Djegia e një pallati në kompleksin e kompanisë “Arlis” në Tiranë ka lënë dhjetëra familje pa një kulm mbi kokë, e për këtë Avokati i Popullit Endri Shabani i ka kërkuar bashkisë së Tiranës që t’u gjejë strehim urgjent.
Shabani theksoi se nga një hetim paraprak i institucionit që ai drejton janë konstatuar problematike në sigurinë së godinës. Një task-forcë e ngritur menjëherë pas zjarrit, do të ketë në fokus edhe godina të tjera.
“ Zjarri i rëndë tek një kompleks, përtej aspektit penal ka një aspekt administrativ. Nga hetimi paraprak i institucionit tonë kemi vërejtur problematika administrative të sigurisë së godinës, dhe hapësira të ngushta për zjarrfikëset, zjarri i rënë zbuloi se institucionet janë të papërgatitura. I kemi bërë thirrje Bashkisë Tiranë që menjëherë të strehojë banorët përmes programeve të strehimin social", tha Shabani.
Duke prezantuar raportin e Avokatit të Popullit për vitin 2025, Shabani theksoi se numri më i madh i ankesave është për Kadastrën, por shqetësim mbetet edhe mungesa e dëmshpërblimeve për përmbytjet.
“Numrin më të lartë të ankesave institucioni ynë e merr për Kadastrën. Qytetarët presin dëmshpërblim edhe për përmbytjet e vitit 2010. Burgjet janë të mbipopulluara dhe qytetarët presin deri në 4 vite për një vendim gjyqësor”, theksoi Avokati i Popullit ndërsa ngriti shqetësimin për mënyrën e trajtimit nga policia, të të miturve që marrin pjesë në protesta.
Ruth Huber, ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, tha në konferencën për shtyp krah Avokatit të Popullit se përmirësimi i qeverisjes dhe forcimi i institucioneve janë kyçe për demokracinë në Shqipëri. Ajo nënvizoi se Raporti i Avokatit të Popullit duhet të merret në konsideratë nga parlamenti dhe ky institucion të shihet si bashkëpunëtor. Gjithashtu u shpreh se institucionet e pavarura duhet të mbështeten.
“Konstatimet dhe rekomandimet e raportit duhen që të konsiderohen dhe miratohen. Inkurajojmë parlamentin që ta mbështesë dhe të përforcojë kuadrin ligjor. Qeveria shqiptare duhet të lëvizë nga njohja në veprim. Avokati i Popullit duhet të shihet si bashkëpunëtor. Zvicra e konsideron Avokatin e Popullit të rëndësishëm në jetën demokratike dhe duhet të bëhen kontrolle për të forcuar besimin dhe kjo është arsyeja pse i mbështesim institucionet. Grupet e margjinilizuara dhe individët janë në risk të lartë që t’u nënshtrohen pengesave. Respektimi i të drejtave të njeriut nuk është kërkesë për aderimin në BE, por është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe kjo kërkohet për qytetarët shqiptarë”, tha Huber.
Silvio Gonzato, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, tha në prezantimin e Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit se pavarësia institucionale, besueshmëria dhe besimi publik janë thelbësore.
“Rëndësia e pavarësisë institucionale, besueshmëria dhe besimi publik janë thelbësore. Mbrojtja efektive e të drejtave themelore dhe funksionimi i duhur i mekanizmave të balancës mbeten në thelb të grupkapitullit të Themeloreve që përcakton ritmin e negociatave të anëtarësimit. Pa ndjekjen e duhur të institucioneve publike, nuk mund të kthehen në gjetje reale. Dëshiroj të theksoj që puna e mëtejshme vazhdon si pjesë e komisioneve sektoriale dhe politikëbërjen e rekomandimeve që të mos mbeten pjesë e një super strukture të shkëputur nga realiteti. I kujtoj Kuvendit përgjegjësinë që zyra e Avokatit të Popullit të ketë personelin dhe burimet e duhura”, tha Gonzato.
Disa nga gjetjet kryesore të Raportit 2025 të Avokatit të Popullit janë numri i lartë i ankesave për Kadastrën, pritjet e gjata për vendimet gjyqësore, mbipopullimi i burgjeve, përfshirja e të miturve në protesta dhe pyetja e tyre pa praninë e prindërve.
"Numrin më të lartë të ankesave institucioni ynë e merr për Kadastrën. Qytetarët presin dëmshpërblim edhe për përmbytjet e vitit 2010. Qytetarët presin mesatarisht 4 vjet për një vendim gjyqësor. Burgjet janë të mbipopulluar. Shqetësues është trajtimi i të miturve në protesta. Ata janë pyetur në komisariate pa praninë e prindërve. Shërbimet në administratë, janë bërë më të vështira prej digjitalizimit”, tha Endrit Shabani.
Komente











Ky eshte me te vertete Av.i popullit.Me pelqen qe eshte aktiv.Balanca para ketij,merrte rrogen duke vegjetuar ne zyre.
Përgjigju