Zona ku sot po shembet rruga në Librazhd-Prrenjas ishte konsideruar problematike që në vitin 1955. Sipas inxhinierit hidroteknik Fitim Ballo, projekti i asaj kohe për hekurudhën ishte menduar krejt ndryshe nga si është ndërtuar sot rruga. Ballo tregoi se projekti ishte hartuar nga rusët dhe shmangte pjesët e paqëndrueshme të terrenit.

"Në atë zonë, ka pasur projekt ndërtimi për hekurudhën që në vitin 1955. Ka qenë projekt që e bënë rusët. Ata e kaluan projektin gjatë lumit Shkumbin herë në një krah e herë në një tjetër, por me tunele dhe me ndërtime. Nuk ishin dakord që hekurudha të kalonte në pjesën e sipërme, sepse kjo pjesë ishte e pastabilizuar dhe ishte zonë shkarëse. Rruga e re që duhej bërë duhej kombinuar me tunele. Këto rrugë që janë dëmtuar kanë një problem të madh. Këto janë ndërtuar gjysmë në gërmim e gjysmë në mbushje dhe këtë defect rrugët e japin me vonëse, sidomos kur ka reshje shiu. Mos kujtoni se do mbyllet kjo punë me kaq. Nëse sot ka shkarë nje pjesë rruge, nesër do të shkasë më shumë po tek kjo rrugë. Problemi është kompleks” tha Ballo.

Sipas Ballos, terreni në atë zonë ka qenë gjithmonë i njohur si i paqëndrueshëm dhe kërkon zgjidhje inxhinierike më të forta, ndërsa paralajmëroi se rrëshqitjet mund të vazhdojnë nëse nuk trajtohet thelbi i problemit.


Lajmi kryesor:

Juglindja në izolim/ Inxhinieri për Report TV: Rrezik shembjesh edhe në Korridorin VIII, nuk është bërë studim! Eksperti: Lumi Shkumbin po shkatërrohet