Kalivaç, ku u dogjën edhe disa banesa.

Për mediat, Ndreu tha se zjarri ka pasur një përhapje të shpejtë, duke u favorizuar edhe nga era e fortë.

Më tej Ndreu theksoi se situata po përmirësohet, pas ndërhyrjes nga toka dhe nga ajri me 2 helikopterë.

“Ka një zjarr, siç e shikoni është një ndër zonat më të thella të Lezhës. Zjarri është përhapur menjëherë, ka pasur edhe erë. Ndërkohë që ne jemi përgatitur, forcat e emergjencave janë përgatitur. Helikopterët kanë ardhur, zjarri ka bërë punën e vet. Ka dëmtuar disa banesa. Jemi këtu te banesa e shtetasit Preng Boci, e cila është dëmtuar thuajse komplet. Kemi evidentuar edhe disa banesa të tjera. Kemi shkuar dhe i kemi parë aty. Por ajo që është pozitive për momentin është që nuk kemi dëme në njerëz dhe kjo është kryesorja. Zjarri tani po vihet nën kontroll, megjithëse ka vatra dhe ne po i ndjekim. Tani po shpërndahen edhe të gjitha forcat këmbësore që do shkojnë në disa vatra ku helikopteri ka bërë punën e vet. Dy helikopterë. Dhe besoj se pas gjithë asaj që ka ndodhur, situata do të vihet nën kontroll. Shpresoj që të jemi në një situatë për përmirësuar orë pas ore. Zjarri është përhapur shumë shpejtë, ka pasur një përhapje rrufe. Zjarri ka hyrë në banesa dhe ka bërë dëme më të mëdha”, tha mes të tjerash Ndreu.

Ora 16:12
Zjarr i përmasave të mëdha në Kalivaç të Lezhës, digjen disa banesa! Raportohet edhe për shpërthime

 

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Kalivaçit në Lezhë, duke rrezikuar zonën e banuar.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në disa drejtime, të favorizuara edhe nga era e fortë që po përfshin zonën. Situata paraqitet e vështirë, ndërsa zjarri vijon të zgjerojë perimetrin.

Mësohet se janë disa banesa, të banuara dhe të pabanuara, të cilat janë djegur. Në zonë janë dëgjuar edhe shpërthime, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga municione të pashpërthyera që gjenden në zonë.

Në terren ndodhen banorë të zonës, së bashku me strukturat e emergjencave dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.

Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit dhe afërsisë me zonën e banuar, situata mbetet shqetësuese dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Dy helikopterë po ndihmojnë forcat zjarrfikëse nga ajri për shuarjen e flakëve.