Zyrtare: Zjarri në 'Notre Dame' aksidental, dhurohen rreth 1 miliard € për rindërtimin (VIDEO)

Trishtim, të pafuqishëm, mosbesues! Këto tre ndjenja i gjen të përziera me njëra- tjetrën tek çdo francez, por edhe tek çdo qytetar i botës, të cilët është e pamundur që të mos kenë dëgjuar të paktën një herë në jetë për Katedralen Notre-Dame de Paris. Trishtim, sepse një pjesë e historisë u shkatërrua; të pafuqishëm, sepse përtej dëshirës së mirë, askush nuk mund të jepte një ndihmë sado të vogël, dhe mosbesues për atë se ç'mund të ndodhë me rikonstruktimin e Katedrales. A do t'i ngjajë ajo asaj të mëparshmes? Është kjo pyetja që kërkon një përgjigje të menjëhershme, por askush nuk di t'i përgjigjet.  

Pas më shumë se 9 orësh luftë me flakët, gati 400 forca zjarrfikëse nga Parisi kanë arritur që të shuajnë plotësisht zjarrin e tmerrshëm. Fatkeqësisht, 2 policë dhe një zjarrfikës u plagosën lehtë. Megjithatë, brigada e zjarrit ka dhënë lajmin e mirë se struktura e gurtë e katedrales është ruajtur si dhe disa nga veprat kryesore të artit.Hetimet kanë përfunduar dhe është dalë në përfundimin që zjarri ka qenë aksidental.

Kryebashkiaku ka vënë në dispozicion 80 milion euro nga buxheti i shtetit që ishin parashikuar për qytetin, për rindërtimin e Katedrales, e megjithatë miliarderët në mbarë botën ka nisur të bëjnë dhurimet e para. Shuma e përgjithshme e premtuar nga bizneset franceze dhe udhëheqësit e biznesit deri më tani është rreth 1 miliard Euro.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:14
Rindërtimi i ' Notre Dame', në më pak se 24 orë dhurohen gjysmë miliard euro

Në më pak se 24-orë  nga djegia e Katedrales së Parisit, janë mbledhur rreth gjysmë miliardë euro për rindërtimin e "Notre Dame". Miliarderët dhe bizneset kanë dhuruar shifra të mëdha parash, për të shpëtuar "një pjesë të historisë  së Francës".

Angazhimi i fundit ka ardhur nga kompania franceze e naftës dhe gazit Total. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Patrick Pouyanné, ka dhuruar 100 milionë euro. Të  njëjtën shumë ka dhuruar më herët edhe miliarderi francez François Pinault. Gjithashtu, familja e Bernard Arnault, manjatit francez të biznesit që zotëron mallra luksoze dhe shtëpi modës LVMH, ka premtuar të kontribuojë me 200 milionë dollarë. 1 milion euro janë dhuruar edhe nga kompania e teknologjisë "Capgemini". Shuma e përgjithshme e premtuar nga bizneset franceze dhe udhëheqësit e biznesit deri më tani është 401 milionë euro. Kjo shifër nuk përfshin 80 milion euro të vendosur në dispozicion nga Bashkia.

Ora 13:58
Pamje të trishta/ Brenda Katedrales së Parisit, një ditë pas tragjedisë

Në mes të rrënojave që po digjeshin, qirinjtë brenda në Notre Dames, po vijonin të digjeshin. CNN ka sjellë disa foto ekskluzive, brenda Katedrales, një ditë pas ngjarjes që mori vëmendjen e botës. Qirinjtë që ishin ndezur nga vizitorët për lutjet e tyre, vijonin të digjeshin. Pamjet nga brenda Katedrales, janë të trishta, gati- gati duket aq sa është e vështirë për ta besuar se ajo ka qenë një prej vendeve më të bukura dhe të vizituara në Francë.

Ora 13:34
'Zemra e Parisit në hi', si u hapën sot mediat franceze

Ashtu siç pritej, në faqet të gazetave në Francë, është Katedralja e Parisit në flakë.  


Le Monde publikoi një botim të veçantë, me titull "Notre Dame, Notre Histoire" ("Zonja jonë, historia jonë"). 

"Tragjedia jonë" shkruhet në faqen e parë të gazetës " Libération" , dhe në foto është momenti më tragjik, kur kulla gotike e Katedrales u shemb, si pasojë e zjarrit.

Një pamje e ngjashme është pasqyruar edhe në gazetën Le Parisien me titull: "Zoja e Lotëve". Gazeta është në pronësi të Louis Vuitton, miliarderit të modës, CEO i së cilës, Bernard Arnault, më parë premtoi një donacion prej 200 milionë dollarësh (226 milionë dollarë) për të ndihmuar në financimin e përpjekjeve për rindërtimin.

Gazeta katolike franceze "La Croix" ka të njëjtën pamje; kulla gotike duke u rrëzuar, me titull "zemra në hi".  

Ora 11:18
Zyrtare: Zjarri në Katedrale ishte aksidental

"Zjarri ishte aksidental". Në këtë përfundim është dalë, pas hetimeve të bëra. Valérie Pécresse, kryetarja e Île-de-France në një deklaratë për mediat, ka mohuar që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm.

"Ishte një aksident. Nuk ishte i qëllimshëm", u shpreh ajo.

Pécresse deklaroi se Île-de-France do të hapë një fond emergjence prej 10 milionë eurosh për të ndihmuar në përpjekjet për rindërtimin e Katedrales.

 

Ora 11:00
9 orë për të shuar flakët? Pse zjarri i në Katedralen e Parisit ishte aq i vështirë për t'u fikur?

Flakët në Katedralen e Parisit mund të ishin shuar më shpejt, nëse nuk do bëhej fjalë për strukturën e kësaj ndërtese. Gregg Favre, një ish zjarrfikës me Departamentin e Zjarrit në St Louis tha se struktura e saj e gurtë ua bënte shumë të vështirë forcave zjarrfikëse të depërtonin në burimin e zjarrit. Gjithashtu,  Favre thekson se që në minutat e para që ra zjarri, u kuptua se do të ishte një "luftë" shumë e vështirë dhe në këtë rast, zjarrfikësit ishin në disavantazh, ende pa nisur nga puna.

Sikur të mos mjaftonte pjesa e saj e gurtë, që e bënte të vështirë që uji të depërtonte, pjesa e drunjtë es aj ishte një tjetër problem. Për shkak të flakëve, drunjtë shkëputeshin dhe nëse zjarrfikësit do të futeshin në pjesën e brendshme, mund të rrezikonin jetën. Kështu situata do të bëhej edhe më tragjike. Rreth 400 zjarrfikës u angazhuan në shuarjen e flakëve, e cila u arrit vetëm pas 9 orësh.

Ora 10:43
Pronari i Louis Vuitton dhuron 200 mln €: Katedralja, simbol i yni

Kryebashkiaku i Parisit, Anne Hidalgo ka deklaruar se do të zhvillojë një konferencë të madhe për të mbledhur fonde për të rikthyer siç ka qenë Katedralen e Parisit. Ai bëri të ditur se fondet që ka parashikuar për qytetin, ku bëhet fjalë për në shifër rreth 80 milion euro, do të shkojnë të gjitha për rindërtimin e Katedrales. Megjithatë, edhe para se konferenca të zhvillohet, miliarderët kanë ofruar ndihmën e tyre. Familja e Bernard Arnault, manjatit francez të biznesit që zotëron shtëpinë e modës Louis Vuitton, ka dhuruar 200 milionë euro. Në një deklaratë për mediat, familja e quajti Notre Dame një "katedrale të jashtëzakonshme dhe një simbol të Francës". Donacioni vjen pasi miliarderi francez François Pinault premtoi 100 milionë euro për rindërtimin e katedrales së shkatërruar nga zjarri.

Ora 10:20
Disa fakte të rëndësishme/ Çfarë e bën kaq ikonike Katedralen e Parisit?

Katedralja ka qenë një simbol i katolicizmit dhe identitetit francez për më shumë se 850 vjet.

Guri i themelit u vendos në vitin 1163 nga Papa Aleksandri III dhe katedralja u përfundua në shekullin e 13-të. Sot, me kullat, kulmin dhe xhamat me ngjyrë, Notre Dame është një ndërtesa me vlera të rëndësishme arkitekturore , simbol fetar dhe kulturor i Francës. Zona e saj qendrore, e cila u 'përpi' tragjikisht nga flakët, u ndërtua në shekullin e 19-të dhe ishte në proces rikonstriktumi, nxitur nga suksesi i romanit të Victor Hugo, "Katedralja e Parisit" (1831). Ajo është një nga atraksionet më të mëdha turistike. E vendosur në  Île de la Cité, një ishull i vogël në mes të qytetit, Katedralja numëron rreth 13 milion vizitorë në vit.

Disa fakte të rëndësishme për Katedralen e Parisit

1. U deshën 182 vite për ta ndërtuar

2. Ka kapacitet për të mbajtur më shumë se 6 mijë turistë në moment

3. Katedralja është e njohur për dritaret e mëdha të xhamit, ndër detajet më të rëndësishme arkitektonike

4. Notre Dam u dëmtua rëndë gjatë Revolucionit francez. U restaurua nga arkitekti Eugène Viollet-le-Duc në shekullin e 19-të

5. Është një nga pesë vendet më të kërkuara për t'u vizituar në Paris

6. Mbreti i Anglisë Henry VI u kurorëzua Mbreti i Francës në katedrale, dhe Napoleoni u kurorëzua atje nga Papa Piu VII

Ora 10:14
FOTO/ Ja pjesa që u dëmtua më shumë nga flakët në Katedralen e Parisit

Zjarri në Katedralen e Parisit ka tronditur të gjithë botën! Dyshimet paraprake janë se flakët kanë nisur në pjesën ku Katedralja ishte në rikonstruktim, e megjithatë ende nuk ka asgjë zyrtare. CNN ka publikuar një foto, në të cilët duket më qartë se cila pjesë e saj ka mbetur më e dëmtuar nga flakët.

Ora 10:08
'Katedralja do bëhet siç ka qenë', miliarderi dhuron shifrën e 'çmendur'

Bashkëshorti  miliarderi i Salma Hayek ka premtuar 100 milionë euro për të ndihmuar në rindërtimin e katedrales së 'Notre Dame'  e cila u përfshi nga flakët mbrëmjen e dhjeshme. Biznesmeni francez Francois-Henri Pinault bëri njoftimin menjëherë pasi zjari i madh përfshiu ndërtesën  850-vjeçare në zemër të Parisit.

Pinault, i cili u martua me aktoren meksikane-amerikane,Salma Hayek në 2009, është shefi ekzekutiv i Kering, i cili zotëron markat si Gucci dhe Yves Saint Laurent. Reagimi i tij erdhi menjëherë pas thirrjes së presidentit Macron për një fushatë kombëtare në mbledhjen e fondeve për rimëkëmbur Notre Dame nga dëmet që shkaktuan flakët.

Ora 10:02
Prokuroria e Parisit nis hetimet, dyshimet e para

Prokuroria e Parisit ka bërë të ditur se kanë nisur hetimet për të zbardhur të plotë shkaqet e zjarrit, që shkrumboi Katedralen e Parisit, një ditë më parë. Siç shkruan CNN, mësohet se janë marrë dëshmitë e  disa prej punonjësve të cilët ishin mbrëmjen e kaluar në punë. Një pjesë e Katedrales 850 vjeçare ishte në rinovim dhe paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e ndonjë pakujdesie nga punonjësit.

 

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tutu: 16/04/2019 18:12

    Nuk kane dhene 1000 miliard... do ndertojne nje maket luksoz digital e aq... historine e fshiu zjarri... nuk qene te zotet ta ruanim... vetem pluhuri i ngjitur mbi mure per shekuj bashke me tymin e armeve e revolucioneve franceze nuk kthehen me asnje shume...francezet nuk e ruajten dot... te futen ne gare me Gaudin ... nga Oskar Wajt: askush ne bote nuk eshte aq i pasur sa te bleje te kaluaren e vete.... e pastaj jo me te nje populli... lexoni Hygoin e madh te kuptoni se cfare ka qene ajo veper... e jo me ata qe flasin dhe dhurojne para por ndoshta nuk kane lexuar asnje faqe nga “ Katedralja e Parisit “... me mire do te qe ta linin ashtu sic e ka lene zjarri .. do fliste me shume... boll me klonimr se eshte deformuar njerezimi sa nuk njihet me..

    Përgjigju
  • Robert: 16/04/2019 10:07

    Sa mire

    Përgjigju
  • Erik: 16/04/2019 09:59

    Kush ishte lajmi i mire i zjarrfikesve? Mos keni ngaterruar lajm?

    Përgjigju
    • Resi: 16/04/2019 15:14

      Fredi,vetem mjekrosh qe sjam,nga ai qe mendon ti

    • Fredi: 16/04/2019 11:02

      Resi, sa të gjatë e ke mjekrën?

    • Resi: 16/04/2019 10:32

      Lajmi i mire eshte qe ngelen 2gure pa u rrezuar ahahah

    • Robert: 16/04/2019 10:08

      Jo, lajmi eshte i sakte

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare