Të paktën pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu një pallat banimi në Antverp të Belgjikës, mëngjesin e kësaj të mërkure. Autoritetet bëjnë të ditur se bilanci është ende paraprak, pasi ekipet e shpëtimit po kontrollojnë të gjithë godinën në kërkim të personave të zhdukur.
Sipas zjarrfikësve, ndërtesa është evakuuar plotësisht dhe operacioni për shuarjen e flakëve dhe kontrollin e apartamenteve vazhdon.
"Godina është evakuuar plotësisht. Ekipet tona po punojnë për të shuar zjarrin dhe për të kërkuar nëse ka viktima të tjera. Në operacion janë angazhuar më shumë se dhjetë mjete zjarrfikëse", tha zëdhënësja e zjarrfikësve të Antverpit, Marie De Clercq.
Flakët shpërthyen në katin e tetë të një pallati 10-katësh në zonën Linkeroever, ku jetojnë mbi 200 banorë. Ende nuk dihet shkaku i zjarrit.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë re të dendura tymi të zi që mbuluan zonën, ndërsa disa banorë shihen në ballkone duke kërkuar ajër për të marrë frymë.
Policia tha se ndërhyrja ishte veçanërisht e vështirë për shkak të përmasave dhe intensitetit të flakëve. Në operacion morën pjesë dhjetëra efektivë të zjarrfikëses dhe policisë, si edhe një njësi e specializuar me dronë.
Sipas autoriteteve, tymi i dendur qëndroi mbi zonë për disa orë. Banorëve u është kërkuar të mbajnë të mbyllura dyert dhe dritaret, si edhe të fikin sistemet e ventilimit për shkak të përqendrimit të lartë të tymit në ajër.
Komente










