Zona autonome serbe e Veriut!

Zona autonome serbe e Veriut!
Pa hyrë në retrospektivë, dihet fakti se fuqitë e mëdha moti vendimet e tyre kryesisht i bazojnë mbi realitetin në terren. Këtë fakt Serbia e di mirë, andaj ajo në vazhdimësi është munduar që në territoret e ish- Jugosllavisë të krijojë relitet të ri në favor të saj. Duke mos hezituar të përdorë edhe gjenocidin si mjet, sepse “qëllimi arsyeton mjetin”. Normal se edhe të “drejtën historike” e përdorte si arsyetim të veprimeve.

Mbi këto argumente, fillimisht Serbia krijonte të ashtuqujtuarat “Këshilla nacionale serbe” dhe “Bashkësitë e komunave serbe”, të cilat pastaj i avanconte në “Zona Autonome”. Ashtu bëri në vitin 1990, në Kroaci, kur krijoi “Zonën Autonome Serbe të Krajinës” (Srpska autonomna oblast Krajina), me kryeqytet Kninin. Po ashtu bëri edhe në Bosnjë, ku nga “Bashkësia e komunave serbe”, në vjeshtën e vitit 1991 krijoi “Zonën Autonome Serbe të Krajinës Boshnjake” me kryeqytet Banjallukën. Dhe në fazën e tretë ato territore i shpallte “Republika të pavarura”.

Deri më tani në Kosovë, Serbia ka përfunduar fazën e krijimit të “Këshillit Nacional Serb” dhe “Bashkësinë e Komunave Serbe”, ku edhe është krijuar “Kuvendi i Komunave Serbe” i dalë nga zgjedhjet serbe të mbajtura në maj të vitit 2008.

Ju kujtohet, atëhere të gjithë i “kundërshtuan” ato zgjedhje. Edhe UNMIK-u edhe zyrat ndërkombtare. Na thanë se ato nuk vlejnë, janë të kota, sepse janë jolegjitime, të kundërligjshme, etj. Shumë i zëshëm ishte Joachim Ruecker (që disa gati sa nuk e shpallën hero të Kosovës), i cili në atë kohë (pas punës së “suksesshme”, sidomos me privatizimin e Feronikelit) ishte Përfaqësues Special (i SPKB). Serbia, për të treguar se kush “kollitet atje”, organizoi djegien e pikave doganore dhe huliganizëm e vandalizëm në veri. Me fjalë të tjera, e okupoi tërësisht atë territor të Kosovës. Dhe çka ndodhi më pastaj, Ban Ki-moon (bosi i Joachim Ruecker), pas një muaji (në qershor të 2008) për zgjidhjen e problemit e përgatiti një plan në gjashtë pika. Dhe ai plan (që shumë pak njërëz e kundërshtuan në fillim), për “çudi” ishte krijuar pikërisht në bazë të realitet në terren. Ashtu siç e shpjegonte në letrën e tij Ban Ki-moon, se “planin për rinegocionim në gjashtë fusha e kishte hartuar duke pasur parasysh realitetin e ri në Kosovë: shpalljen e pavarësisë (17 shkurtin) dhe “trazirat në veri të Kosovës dhe territoret e banuara me shumicë serbe”, si dhe miratimin e Kushtetutës dhe “zgjedhjet e 11 majit”.

Pra, më nuk kishim të bëjmë me “terrorizëm, kriminalitet, huliganizëm, vandalizëm, barbarizëm, djegie, shkatërrim ... por me “trazira në veri dhe territoret e banuara me shumicë serbe” dhe jo me “zgjedhje ilegale, kundërligjore, të kota...” por me “zgjedhjet serbe të 11 majit”, që normalisht prodhuan përfaqësues serbë. Me fjalë të tjera, Serbia krijoi një realitet të ri në Kosovë, ashtu pra siç e thekson Ban Ki-moon në letrën e vet dhe planin gjashëpikësh. Plan të cilin Këshilli i Sigurimit, më 26 nëntor të 2008, edhe zyrtarisht e miratoi me votim unanim.

Tashti, shtrohet pyetja se çka do të prodhojnë zgjedhjet e fundit parlamentare dhe presidenciale, si dhe ato lokale (Leposaviq dhe Zveçan) të Serbisë në Kosovë. Për më tepër, kur merret parasysh fakti se në këto zgjedhje morën pjesë më shumë serbë të Kosovës se që morën pjesë në zgjedhjet kosovare të dhjetorit 2010. Pra, edhe njëherë serbët e Kosovës dokumentuan se shumica e tyre edhe më tutje trupin e kanë në Kosovë kurse kokën në Serbi.

Disa “analsitë” (vendorë apo ndërkombtarë), sidomos kohën e fundit, kanë filluar zëshëm ta këshillojnë (“keshe qortojnë”) qeverinë që të “hartojë një strategji me të cilën do t’i joshë serbet e veriut” dhe të “bisedojnë me përfaqësuesit e tyre lokalë” .

Por, interesant, asnjëherë këta “analistë” nuk i ndihmojnë qeverisë me ide konkrete, sepse dihet mirëfilli që qeveritë e Kosovës në vazhdimësi kanë qenë në hall me atë se çka t’iu ofrohet konkretisht (më shumë) serbëve në komunat veriore. Deri më tani çkado që iu është ofruar, ata e kanë refuzuar, nga fakti i thjeshtë se qëllimet janë diametralisht të kundërta. Po ashtu, qeveritë tona kanë qenë në hall edhe me kë duhet të bisedojnë. Sepse, siç dihet, serbët e kanë të krijuar Këshillin Nacional Serb, i cili zyrtarsiht flet në emër të tyre.

Andaj shtrohet pyetja se qeveria me cilin nga anëtarët e Këshillit Nacional Serb mund apo duhet të bisedojë. Mos ndoshta me Marko Jakshiqin, Oliver Ivanoviqin, Sllavisha Ristiqin apo ndoshta me Milan Ivanoviqin, Vuçina Janiçijeviqin, Dragan Delibashiqin... Problemi është se asnjëri nga këta nuk e pranon pavarësinë e Kosovës (Dokumentin e Ahtisarit) dhe të gjithë janë udhëheqës të institucioneve “paralele” të Serbisë në Kosovë.

Problemi tjetër të cilin autoritetet kosovare e kanë është edhe indiferenca e palës tjetër kontraktuese, pra faktorit ndërkombtar. Sepse, siç dihet, palë kontraktuese në Dokumentin e Ahtisarit (rrjedhimisht edhe “Pavarësisë së Kosovës”) është faktori (miqtë) ndërkombtar, me të cilin Kosova ka nënshkruar. Deri më tani, pala kosovare në tërësi e ka repsektuar këtë kontratë me faktorin ndërkombtar, por faktori ndërkombtar nuk e ka kryer obligimin e tij në raport me implementimin e kontratës (Dokumentit të Ahtisarit) në tërë territorin e Kosovës.

Për më tepër, faktori ndërkombëtar në negociata të veçanta me Serbinë (ndaras nga Kosova) hartoi “planin për rinegocionim në gjashtë fusha”. Me fjalë tjera, nënshkroi një kntratë tjetër (me palën e kundërt), e cila e shkel kontratën e mëparme (Dokumnetin e Ahtisarit). Pra, të asaj kontrate e cila na thuhej se është si rezultat i kompromiseve shumë të dhimbshme të palës kosovare.

Tashti, dyshimi është se çka do t’iu imponohet kosovarëve, edhe sa kompromise (edhe më) të dhimbshme? Mbase “Zona Autonome Serbe e Veriut”, e cila në rastin e Kosovës (si sui generis që është) në realitet do të jetë “Republikë Serbe e Veriut” me të drejtë veto në Prishtinë për secilin vendim të rëndësishëm.

(Autori është ish-deputet i Kuvendit të Kosovës)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull

Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull