Me rastin e vizitës se ministres së Arsimit në Fakultetin e Mjekësise dhe ku ne axhenden e saj nuk ishin studentët dhe diplomat por problemet e profesoriatit, gjej mundësine në rradhë të parë si mik dhe si përfaqësues t’iu bëj publike studentëve  çfarë ka ndodhur që nga momenti që u ngrit ky shqetësim.
Studentët me të drejtë janë të shqetësuar për  çështjen e diplomave dhe është disi fyese që pas gjithë kësaj zhurme askush nga drejtuesit e institucioneve përkatëse nuk ka dalë të prononcohet publikisht ose mediatikisht në lidhje me këtë çështje. Në pamundësi për  t'ua sqaruar të gjithëve personalisht, po e nis që nga momenti që u fol për mosnjohje diplomash jashtë Shqipërisë, forumin e hapur me studentët dhe pritja e parë na u bë në …
Rektorat
Edhe pse ftuam të vinin dhe përfaqësues nga rektorati dhe dekanati (forum) dhe ku askush  nuk denjoi të vinte , u ftova personalisht nga Rektorja që të sqarohesha në lidhje me çështjen e diplomave dhe Universitetit. M'u tregua se si ky kishte qenë një projekt 10-15 vjeçar nga ata që sot drejtojnë mjeksinë shqiptare  (personalisht nuk besoj shumë te vizioni i prag-pensionistëve, mendoj se e kanë shpalos të tyren), se përse godina e rektoratit ishte në qendër të QSUT, si simbol (e vërteta është se ajo ishte objekt ekzistues me salla dhe klasa për  studentet që sot si kanë më). Dhe më e rëndësishmja, që diplomat tona njiheshin, pasi Universiteti Mjekësor Tiranë është në proces akreditimi nga Agjensia Kombëtare e Akreditimit, mirëpo edhe kjo logjikë e këtij arsyetimi bie, nëse i referohemi Universitetit të Tiranës (të cilit i njihen diplomat mesa dimë nga eksperienca ) nuk i ka hyrë fare këtij procesi akreditimi të kësaj agjensie. Nuk kundërshtova asnjë prej argumenteve, vetëm i kërkova Rektores të dilte në media dhe të sqaronte mediatikisht duke mbajtur  përgjegjësi institucionale dhe morale në lidhje me këtë  çështje, gazetarëve po ashtu i kërkova të kërkonin prononcim, nuk u pranua! Përse? Të ngelur në këtë situatë absurde dhe pas kërkesës që çuam në Kryeministri përfunduam …
Në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit
Në ministri  u pritëm nga vetë ministrja, Lindita Nikolla, së bashku me shefen e saj të kabinetit. Pasi dëgjuan ankesat tona na u komunikua se kemi të drejtë pasi jemi të painformuar sepse asnjë nga instucionet arsimore nuk është i akredituar (në kundërshtim me atë që u tha në Rektorat) por ky proces do të niste në janar për të gjithë. Ministrja po ashtu na shpjegoi se  madje do behëj një vlerësim nga ekspertët e British Council në fushën e arsimit dhe ky proces do të niste pikërisht nga Universiteti i Mjekësisë për  të parë çështjen e funksionimit të këtij institucioni dhe problemin e diplomave (edhe pse ne i referuam raste konkrete ku diplomat kishin  probleme). Por ministrja e Arsimit na qetësoi duke na garantuar se diplomat tona, që tashmë do të kenë siglën e UMT (Universiteti Mjekësor i Tiranës),  do të njihen, pasi këtij dokumenti do i bashkangjitet një dokument  tjetër (nuk na u shpjegua se çfarë konkretisht) dhe u zotua se do të vinte së bashku me ministrin e Shëndetësisë dhe do të informonte studentët në lidhje me paqartësitë e tyre. Si në çdo rast edhe këtë herë i kërkuam të dilte në media dhe të prononcohej në lidhje me këtë çështje si përfaqësuese institucionale e tyre por (sërish nuk doli kush) dhe vendosëm ta presim në janar…
 
Në Fakultet
Sigurisht qe erdhet, por jo për problemin e studentëve, por për  të zgjidhur një zgjedhje jo legjitime të Kryetarit të Këshillit të Profesorëve që paskish vetëm një funksion honorifik (mesa lexova në gazeta).Sikur të ishte ky problemi më i rëndësishëm që ka sot sistemi arsimor shëndetësor do të ishim me të vërtetë me fat mendoj. Më falni Zonja Ministre po kam disa pyetje për ju : A e dini ju se studentëve të këtij sistemi nuk iu bëhet mësim siç duhet apo më keq fare? A e dini se studiojmë në kushte jonormale ku mbi përparse mbajmë rroba dimri? Që në klasat e pavionëve ka më shumë studentë se karrige?A e dini që në Fakultetin e Mjekësisë vazhdojnë hyrje me tepër nga sa kërkon tregu i punës? Që paradoksalisht diplomohen më shumë studentë nga sa hyjnë për shkak të transferimeve nga Universitetet private? E dini se studentët e farmacisë edhe pse më të përgatiturit nga ana shkencore, braktisen në tregun e punës dhe shpesh iu duhet te punojne shitës për ata që “blejnë” diploma farmacie? E dini se kusht i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për  tu “bërë” dentist ne Shqipëri është vetëm dëshira e mirë, duke i ulur vlerën shërbimit dhe reputacionin profesionit? Që po prodhohen pa kriter infermierë që nuk kanë ku të punojnë? Se për këto probleme kanë ngritur zërin breza me rradhë po s’ka patur vullnet për ti zgjidhur?  Besoj se këto (edhe diplomat sigurisht) janë më të vlefshme se tekat e profesorëve tanë…
E dashur ministre e Arsimit, dua të të kujtoj se në këtë situatë të krijuar, ku studentët e diplomuar në korrikun e 2013-ës, nuk i kanë marrë akoma diplomat dhe as nuk dihet nga ata nëse do të njihen apo jo, ku qarkullojnë lloj lloj thashethemesh që nuk do të lëshohen për tre vite me radhë diploma, derisa UMT të mbushë kohën për t'u përfshirë në procesin e akreditimit, që në trevat etnike nuk iu janë njohur, ku flitet se nuk njhet e gjithë kurrikula por do jepen provime shtesë përveç atyre shtesë të zakonshme për njehsim, ku pas vitit 2020 nuk do të njihet më diploma e doktorit nga Shqipëria, etj, etj , mendoj se e keni detyrim të vini e të na sqaroni dhe respektoni. Me plot gojën mund të them se ne, studentët në prag diplomimi, na keni braktisur. Ashtu siç rëndom kanë bërë të gjithë drejtuesit e institucioneve arsimore në rrjedhën e kohës. Ku më flagranti është ai i rektorit të Universitetit të Tiranës, z. Dhori Kule, që e la Fakultetin e Mjekësisë në rënie të lirë, e cila degjeneroi në këtë situatë ku ndodhemi edhe sot.
Sot, ne studentët e fushave mjekësore, nuk e dimë sesi funksionon procesi i njohjes apo njehsimit të një diplome në vendet e BE, dhe jo vetëm, prandaj ju kërkojmë dhe ju ftojmë sërish të na ndihmoni.
Ju lutem  izolimit profesional dhe atij institucional që na u bë me krijimin e Universitetit mos i shtoni tashmë edhe atë gjeografik.
Ju mirëpresim sërish Znj.Ministre!  
 
Shënim: Ky është një ndarje informacioni dhe opinion personal për gjithë studentët që pyesin dhe nuk e dinë çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe në lidhje me diplomat tona.

*Senator, viti i VI-të, Mjekësi