Zoi Xoxa: Pse Zogu mbante
“Princin” e Makiavelit nën jastëk

Zoi Xoxa: Pse Zogu mbante<br />“Princin” e Makiavelit nën jastëk
KUJTIMET E NJE GAZETARI/  Shqiptarja.com publikon pjesë nga kujtimet e Zoi Xoxës. Nga ditari misterioz i dr. Temos tek vepra e famshme e Makiavelit me të cilën mbreti i shqiptarëve flinte e zgjohej....

Mbreti Zog, kishte busull orientimi “Princi-n” e Makiavelit. Me shumë gjasë ai e frymëzonte, aty gjente shumë përgjigje për enigmat që haste në rrugën e tij të sundimit. “Këtë vepër ai e mbante nën jastëk dhe e kishte shkarravitur, duke i vënë shënime në qinar…”, tregon në kujtimet e tij gazetari i njohur i viteve ’30 dr. Zoi Xoxa, ndërsa përshkrun shumë ngjarje interesante nga jeta e pallatit mbretëror.  Nga kujtimet e tij, shkruar në vitin 1966, ndërsa ai ishte në moshë tashmë të thyer gjen shumë episode, ngjarje e personazhe nga më të bujshmet në vitet ’30.

Këto kujtime, ose me saktë një pjesë të tyre, do ti sjellim për lexuesit e sotëm për të kujuar e zbuluar detaje mjaft intriguese mbi mbështetësit dhe kundërshtarët e Zogut, përplasjet politike, atentatet e bujshme të kohës, luftën për pushtet, interesat kombëtare herë të mbrojtura e herë të tradhëtuara…. Edhe pse të shkruara në një kohë mjaft të largët me ngjarjet, pa ndihmën e shënimeve personale, bazuar thjeshtë në kujtesën e tij, siç e thekson vetë Xoxa, këto kujtime, sidoqoftë, sjellin një këndvështrim të veçantë, e mjaft të vlefshëm. Fragmenti që nisëm në krye të këtij shënimi, e që lidhet me një aspekt mjaft ngacmues të personalitetit të Ahmet Zogut, na fut në hulli ngjarjesh mjaft grishëse.

Ngjarje të këtij fragmenti që kemi zgjedhur për lexuesit sot përfshijnë rrëfimtarin (Zoi Xoxa) Dr. Temon, Mbretin zog, Gjergj Fishtën, Mustafa Krujën, etj. Dr.Temo ishte një personazh që shquhej për maturinë e tij, dhe siç thotë Zoi Xoxa për dashurinë e pamatë për atdheun dhe punën e palodhur në shërbim të tij. Në një udhëtim që kishte bërë në Shqipëri, ai kishte mbajtur një ditar, i cili siç e cilëson Xoxa, ishte i mbushur me plot informacione të vyera.

Ky fragment i kujtimeve të Zoi Xoxës, përfshin ngjarje nga historia e këtij ditari, tek kujdesi i mbretit Zog për të mësuar biografinë e hollësishme e të saktë të çdo personazhi që pranonte në audiencë e deri tek libri që ai mbante nën jastëk, “Princi” i Makiavelit…
Ad.Pe.

Dr. Zoi Xoxa
 
(fragment nga Kujtimet)
 
….mbaja një qëndrim pritjeje gjersa të kthehej Dr. Temua nga Shqipëria. Ky e mbajti fjalën. U nis për në Shqipëri, ku ndenji një muaj e gjysmë. Nga Shqipëria nuk na shkroi asnjë letër. Por e prisnim me padurim.
 
Një ditar që dëshmon përpjekjet e A. Zogut për pajtim kombëtar
Kur u nis nga Tirana, na telegrafoi. Unë me Mihalin shkuam në Bukuresht dhe, së bashku me shumë shqiptarë të atij qyteti, vajtëm ta presim në stacion.
Ai plak shkurtabiq, me sytë prej kinezi, me fytyrën të kuqur e tërë shëndet, tërë gjallëri dhe i mirëmbajtur, aq sa nuk tregonte moshën që kishte, na u duk i përtëritur. Ishte i qeshur dhe i gëzuar. Na përshëndeti që nga dritarja e trenit dhe na përqafoi të gjithëve sapo zbriti në platformë.

zoi xoxa
(Foto: Dr. Zoi Xoxa)

-Nga ç’pashë dhe dëgjova, kthehem me shpresa të mëdha për të ardhmen e Shqipërisë. Kaq mund t’ju them tani për tani, po do t’ju mollois gjatë e gjerë. Do të na duhet një natë shënëndreu. Sa e sa gjëra kam për t’ju thënë! Po kam mbajtur shënim, ama, për të gjitha. Meqenëse ika me një qëllim  të caktuar, që ditën e parë kam mbajtur një ditar të hollësishëm. Me evlatin (dhe më tregoi mua me dorë) do ta organizojmë punën për botimin e përshtypjeve të mia. Do t’i lexoni në gazetë. Po mund të mbajmë edhe ndonjë mbledhje për sqarime, që duhen thënë në konfidencë, po jo të botohen hëpërhë. Tani do të më jepni leje të shplodhem disa ditë, sepse për mua plakun ky qe një udhëtim i këndshëm por edhe i lodhshëm. Pastaj, duhet të shoh pak edhe si jam me detyrimet e mia këtu në Rumani, pas kësaj mungese të gjatë.

Na përshëndeti dhe mori trenin për në Mexhedije.
Ne u kthyem në “Brasserie de la Paix”, ku filluam të komentojmë ato pak fjalë të doktorit. Edhe nga ato pak fjalë, u kuptua sheshit se doktori kishte mbetur i entuziazmuar nga vizita e tij në Shqipëri.
Mbrëmanet u nisa edhe unë me Mihalin për në Konstancë.
Me gjithë moshën e tij të kaluar. Dr. Temua ishte një punëtor i palodhur. U çudita kur, pas tri ditësh, e pashë të më vijë në zyrë me atë çapin e tij të shkurtër e të nxituar.

the prince

-Nuk kujtoj se u vonova, evlat, - me këto fjalë përshëndeti dhe më shtrëngoi dorën me përzemërsi.
-Përkundrazi, doktor, unë s’ju prisja pa kaluar të paktën një javë. Jeni i lodhur, keni nevojë për pushim.
-Njeriu shplodhet më mirë në punë, evlat. “Aktualiteti” ka një rëndësi të madhe në politikë. Po t’i vonoja, këtyre përshtypjeve të mia do t’u humbiste rëndësia. Dëgjo, evlat: këto dy ditë kam punuar gjer natën vonë, ta kam përgatitur tërë lëndën që duhet botuar. Siç ju thashë edhe në Stacionin e  Bukureshtit, unë kam mbajtur një ditar të hollësishëm që ditën që shkela në Shqipëri. Shkruaja në mëngjes shpejt (se ne pleqtë çohemi shpejt në mëngjes) dhe natën, para se të flija, shkruaja përditë 3-4 faqe me një shkrim të nxituar. Ky ditar nuk duhet të këndohet prej njeriu, se ka brenda përshtypje dhe konsiderata, që sot për sot nuk është mirë të përhapen.

Po ty, evlat, do të ta jap se kam shumë besim në seriozitetin tënd. Bilé, të lutem, të mos e bësh fjalë as me Mihalin. Mbaje për vete. Ti është mirë që t’i dish, mbase mund të të hyjnë në punë si gazetar, po pa përmendur kurrë burimin...
Dhe më dorëzoi një “rulé” me letra, të mbledhura me gazetë: ishin më shumë se 220 faqe, të shkruara me shkrimin e tij të imët. Kureshtja më bëri të zgjidh “rulénë” dhe t’u hedh një sy, po doktori më ndaloi.
-Jo, lëre. Tani kam tjetër punë. Këndoje me nge. Nga ky ditar unë nxora vetëm pikat që i interesojnë “kohës sonë”. Dhe kam krijuar një “intervistë”: ti më pyet, unë të përgjigjem.

Nxori nga xhepi nja katër faqe të daktilografuara. Ishin shkruar rumanisht, si dhe ditari, se në këtë gjuhë shkruante më me lehtësi. Mbështeti bërrylin mbi tryezë, mbi pëllëmbën e dorës mbështeti kokën dhe priti, pa folur, që ta mbaroja së lexuari.
E lexova dy herë me vërejtjen më të madhe, pastaj ngrita sytë dhe, duke vënë buzën në gaz,  pashë doktorin.
-Pse qesh, evlat?
-Qesh se maloku i Matit ju paska bërë krejt për vete.
-Thuaj si të duash, por maloku i Matit (qeshi dhe ai, duke theksuar këtë shprehje me të cilën ishim mësuar ta cilësonim Ahmet Zogun) është shqiptari më i zgjuar që kam parë unë gjer më sot. Ai e njeh mirë shqiptarin dhe Shqipërinë. Po s’është vetëm i zgjuar, por edhe trim, edhe atdhetar. Të jesh i bindur, evlat, se ai e do Shqipërinë jo më pak se ne të tjerët.

Dhe më tregoi se në Shqipëri akoma s’është shëruar plaga e vjetër myslimane dhe e krishterë, toskë e gegë etj. Injoranca është në kulm. Edhe ata të paktë intelektualë, janë ambiciozë dhe të përçarë midis tyre. Ai po përpiqej që midis këtij “heterogjeniteti” të formonte një shtet  “unitar”. Është shumë e vështirë. Duhet kohë dhe duhet që intelektualët ta kuptojnë dhe t’i japin dorën njëri-tjetrit.
 
Apel për gjetjen e një ditari tepër të rëndësishëm
Dhe filloi të më tregonte ngjarje dhe anekdota kuptimplote.
Unë nuk kam ndër mend të sjell këtu të gjithë “intervistën” dhe as “ditarin” e Dr. Temos. E kush i mban mend tani, pas afro 40 vjet që kanë kaluar?

Unë do të dëshiroja që të bëheshin përpjekje për të shtënë në dorë “ditarin” e Dr. Temos. Nuk e merrni me mend se ç’dokument me rëndësi do të ishte për historinë e Shqipërisë! Ai kishte atje vërejtje të tilla rreth ngjarjeve dhe personaliteteve që kishte takuar. Më vonë, unë kam pasur rastin të vë ré vetë sesa të drejta kanë qenë vërejtjet e tij dhe analizat e tij psikologjike. Sa jam i penduar sot që nuk pata kujdesin të nxirrja një kopje të atij “Ditari”. Por njeriu, aty për aty, i rrëmbyer nga vrulli i ngjarjeve të përditshme, nuk mendon për të pritmen, nuk mendon për historinë. Kështu edhe unë, atëherë kishte të tjera telashe. Veçse njeriu duhet të jetë parashikues dhe t’i vlerësojë punët, duke pasur parasysh jo vetëm të sotmen, por edhe të ardhmen. Po, kur të vijnë mendtë... Nejse.

Andrea Ktona më tha tani shpejt se në Luftën e Dytë Botërore qenkan bombarduar kaq shtëpi, ndërmjet të cilave edhe shtypshkronja e Mihalit në Konstancë, kështu që s’ka mbetur asnjë nga koleksionet e “Shqipërisë së Re”. Po unë besoj se këto koleksione duhet të gjenden, jo vetëm pranë ndonjë privati që kishte merak dhe i ruante, po edhe në shumë biblioteka, në të cilat ne e dërgonim rregullisht gazetën.

Po Mexhedija nuk u bombardua, pra nuk u dëmtua biblioteka e Dr. Temos. Ndonjë nga trashëgimtarët e tij duhet t’i ketë ruajtur ato shkrime, midis të cilave duhet të ndodhet edhe “Ditari” i tij.
Sa për të shuar kureshtjen tuaj dhe, me sa mbaj mend, do të kujtoj këtu analizën e hollë që ai bënte për personin e Zogut. Thoshte se Zogu e kishte thirrur katër herë në audiencë të posaçme dhe çdoherë e kishte mbajtur gjatë. E kishte ftuar të merrte pjesë në dy mbledhje të ministrave.

- Ai biografinë time e dinte më mirë se unë vetë, - shkruante në atë “Ditar” Dr. Temua, sepse ma përmend me hollësi veprimtarinë time në Stamboll dhe në Bukuresht. Dr. Temua kishte mbetur i çuditur shumë për këtë, sesi një djalë i ri, siç ishte Zogu aso kohe, të dinte aq mirë veprimtarinë e një plaku, siç ishte Dr. Temua. Po jo vetëm të Dr. Temos. Ai dinte edhe veprimtarinë e të gjithë atyre që shkonin në audiencë. Bilé edhe dëshirat dhe aspiratat e secilit. Prandaj, të gjithë dilnin të habitur, sepse pa hapur ata mirë gojën, ai i prekte mu atje ku u dhembte dhe secili dilte i kënaqur.
Më të shumtët këtë e shpjegonin me “gjenialitetin” e tij. Por më vonë, shumë më vonë, unë e zbulova sesi qëndronte puna.
Një ditë prej ditësh, duke ndenjur në muhabet me Mustafa Currin, unë munda të zbuloj disa hollësira interesante rreth jetës intime të Zogut.
 
“Princi” nën jastëk!
Mustafa Curri ishte sekretar i përgjithshëm  i Këshillit të Ministrave, por kryente edhe detyrën si sekretar privat i Zogut. Ai ishte një pijanec i dorës së parë; tërë natën e shkonte në ahengje dhe me jevga, por kishte një trup aq të fortë sa, për çudi, në mëngjes ishte i pari në detyrë dhe kurrë nuk i shpëtonte ndonjë e “fshehtë” nga goja. Unë e pyeta, si pa të keq, se si ia bënte Zogu që të dinte jo vetëm jetën, po edhe dëshirat e të gjithë atyre që vinin në audiencë tek ai.

Mustafa Curri vuri buzën në gaz: “Ç’heqim ne të gjorët, një perëndi e di. Posa dikush kërkon të pranohet në audiencë, ai lutjen ma referon mua me tri vija të kuqe. Kjo do të thotë që unë t’i bëj biografinë atij personi dhe të hetoj ç’hall e shtyu që të kërkojë audiencë. Kishte urdhër që hetimet të ishin të sakta. Vajmedet po të dilnin të gënjeshtërta ose të pasakta! Ai i lexonte me kujdes, pak para se të pranonte të interesuarin në audiencë.

Këto këshilla ai duket se i kishte mësuar nga “Princi” i Makiavelit. Këtë vepër ai e mbante nën jastëk dhe e kishte shkarravitur, duke i vënë shënime në qinar. Hollësirat i mora nga A. Mati. Duke ndenjur një pasdreke në “Kursal”, Abdurrahmani më pyeti mbi “Princin” e Makiavelit. U habita, se Abdurrahmani ishte analfabet; por menjëherë më vajti mendja se duhet ta kishte dëgjuar nga “i madhi”, siç e quanin njerëzia Zogun. I thashë se ishte një libër me shumë rëndësi i një italiani të madh, diplomat shumë i hollë.

Në atë libër ai jep këshilla sesi duhet të sillet një burrë shteti. Meqenëse më tha se “ustai” s’e hiqte nga dora dhe e kishte shkarravitur duke shënuar në qinare, më hipi meraku të dija se ç’kishte shkruar dhe i ç’mendimi ishte ai vetë. Nga ato shënime do të kishte kuptuar shumë gjëra: në ç’mënyrë kërkonte të qeveriste, me të butë a me të egër, me ambicie apo altruizëm, me rryma përparimtare apo me prapambetje.

Ç’synonte dhe ç’kërkonte të arrinte etj. etj. Ishte një mjet i mirë për të studiuar gjendjen e tij shpirtërore. Dhe, si pa të keq, duke u treguar i padjallëzuar, kujtova se mund t’ia hidhja. I thashë A. Matit se këtë libër e kishte lexuar shumë vite më parë, që kur isha student, por do të më pëlqente ta lexoja edhe njëherë. A mund ta merrte dhe të ma huante për nja dy ditë?
Abdurrahmani, që s’kuptonte nga librat, e hëngri dhe m’u përgjigj aty për aty:
-Posi more! Ia marr unë për nja dy a tri ditë...

Por pas disa ditësh, kur më takoi, më shkeli syrin me kuptim dhe më tha:
-Ke dashur të ma hedhësh! Porosite në Itali, po pate qejf ta këndosh, por jo atë.
E kuptova se “ustai” ia kishte shpjeguar se ai libër me shënime në qinar, nuk duhej të binte në dorën e askujt.
Po Dr. Temua, pa këto shkrime, vetëm me katër audienca dhe me dy herë që mori pjesë në Këshillin e Ministrave, të kryesuar prej Zogut, mundi t’i bënte personazhit një analizë vërtet “anatomike”. Ai e cilësonte Zogun shumë ambicioz që, për synimet e veta, nuk ndruhej të përdorte çfarëdo mjeti, që nga ledhat gjer te dhuna. E para e punës, kishte qejf që kundërshtarët t’i sillte në din me anë të ofiqeve, të dekoratave dhe të ryshfeteve. Prandaj, të gjithë,

- flas për personalitetet me rëndësi, që donte të joshte, - dilnin pas audiencës me ndonjë dhuratë të tij në dorë. Dhe të gjithë dilnin të gëzuar dhe me mburrje. Një alamet personaliteti, si patër Gjergj Fishtën, e pashë me sytë e mi që ishte bërë si kalama sepse Zogu i kishte falur një orë të florinjtë, me stemën e tij në kapak.

-A nuk po më pvet sa asht sahati? – më tha patër Gjergji, tërë shend e verë, kur vuri re se unë po bisedoja për diçka tjetër, pa e pasur mendjen te sahati i tij. Dhe m’u përgjigj po vetë: “Sahati asht...”. Nxori sahatin dhe ma tregoi jo nga ana e fushës, por nga ana e kapakut, me stemën e Zogut.
Kur isha student në Romë, më duket më 1922 ose 1923, babai më lajmëroi se atë javë do të vinte në Romë baxhanaku i tij, Llambi Goxhamani; prandaj vajta ta prisja në stacion dhe të kujdesesha për të, si për babanë tim.
Llambi Goxhamani ishte asokohe deputet i Beratit në Tiranë, por ishte shurdh nga të dy veshët. Votonte gjithnjë për Zogun, të cilin e quante “djali im”. Nuk kishte tjetër të ardhur përveç atij shpërblimi. Kur erdhi në Romë, unë u çudita dhe e pyeta se ku i kishte gjetur paratë për të ardhur në Romë.

-M’i dha “djali” 40 napolona dhe më tha: “Na, shko në Itali dhe bli një aparat për veshët”.
Unë e kuptova për cilin djalë e kishte fjalën dhe vura buzën në gaz.
Xha Llambi e pikasi dhe më pyeti:
-Pse bëre buzën në gaz?  Dhe vuri pëllëmbën e dorës së djathtë te veshi, për të dëgjuar përgjigjen time.
-Sepse më duket që të bleu për 40 napolona. Pas këtij peshqeshi, ti nuk do kesh kurrë guxim t’i kundërvihesh ndonjëherë.
U mendua një copë herë, pastaj tundi kokën dhe më tha:
-Ke të drejtë, po këtë e bën fukarallëku!

Dr. Temua i kishte kuptuar këto metoda që përdorte A. Zogu për të joshur njerëzit. Po dinte, ama, edhe me kë e përdorte këtë mjet. Fjala vjen, Dr. Temua shkruante në “Ditarin” e tij se atij s’kishte guxuar t’i jepte ndonjë peshqesh, nga frika e ndonjë refuzimi, po nja dy a tri herë ia kishte përsëritur se i vinte shumë keq që kishte pozita të larta në Rumani dhe nënshtetësinë rumune, përndryshe menjëherë do ta kishte zgjedhur edhe kryeministër, me bindjen më të plotë se të dy së bashku do t’i kishin sjellë shumë të mira Shqipërisë. Ishte një mënyrë për ta joshur.
 
Këshillat e Makiavelit.
Por tani, që e arriti kulmin e ambicies – President i Republikës – Dr. Temua ishte i mendimit se atij nuk i mbetej ambicie tjetër veçse të kryesonte një Shtet unitar. Parashikimet e Dr. Temos ishin se Presidenti, së shpejti, por gradualisht, do të dobësonte fuqinë e bejlerëve dhe të agallarëve, duke formuar një fuqi shtetërore. Tani që arriti qëllimet e ambicies së tij, ia do interesi që të bëhet “reformator” dhe të lërë një emër në histori.

Por, që të bëhet “reformator”, duhet që të ketë përkrahjen e të gjithë patriotëve dhe intelektualëve përparimtarë sepse, me siguri, ka për të gjetur pengesa nga fanatikët dhe nga konservatorët, siç janë bejlerët, hoxhallarët, priftërinjtë dhe kleri katolik i Shkodrës.
Siç shihet, parashikimet e Dr. Temos kanë qenë shumë interesante. Edhe në politikën e jashtme Dr. Temua mendonte se Zogu do të manovronte midis interesave konkurrente të Shteteve të ndryshme kufitare dhe të fuqive të mëdha, që nuk do ta lejonin që një Shtet të hidhte kthetrat mbi vendin tonë. Ai kishte ambicien e madhe të ishte kryetar i një shteti sovran me të drejta të barabarta dhe jo kryetar i një shteti vasal.

Por më 1 shtator 1928 plasi një bombë e madhe: Asambleja Kombëtare e Tiranës e proklamoi “Mbret të shqiptarëve”, me emrin Zog I. Pothuaj menjëherë të gjitha Shtetet, të mëdha e të vogla, e njohën si të tillë dhe akredituan përfaqësuesit e tyre pranë “Mbretit të shqiptarëve”.

Kjo ngjarje i ndau shqiptarët: disa ishin republikanë të bindur dhe e quanin “një luks” që Shqipëria e vogël të ketë në krye një mbret. Të tjerë ishin për monarkinë, por dëshironin ndonjë mbret të huaj dhe jo “malokun” e Matit.
Mentori im, Dr. Temua, u gëzua shumë për këtë ngjarje historike. Ai thoshte se me këtë akt merr fund feudalizmi në Shqipëri: bejlerët do t’i nënshtroheshin mbretit, si të gjithë qytetarët e tjerë, përndryshe i pret e zeza. Ai nuk do ta tregojë menjëherë grushtin e tij kundër tyre, po nuk do të vonojë dhe ata do ta ndiejnë aq të fortë sa të mos ngrenë dot krye. Ta pret mendja, që ai nuk do të dëshirojë kurrë më të ketë “shokë”, por “të nënshtruar”.

Refugjatët qenë të gjithë kundra, por kuptohet sheshit se për ta nuk ishte punë parimi, por punë personi: Mustafa Kruja me shokë, me kënaqësinë më të madhe, do të kishin pranuar për “mbret” një princ të Savojës fjala vjen, por kurrë “malokun” e Matit.
Shqiptarët e Rumanisë qenë në favor dhe e uruan Zogun

Shkrimi u publikua sot (11.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

U shkatërrua nga flakët rreth 5 vite më parë, rihapet 'Notre-Dame'! Ja kur do të pres vizitorë katedralja historike e restauruar

U shkatërrua nga flakët rreth 5 vite më parë, rihapet 'Notre-Dame'! Ja kur do të pres vizitorë katedralja historike e restauruar