TIRANE - Universiteti Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" (ZKM) i themeluar në vitin 2004 përbën një nga nismat e para të arsimit privat në vend. Marrëveshjet e këtij universiteti në bashkëpunim me universitetet shtetërore italiane në (Bari, Romë, Milano, Bologna), ndikojnë me  përvojën e tyre në rritjen e këtij institucioni në tokën shqiptare. Pjesëmarrja e botës universitare italiane në Shqipëri bën që një pjesë e mirë e literaturës të jetë në gjuhën italiane. Në një intervistë për “Shqiptarja.com” rektori i ZKM-së, Prof. Paolo Ruatti shpjegon avantazhet e të studiuarit në këtë institucion arsimor dhe prezencën e shumë studentëve të huaj në Shqipëri.

Z. Ruatti çfarë avantazhesh kanë studentët që studiojnë pranë universitetit tuaj, kryesisht në fushën e mjekësisë në raport me universitetet e tjera?
Diploma që marrin studentët në përfundim të studimeve pranë  Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” është e njohur në Shqipëri, Itali dhe në gjithë vendet e BE-së, kjo falë marrëveshjeve që ky universitet ka me homologët  italianë. Gjë e cila kërkon zbatimin e të njëjtit program studimi si të universiteteve partnere. Rrjedhimisht stafi akademik përbëhet nga profesorët italianë të  universiteteve përkatëse partnere, të cilët garantojnë zhvillimin korrekt të programit të studimit, duke u bërë indikator të një mësimdhënie me cilësi të lartë dhe sipas standarteve bashkëkohore evropiane. Universiteti ofron programe studimi në të gjitha nivelet e studimit.

Duke qënë se lektorët janë italianë, në cilën gjuhë zhvillohet procesi akademik në universitetin tuaj?
Mësimdhënia zhvillohet kryesisht në gjuhën italiane. Në vitin e parë  studentët shqiptarë kanë vështirësi, por ky është një hap që kalohet duke studiuar dhe duke punuar me ndihmën e profesionistëve të vërtetë. Në vitet e kaluara studentët shqiptarë i kanë kaluar lehtësisht këto vështirësi, kjo edhe falë aftësive të tyre dhe vullnetit për të studiuar. Është për t’u theksuar që studentët shqiptarë kanë një dëshirë dhe interes të madh për të studiuar.

A vijnë studentë italianë për të studiuar në universitetin tuaj?
Po. Në universitetin tonë studiojnë një numër i konsiderueshëm studentësh nga Italia. Janë 550 studentë italianë, shifër kjo që i korrespondon 29% të numrit të studentëve që studiojnë në universitetin tonë. Me pak fjalë Universiteti Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë” po  ndërkombtarizohet.
 
Sa e mundur është të kryhen transferime për të ardhur pranë universitetit tuaj?
Duke qenë se ne zbatojme programet mësimore të universiteteve partnere italiane, është normale të kryhen transferime të studimeve. Studentët tanë gëzojnë të drejtën për t’i vazhduar studimet në Itali, por ekziston edhe mundësia që ne të bëjmë pranime të studentëve. Por për t’u pranuar ne universitet, studentë duhet t’i nënshtrohen një testimi hyrës.

Çfarë garanton diplomimi në universitetin tuaj?
Fakti që Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” me universitetet partnere italiane, japin diploma të përbashkëta, shqiptare dhe njëkohësisht italiane, krijon mundësi punësimi për të sapodiplomuarit përveç se në Shqipëri, edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
 
(Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com 12 mars 2014)