Zoja e Shkodrës, libri i rrallë i vitit 1756 në një bibliotekë në Vjenë

Zoja e Shkodrës, libri i rrallë i vitit 1756 në një bibliotekë në Vjenë

Zoja e Shkodrës

Ka shumë kohë që i ngacmuem nga lidhjet shpirtnore, por edhe ato historike e familjare, kam mendue me shkrue për figuren e Zojes së Shkodres, shejtneshës pajtore të qytetit tonë. Vendi i zanafillës së saj i njohtun nga mbarë njerzimi, faltorja e vogël plot hire e dashni e Zojës së Shkodres buzë Rozafës, për mue ka nji kuptim të dyfishtë: atë të besimit fetar por edhe vendin ku në vjetin 1887 u shugurue si prift Imzot Ndre Logoreci (Andrea Logorezzi), një klerik i vyer e atdhetarë i shquem në përhapjen e shkollave e gjuhës shqipe në t’gjithë trevat shqiptare (Kosovë e Maqedoni).

Tuj ditë se, historikisht jeta e muer me t’keq popullin shqiptar, asht nji mrekulli që qindra dokumenta autentikë, dorëshkrime, të botuem e pamorë, ruhen ndër arkivat e bibliotekat e ndryshme austriake, tuj i shërbye kujtdo për me ju referue, me saktësue e publikue informacione të panjohuna ndër dekaka (bile shekuj), të ndodhive kombëtare shqiptare. Kjo gja m’ka favorizue edhe mue, me zhbirilue nëpër çdo cep e skutë të këtyne arkivave për me gjetë e zbulue të panjohuna që i shërbejnë sado pak kulturës e historisë shqiptare.

Një legjendë e dalë nga Shkodra dhe tashma e njohun në t’gjithë boten, tregon për largimin e figurës së Zojës (Maries me fëmijen e saj Jezusin) nga faltorja poshtë kështjellës, pasi qyteti u pushtue nga hordhitë e egra të osmanllijve. Simbas gojëdhanës figura e famëshme zuni vend në muret e një kishe në periferi të Romës, në Genazzano. Shëmbullin e Nanës së Përbotëshme, Zojës, e ndoqën mijëra familje shqiptare, të cilat të detyrueme nga mizoritë e brutaliteti i pushtuesit osman, për t’ju shmangur shfarosjes e për të ruejtë familjen e traditat, braktisen vatrat e tyne tuj gjetë strehë ndër vendet fqinje që gëzonin lirinë, e sidomos në viset e jugut të Italisë.

Si gojëdhana e ikjes së figurës së Zojës ashtu dhe qyteti i Shkodres, u banë të njohtun në mbarë botën përendimore. Fati i shqiptarisë u ba objekt i lutjeve nga mijëra besimtarë e pelegrinë që udhëtonin nga katër anët e Europës drejt Genazzanos për të vizitue Nanën e mrekullive e ndihmëtaren e mbarë njerzimit.

Me që në fund të tetorit ishte festa e Zojës së Shkodres, e cila u shpall si Pajtorja e qytetit të Shkodres në vjetin 1895 nga ipeshkvijtë e kohës, u vuna me kërkue ndoj send që i përket historisë së figurës së saj, por edhe asaj të Kishës së Zojës rranxë kështjellës e bri Bunës. Mundi m’a shperblej me gjetjen e disa librave me vlerë, pronë shekullore e bibliotekave të Vjenës, që u banë shkak për me nisë këtë shkrim, me nda me lexuesin shqiptarë kënaqsinë e kësaj gjetje të interesante. Nga trashëgimitë gojore dhe ato dokumentare, faltorja e vogël e Zojës në lagjen e motëshme Alibeg Mahallasi, u prish, apo u la me u rrenue disa herë, në rrethana të ndryshme ose keqdashje të pushtuesit osman (e ma vonë nga komunistët), të cilët i pengonin shkodranët në lutjet apo proçesionet e tyne në këtë tempull. E megjithatë populli i Shkodres, por edhe shtegtarë të ardhun prej viseve tjera, për çdo hall, smundje apo ushqim shpirtnor i drejtoheshin gjithë herë vendit të shejtnuem, Zojës së Kshillit të Mirë.

Po ashtu si populli i Shkodres dhe ai shqiptar, nji lidhje të pazgjidhëshme me Zojën patën edhe Etnit Augustinian të vendosun në kuvendin e tyne në Genazzano, të cilët ishin edhe kujdestarët e Kishës së Shejtes Mari të Këshillit të Mirë. Me shfaqjen e Zojës së Shkodres në Genazzano, jo vetëm vëlleznit augustinianë të Genazzanos e të Italisë, por edhe prifta augustinianë të shumë viseve të tjera europiane, nderimin e figurës së Zojës, e patë qëllim udhëtimesh, pelegrinazhesh e zhvillimit të liturgjive që i kushtoheshin asaj (Zojës).

Siç thashë ma sipër, fati e solli që kto ditë në nji nga bibliotekat e famëshme të Vjenës të zbuloja, e të mbaja në dorë (ndërmjet disa vëllimeve) nji perlë të rrallë, vepër kushtue Zojës së Kshillit të Mirë, ose siç shkruhet edhe në faqet e tij: Zojës së Shkodres. Nuk përshkruhet gzimi, emocionet dhe knaqsia që pata tue punue me librin të cilin për të mos e humbun, vendosa me e skanue të plotë. Edhe pse 262 vjeçar, libri ishte i ruejtun mirë. I shtypun në vjetin 1756 në Vjenë, me një teknikë artizanale në punishten shumë të njohun të familjes vjeneze Heyinger, 192 faqet e librit janë nga një material i veçantë e rezistent që nuk është letër e thjeshtë. Libri në origjinal mban titullin: “Sittliche Erwegungen von Übertragung der wunderreichen Bildnuß MARIE von guten Rat, aus ALBANIEN nach GENAZZANO“ dhe asht shtypë nën kujdesin e Urdhërit Augustinian të Vjenës me rastin e shtegtimit 9 /ditor nga Austria në Genazzano të priftave augustinianë me qëllim lutjet dhe pastrimin shpirtnor.

Libri hapet me figurën e Zojës së Shkodres, punue me kërkesen e Augustinianëve të Vjenës, simbas asaj origjinale në Genazzano, nga artisti shumë i njohun vjenez Franz Leopold Schmitner (Kupferstecher, 1703 / 1761), me tekniken e shtypjes mbi gdhënien në bakër. Figura e Maries që mban në krahnor fëmijën e saj Jezusin, mban mbishkrimin SHEJTJA MARIE E KSHILLIT TË MIRË, poshtë saj mund të lexohet përkushtimi i Etenve Augustinian si dhe në gërma të vogla emni i autorit.

Faqja tjetër ndjekë me titullin e shtypun me shkronja të mëdha:

Konsiderata morale

për shpërnguljen e portretit të mrekullueshëm të MARIES SË KËSHILLIT TË MIRË, nga SHQIPNIA në GENAZZANO

OSE

9 ditëshi me lutje për gratë shejtnesha dhe NANEN E ZOTIT, MARIEN E KSHILLIT TË MIRË.

Duke shfletue librin, në parathanien e tij, autori ka tregue historinë e figurës së Shejtnores me këto rreshta: “...për këtë figurë të dashtun, tregohet një mrekulli, se si kjo pikturë e shejtë dhe e lashtë, u gjind papritë në një vend jo larg nga Roma, në Genazzano. E shkëputun nga muret e një faltores në Shkoder, qi asht një qytet në Shqipni, piktura e Zojës mbi një fletë gipsi e shoqnueme nga besimtarët Gjergji dhe de Sclavis, që sikurse historia e israelitëve, e kaluen detin Adriatik në pak orë pa ju lagun kamba, u vendos në Genazzano... në 1467...”

Mbas parathanies, faqet e librit përmbajnë përshkrimin e 9 ditëve; lutjet, emocionet dhe përshtypjet e pelegrinëve augustinianë gjatë qëndrimit në Genazzano. Lutjet janë të ndame ndër ditë, që pasojnë njena tjetrën. Çdo ditë përmban lutje të njohuna për Zojën, por edhe krijime të reja shpirtnore për Zojën e Shkodres të shkrueme nga etnit, për çka ato përjetojshin aty. Në mbrendi ka edhe shumë LAVDRIME për figurën e Zojës në vargje, në formë poezie 8 deri në 10 strofa.

     Ky libër i ruejtun mirë, me vlerën e bukurinë e tij, më solli në kujtimet e ditëve të “Revolucionit Kulturor Bolshevik”, kur si fëmijë në Shkodër përjetova mbylljen e Kuvendeve dhe Kishave, orgjitë e zellin e komunistëve aziato stalinistë dhe spiunve të tyne, që digjnin plot urrejtje male me libra e dokumente historik, dëshmitarë të kulturës të nji populli ndër ma të vjetrit në Europë.

Në fund të këtij shkrimi, një lutje më del nga shpirti:

O Zoja e Shkodres, ...zbutja zemrat njerzve të egërsuem, ...fali bukë e dashni femijëve të rrugës që ngrysen pa bukë e pa dashninë prindore, ...jepi strehë e shpresë familjeve që luftojnë për mbijetesë, ...NDRIÇOJA MENDJEN atyne që kanë zaptue karrigat e politikës...

AMEN

Vjenë, me 4 dhetuer 2018

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja