Nisur nga fakti që godinës së Sarajeve iu vu zjarri, me qëllimin për të nxjerrë jashtë funksionit monumentet e kulturës, gazetari Blendi Fevziu, trashëgimtar i Toptanëve, thotë se duhet ndalur ndërtimi aty ku zjarri apo dora e njeriut shkatërron një monument kulture.
Moderatori heq paralele me Stambollin e vjetër, kur thotë se edhe Tirana duhet t’i ndalë shkatërrimet e monumenteve të kulturës që i ka vuajtur këto 30 vjet, duke e zgjidhur në të njëjtën metodë si Stambolli, që i ndali përjetësisht ndërtimet në zonat e djegura qëllimisht.
Më tej, Fevziu, jep edhe disa detaje interesante historike të godinës.
"Godina e njohur si Sarajet, në qendër të Tiranes, është një nga 10 godinat më të vjetra dhe padyshim ndër më të rëndësishmet në Kryeqytet dhe në Shqipëri. Mendohet se është ndërtuar në vitet 1830 - 1840 nga Abdi bej Toptani (1785 - 1862), djali i Kapllan Pashe Toptanit, varri i të cilit ndodhet në qendër të qytetit. Abdi beu ishte martuar me vajzën e Bushatllinjve të Shkodrës. Sarajet kanë arkitekture tipike orientale dhe gati 32 dhoma. Aty lindi, u rri dhe ndërroi jetë Abdi Bej Toptani, nipi, luftëtar antiosman, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë, Ministri i Parë i Financave në historinë e shtetit shqiptar, në qeverinë e Ismail Qemalit dhe anëtar i Këshillit të Naltë në vitet 1920 - 1922. Aty u vendos Ambasada e parë e SHBA në vitet 1925 - 1929. Më poshtë po postoj dy foto të vitit 1920 për të parë si dukej nga jashtë dhe si ishte e mobiluar nga brenda. Plus dy foto të zjarrit të mbrëmshëm. Djegia e saj do ishte një katastrofë për trashëgiminë kulturore dhe historike të Tiranës e gjithë Shqipërisë. Djegia apo shkatërrimi natën është një nga metodat e zakonshme për të nxjerrë jashtë funksionit monumentet e kulturës. Stambolli i vjetër që e vuajti këtë metodë e zgjidhi duke ndaluar përjetë ndërtimin aty ku zjarri ose dora e njeriut shkatërron një monument kulture. Tirana ka pësuar mjaft shkatërrime të monumenteve të kulturës dhe historisë këto 30 vjet. Ndaj duhet ndalur urgjent rrënimi i metejshëm i tyre", shkruan Fevziu.
Lajmi kryesor: