TIRANE - Zonja e Parë e Shqipërisë, Odeta Nishani ka festuar me fëmijët e fshatin SOS festat e fundvitit. Pjesë e argëtimeve u bënë rreth 80 fëmijë që jetojnë në fshatin SOS, të cilët morën edhe dhurata të ndryshme të përgatitura nga Zonja e Parë, së bashku me Fondacionin Vodafone Albania. Duke iu drejtuar mësueseve, kujdestareve, nënave dhe tezeve të fshatit SOS, Zonja Nishani i falenderoi ato nga zemra për kujdesin e tyre dhe përkushtimin ndaj fëmijëve.

“Është shumë e rëndësishme, periudha e fëmijërisë. Në këtë periudhë krijohet personaliteti i njeriut. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që këta fëmijë t’i përkushtohen shkollës dhe dijes, është shumë e rëndësishme që të rriten me njëri-tjetrin, në mënyrë që të përballojnë sfidat e vështira të jetës”, theksoi Zonja e Parë e vendit.

Më pas festa vijoi me një program argëtues me këngë, recitime, valle të fëmijëve të fshatit SOS, me pjesëmarrjen edhe të Cirkut të Tiranës. Gjatë kësaj veprimtarie Zonja e Parë, vizitoi edhe një shtëpi brenda në fshatin SOS, ku ndodheshin disa fëmijë bashkë me nënën e tyre, të cilët i dhuruan Zonjës së Parë momente argëtuese.

Duke ftuar 4 fëmijë të kësaj shtëpie për të festuar së bashku me familjen Presidenciale natën e madhe të ndërrimit të viteve, Zonja e Parë inkurajoi banorët e kryeqytetit që të bëjnë gjeste bamirësie për t’u dhënë mbështetje dhe ngrohtësi familjare fëmijëve në nevojë.

Në fund të festës Zonja e Parë u shpërndau dhurata të 80 fëmijëve të fshatit SOS.

Odeta Nishani me femijët e fshatit SOS
(Në foto Zonja e Parë Odeta Nishani me fëmijët e fshatit SOS)

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)