Besnik dhe Hektor Zejnuni, babë e bir të cilët mbetën të plagosur nga zjarri i rënë dje në restorantin "Il Cavaliero" në kompleksin "Fishta", vijojnë të jenë në gjendje kritike për jetën në QSUT. 

Report Tv mëson se pronari i restorantit që u përfshi nga flakët ka djegie në trup në masën 70%, ndërsa djali i tij 30%.

Ata po mbahen në kujdes intensiv nga mjekët në repartin e djegie-plastikës. 

E plagosura në Velipojë: Djali i pronarit më lutej ta shpëtoja
Infermierja Vjollca Voci, e cila ndërhyri mes flakëve e tymit për ti dhënë ndihmën e parë të plagosurve nga shpërthimi në Restorant “Cavaliero” në Velipojë, rrëfen momentet e tmerrit.

Ajo tregon se banorët dhe pushuesit bërtisnin dhe njoftonin se ka njerëz brenda por në atë moment asgjë nuk dukej për shkak të flakëve dhe tymit.

Ndër të të tjera Voci tregon se Hektor Zejnuni, djali i pronarit ishte i shtrirë dhe i kërkonte ndihmë për t'i shpëtuar jetën ndërsa Besnik Zejnuni ishte pa ndjenja i shtrirë në tokë.

"Pronari i subjektit nuk ishte në  gjendje konshiente, pacienti i dytë fliste, kërkonte ndihmë, thoshte motër më shpto se jam t'u vdek. Edhe unë për me ja hek panikun i thosha je shumë mirë, do ta kalojë unë,  mos të të kapi paniku se do të çojmë në ambulance, më pas e kemi sjellë në ambulancë", thotë infermierja Voci.

Më pas ajo tregon edhe momentin kur është futur në pallat për të shpëtuar turistët, por për shkak të tymit ka rënë pa ndjenja e asfiksuar. Më pas ajo kujton se është zgjuar në spitaline Shkodrës teksa ishte nën kujdesin e mjekëve.

"Kur kam hyrë në pallat për të nxjerr njerëzit se bërtisnin turistët kemi njerëz brend, kemi njerëz brend, tymi më goditi, kam rënë në shesh, nuk mbaj mend gjë, kam dalë jashtë dhe kam parë njerëz që më kanë kap dhe veç dhe veç kur jam zgjuar e kam parë veten në mbështetje të mjekëve të mi", thotë ajo. 

"Kam parë shumë raste fatkeqësisht në 17 vitet e karrierës", tregon infermierja Vjollca Voci, "por në këtë rast paniku dhe frika ishte tepër e madhe, e ndikuar kjo nga thirrjet e banorëve që kërkonin ndihmë". 

Nga shpërthimi i gazit në depozitën e paligjshme të gazit prej 1 mijë litrash mbetën të plagosur 4 persona, mes të cilëve edhe infoermierja Vjollca Voci, e cila sapo pa situatën ndërhyri për tu dhënë ndihmën e parë të plagosurve.

Sot ajo është kthyer në punë edhe pse shprehet se e ndjen ende lodhjen e një dite më parë. 

Edhe 19 vjeçarja në Tiranë: Probleme me sytë
19-vjeçarja, Saida Spahija e cila mbeti e lënduar dje nga zjarri që shpërtheu në Velipojë, në restorantin "Il Cavaliero", është dërguar nga spitali i Shkodrës, në QSUT, Tiranë, mëngjesin e kësaj të shtune. 

Një ditë më parë gjendja shëndetësore e të resë paraqitej e stabilizuar, por gjatë natës ka pasur probleme me sytë të shkaktuara nga djegia. 

Për këtë shkak është dashur transportimi i saj drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. 19-vjeçarja ndodhet në repartin e djegie-plastikës në QSUT, ku po mbahet në kujdes intensiv nga mjekët. 

Saida Spahija mbeti e lënduar pas flakëve masive që përfshinë restorantin në katin e parë të kompleksit "Fishta". Shkak për zjarrin u bë rrjedhja e gazit në depozitën e vendosur nëntokë e cila rezultoi pas ekspertizës së ISHTI se ishte mbuluar me rerë e jashtë çdo standardi sigurie. 

Zjarri në Velipojë, Prokuroria nis procedim, dy akuzat
Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar një procedim penal pas zjarrit që përfshiu dje një restorant në kompleksin "Fishta" në Velipojë. 

Shkak për zjarrin e përmasave të mëdha u bë rrjedhja e gazit nga depozita e vendosur nëntokë. Flakët u përhapën menjëherë në të gjithë restorantin duke lënduar rëndë katër persona, dy prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. 

Sipas organit të akuzës, deri tani ka dy pista ku po përqendrohen hetimet për "shkatërrim prone nga pamundësia" dhe "shkelja e rregullave të sigurisë teknike".

Burime nga prokuroria bënë të ditur për Report Tv se "jemi në pritje të ekspertizës nga shërbimi zjarrfikës". Sipas prokurorisë, në hetime do përfshihet dhe veprimtaria e inspektorëve të ISHTI. 

"Do verifikojmë nëse është kontrolluar apo jo bombola nga inspektorët e ISHTI. Depozita s'duhet të ishte vendosur aty. 

Shpërthimi i djeshëm në ambientet e brendshme të restorantit shkaktoi lëndimin e katër personave, mes të cilëve edhe pronarin Besnik Zejnuni e djalin e tij Hektor Zejnuni. Ata ndodhen në gjendje të rëndë në QSUT në repartin e djegie plastikës"


Prokuroria thekson gjithashtu se as në Polici dhe as në Prokurori nuk ka kallëzim nga ISHTI që subjekti "Fishta" ka shkelur rregullat teknike me cisternën e gazit 1 mijë litroshe. 

ISHTI kallëzon penalisht subjektin
Inspektorati Teknik Shtetëror dhe Industrial ka sqaruar përmes një deklarate për mediat, shkaqet e rënies së zjarrit paraditen e sotme në një restorant në kompleksin "Fishta" në Velipojë. 

Sipas ISHTI, pronari i restorantit, Besnik Zejnuni, i cili po lufton me vdekjen, ka instaluar fshehurazi depozitën e gazit nën tokë, pa u pajisur me leje dhe për rrjedhojë edhe pa respektuar kushtet teknike të sigurisë.

Pikërisht nga cisterna ka pasur rrjedhje gazi dhe për pasojë u shkaktua zjarrin masiv i cili plagosi rëndë katër persona, dy prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. 

ISHTI kërkon edhe bashkëpunimin e Policisë së Shtetit, për shkeljet ligjore të konsumuara nga subjekti privat por edhe të tjerë biznese të cilët shkelin ligjin në përdorimin e gazit për gatim pa u pajisur me leje siç e parashikon ligji. 

Gjithashtu, ISHTI ka bërë kallëzim penal për subjektin në Velipojë. Kallëzimi është bërë për instalimin pa leje të pajisjes me presion. 



Deklarata e ISHTI
Inspektore te ISHTI kane mberritur menjehere ne vendngjarje sapo jane informuar per ate qe ka ndodhur ne subjektin IL CAVALIERO me pronar Besnik Zejnuni ne plazhin e Velipojes. Pas verifikimeve nga inspektoret rezulton se subjekti ka te instaluar rez GLN me volum 1000 litra nentokesor (e mbuluar me rere ) jashte te gjitha kushteve teknike (poshte dyshemese se lokalit dhe afer shkalleve ), duke e bere te pamundur sherbimet e nevojshme teknike apo zhvendosjen e saj ne rast nevoje.

Keshtu ky subjekt ne kundershtim me detyrimet e ligjit 32/2016 Neni 7 pika 1 subjekti asnjehere nuk ka paraqitur kerkese ne ISHTI per regjistrimin e pajisjes, duke vene ne shfrytezim nje pajisje te jashteligjshme. Pas verifikimit rezulton se shkaku i eksplozionit me pasoje renien renien e zjarrit, eshte rrjedhja e gazit ne ambientet e brendshme te lokalit.

Kjo ka ndodhur per shkak mosrespektimit te kushteve teknike te instalimit.

Ne zbatim te ligjit 32/2016 dhe 10489 te gjithe operatoret ekonomik qe shfrytezojne pajisje nen presion mbajne pergjegjesi per sigurine teknike te instalimit si dhe kane detyrimin ligjor per paraqitjen prane ISHTI te dokumentacionit tekniko ligjor per regjistrimin e pajisjes. 

Duke iu referuar subjektit konkret rezulton se ky i fundit nuk ka plotesuar detyrimin ligjor ndaj ISHTI.

Ky subjekt nuk ka respektuar ligjin duke mos kerkuar apo bere deklarimin prane ISHTI per instalimin e kesaj pajisje nen presion. Ndaj ketij rasti u mor masa perkatese administrative sipas ligjit.

Nderkaq kryeinspektori i eshte drejtuar me nje shkrese drejtorit te pergjithshem te Policise se Shtetit me nje shkrese zyrtare ku kerkon bashkepunim per realizimin e detyrave te funksionareve te ISHTI, sidomos per ato raste problematike.​