Zogaj: Ç’më thanë familjarët
e të vrarëve në spitalin ushtarak

Zogaj: Ç’më thanë familjarët <br />e të vrarëve në spitalin ushtarak
Nuk ishim në gjendje të dallonim a ishin fishekë luftarakë, plumba gome apo edhe ashtu edhe kështu, ato që po shkreheshin dyqind metra larg nesh, në thellësi të një mase tashmë të shkrifët njerëzish, që ndante vendqëndrimin tonë nga ndërtesa e Kryeministrisë. Por nuk dyshonim atëbotë se Garda po qëllonte në ajër. Në vështrimin tonë ishte një gjest i pakuptimtë, sa kohë që demonstrata po shpërndahej. Megjithatë, ndoshta dikush kishte nevojë të tregonte trimëri, ndonjë burracak kishte nevojë të mburrej. Pa përjashtuar tjetrën: atyre që në krye të herës kishin hedhur mbi demonstratën "parfumin" mbytës të gazit lotsjellës, u shijonte ta mbyllnin atë dafrungë me aromën e barutit. Për të ekspozuar kësisoj forcën e pathyeshme të shtetit përballë forcës së thyeshme të opozitës. Mirë. Le të kënaqeshin ashtu. Veç të mos urdhëronin uljen e grykave të armëve në lartësinë e trupit të njeriut.

Por armët që kishin qëlluar në ajër në momentet e tensionuara të demonstratës, papritur do të uleshin në lartësinë e trupit të njeriut, kur demonstrata po shkrifërohej e po shkrehej dhe para Kryeministrisë kishin mbetur aq njerëz sa në boshllëqet e krijuara mund të hidhje valle. Tre demonstrues u vranë njëri pas tjetrit në ato sekonda fatale: Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. I katërti, Aleks Nika, u godit për vdekje dhe do të ndërronte jetë pas dy javësh në një spital të Stambollit. Vrasja e Ziverit nga shefi i shtabit të njësisë speciale (Grupi i zjarrit), Agim Llupo, u filmua live nga kamerat e televizionit "Neës 24". Gardisti me një fytyrë prehistorike eci dy-tre hapa duke qëlluar sikur po i bënte nxemje automatikut të tij, pastaj u pozicionua në një si gropë para një parvazi të bodrumit të Kryeministrisë.

Prej atje u pa të merrte shenjë dhe të hapte zjarr në drejtim të një mesoburri rreth të dyzetave, me pallto treçerekëshe, që ishte ndalur në bulevard, me duart në xhepa, disa metra para derës së rrethimit të jashtëm të Kryeministrisë dhe po vështronte si i habitur ndërtesën. Dukej tamam si ata vizitorët e rretheve, që ndalen të kundrojnë godinat qeveritare për të shuar kuriozitetin; dukej si dikush që ka pritur e ka pritur derisa janë rralluar njerëzit për t'iu afruar sadopak objektit të kërshërisë së tij. Si po i dukej Kryeministria? Ç'po mendonte vallë duke parë gjithë ata gardistë të armatosur në oborrin përballë? A e dallonte egërsinë dhe tërbimin në fytyrat e tyre? A po i dëgjonte të shtënat? Apo ishte harruar në botën e tij, në ëndërrimet e tij? Këtë përshtypje të jepte - përshtypjen e një të shkëputurit nga zallamahia rreth e rrotull - në sekondën para se të qëllohej brinjë më brinjë, nga ana e zemrës, me një goditje profesionisti, që nuk linte asnjë mundësi shpëtimi. U shkreh sikur po përmendej, sikur po e nxirrnin nga jermi, gjithë hutim; ra në kurriz i fikur, duke i marrë me vete përgjithmonë përgjigjet e pyetjeve të mësipërme, të cilat nuk do t'i ishin bërë kurrë po të mos vritej aty ku u vra.

Shkrimin e plotë e gjeni në gazetën Shqiptarja.com, 11 janar 2013

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë