Koordinatori i opozitës së majtë, njëherësh publicisti dhe shkrimtari, Preç Zogaj në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" ka komentuar situatën politike për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Zogaj ka vlerësuar si kandidaturë Zaganjorin, si dhe ka dhënë edhe komente për tryezën Berisha-Rama.

Si e komentoni tërheqjen e zotit Zaganjori nga gara, kur mendohej se mund të kalonte me 71 vota në kuvend në raundin e katërt?
Besoj se Zaganjori kishte shanse të mëdha për të qenë Presidenti i Republikës i votuar nga shumica dhe i kundërvotuar nga opozita, e cila gjithsesi, do ta njihte dhe do t'i dëshmonte lauajalitetin institucional, siç ka bërë me Presidentin në detyrë, zotin Bamir Topi. Por ai u tërhoq, besoj duke pikasur në lojën e presidencialëve diçka opake që mund ta ketë dekurajuar të vazhdojë me tutje. Me tërheqjen e tij ai dogji një mundësi, por njëherësh hapi mundësi të reja për një zgjidhje më të mirë.

Diçka opake? Çdo të thotë kjo? Zaganjori u shpreh se nuk gjeti besimin e opozitës. A është kjo arsyeja e vetme e tërheqjes së tij, sipas jush?
Nuk mendoj se kjo është arsyeja e vetme. Sidoqë të jetë ai tregoi se kishte një lexim dhe një vizion të gjerë për detyrën e Presidentit të Republikës. Ai e nderoi opozitën si institucion me atë që tha. Nga ana tjetër opozita ishte e ndershme me Zaganjorin dhe ky, siç ka treguar në vijimësi dhe siç e tregoi së fundi, kishte inteligjencën e mjaftueshme për të kuptuar se shumica nuk i'a lehtësoi por i'a vështirësoi rrugën.

Në ç'kuptim?
Në kuptimin që e shpallen pa harxhuar as një minutë për t'i marrë një mendim opozitës, duke e vënë opozitën para faktit të kryer. Në mos pastë qenë ky një keqkuptim sekondash, nga ato që ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve, siç thotë një një esse të veten shkrimtari austriak Stefan Cvajg, kemi patur të bëjmë me një veprim të paramenduar për të tërhequr zvarrë opozitën. Në thelb mendoj se Zaganjori meritonte ta shpallnin minimalisht pasi të informonin opozitën. Meritonte ta zyrtarizonin si kandidat me 20 firmat përkatëse, ndërsa e lanë vetëm si kandidat të indikuar, duke i krijuar, mendoj, një problem vëmendjeje dhe mirëbesimi, në mos më shumë.

A duhet të ketë PS një kandidat për t'ja vendosur në tryezë Berishës?
Berishës dhe Metës? Patjetër! Nëse rihapet tryeza e bisedimeve dhe palët vendosin të provojnë rrugën e konsesusit, Rama duhet t'i ketë me vetë emrat që PS ka menduar të propozojë. Këto emra duhet të shqyrtohen në takimin kokë me kokë të liderëve dhe të mos bëhen muhabete pazari. As emrat që do të propozonte Berisha.

Nano po lëviz fort, a mendoni se janë shtuar shanset e tij me tërheqjen e Zaganorit?
Jo. Mendoj se, ndër të tjera, Nanos i ka prishur dhe vazhdon t'i prishë punë ngulmimi i një spektri të gjerë zërash nga kampi qeveritar që i bëjnë presion PS-së, madje i kërkojnë llogari dhe duan ta fajësojnë pse nuk po kandidon Nanon. Ndërsa qeveria nuk ka denjuar ta konsultojë as edhe një sekondë kandidatin e saj me opozitën, shumë mbështetës të saj kanë luksin dhe paturpësinë të "caktojnë" edhe kandidatin që duhet të paraqesë opozita.

Mendoni ju se do të këtë konsensus në raundet në vijim?
Konsensusi është një imperativ. Unë gjithnjë besoj në fuqinë e imperativit. Nëse nuk e dëgjojnë, aq me keq për ata që nuk e dëgjojnë.
(sg/shqiptarja.com)