Këto janë pasojat e zjarrit që përpiu pallatin e kompleksit ‘Arlis’ te Farmacia 10 në Tiranë. 30 apartamente janë prekur nga flakët që nisën në katin e parë të njërit prej bizneseve.

Verifikimi në orët në vijim do të pasqyrojë një bilanc të plotë. Paraprakisht, evidentohet se disa apartamente janë djegur plotësisht, ndërsa të tjerë mund të jenë dëmtuar më lehtë.

Zjarri që ka shpërthyer në një nga bizneset ka mbuluar gjithë vetratën për pak minuta. Zjarri mund të ketë lindur në hapësirën e jashtme ku mund të ketë pasur mbeturina. Nuk dihet ende nëse ka pasur ndonjë kuti të shpërndarjes së energjisë elektrike në afërsi.

Flakët i kanë gjetur gjithë banorët të papërgatitur për shkak të përmasave të shpejta që kanë marrë.

Distanca nga fasada te burimi i zjarrit dyshohet të mos ketë qenë më shumë se një metër.

Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende.

Materiali prej leshi xhami në shtresën e brendshme të fasadës së bardhë e të kuqe nuk është djegur. E gjithë veshja e bardhë e cila ndodhet në pjesën e jashthme është shkrumbuar totalisht, kurse e kuqja duket tek-tuk që ka rezistuar disi.

Pamjet apokaliptike tregojnë ndërtesën e shkrumbuar, rrënojat në këmbët e saj dhe tymin që ende del.

Aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për shpërndarje të zjarrit.

Të martën, në QSUT u paraqitën 11 banorë që kishin pësuar djegie të lehta e asfiksi, ndërsa vetëm një grua ishte lënduar më rëndë. Zjarrfikësja përdori 3 autoshkallë për të evakuuar banorët, ndërsa në ndihmë erdhën edhe nga Vora e Kamza, si dhe dy helikopterë Cougar.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:07
Pamjet prekëse, banorja në lot kur sheh pallatin e djegur te ‘Arlis’

Trishtim dhe dëshpërim për banorët që kanë humbur shtëpitë nga zjarri i frikshëm që përpiu pallatin në kompleksin ‘Arlis’ përballë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë.

Një grua, e cila me gjasë mund të jetë banore, sheh drejt pallatit me lot në sy. Këtë mëngjes, ka pasur kureshtarë të shumtë që kanë shkuar në vendngjarje për të parë çfarë kanë lënë pas flakët.