'Zot na ruaj nga fitorja në luftë'

'Zot na ruaj nga fitorja në luftë'

Ka arsye të forta se pse vendet nuk pushtojnë më njëra-tjetrën në kohën moderne.

Në kohën tonë fuqia ushtarake mes shteteve mbetet shumë e pabarabartë. Por shtetet më të forta nuk shkojnë të pushtojnë ato më të dobëta, kryesisht sepse nuk ia vlen sakrifica.

Përveçse kur pushtuesi konsiderohet si çlirimtar dhe pritet me gëzim nga populli, çfarëdolloj pushtimi tjetër është një çmenduri që fillon ta kuptosh në momentin që ke arritur fitoren. Tani vendi që ke pushtuar bëhet menjëherë përgjegjësia jote. Duke filluar nga siguria në rrugë, funksionimi i administratave dhe drejtësisë, më së paku mbijetesa ekonomike e popullsisë etj.

Nëse popullsia të urren e të sheh si agresor, problemet e qeverisjes së vendit të pushtuar qindfishohen.

Është një çmenduri të përpiqesh të qeverisësh një popullsi që të urren dhe që do të të sabotojë në çdo aspekt.

Së pari, do të detyrohesh të mbash një ushtri të dislokuar për një kohë të gjatë në përputhje me popullsinë e vendit të pushtuar.

Ushtarët shpesh luftojnë me trimëri dhe zotësi, por pasi mbaron lufta dhe detyrohen të bëjnë punë që i përngjet asaj të policisë janë shumë më pak efektivë, shërbimet janë më të gjata, rreziqet e humbjes së jetës më të papritura, korrupsioni shumë më i madh.

Sa kohë që vazhdon lufta, ti e di se kush është armiku. Në momentin që mbaron dhe je pushtues, çdo civil, çdo kalimtar i buzëqeshur, çdo fqinj i urtë mund të kthehet sakaq në një armik vdekjeprurës.

Më keq akoma, nëse në kohët e dikurshme pushtimi sillte pasurim të shtetit tani shpenzimet vetëm shtohen pas fitores.

Ka qenë një barcaletë që qarkullonte që në kohën e Enver Hoxhës, me një propozim që t’i shpallnim luftë Amerikës, për të shpëtuar nga varfëria. Argumenti ishte: “Amerika do të fitojë dhe do të detyrohet të na mbajë më bukë”.

Pikërisht kur u vendos që ashtu do të bëhej, çohet njëri se kishte një pyetje. “Po mirë o vëlla, po sikur të fitojmë ne, si do t’ia bëjmë që ta mbajmë Amerikën me bukë”.

Dikur ekonomia ishte një çështje lokale. Çdo gjë që konsumohej ishte e prodhuar aty afër. Mund të shtoje territore në shtetin tënd pa ndryshuar ndonjë gjë në qeverisjen e vendit. Lënda e parë ishte vendimtare dhe rrëmbimi i territoreve ku prodhohej ishte shumë fitmprurëse.

Tani duhet të sigurosh furnizimin me ushqime dhe prodhime për një popullsi shtesë. Nëse nuk ke sukses rriten shanset e kryengritjes, të rezistencës, të sabotimit. Duhet më së paku të mos bjerë shumë standardi i jetesës. Dikur uria dhe varfëria ishin pjesë e jetës. Sot, njerëzit edhe në vende të varfra kanë kërkesa më të mëdha minimale.

Telashet e vendit të pushtuar importohen në vendin tënd. Populli yt që ka pranuar të bëjë sakrifica dhe e ka mbështetur luftën pushtuese tani fillon ndjen se sakrficiat vetëm sa shtohen. Tani një pjesë e mundit dhe djersës duhet të shkojë për të ushqyer, veshur, e qetësuar armikun e mundur.

Pa numëruar pastaj pasojat në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në botën e globalizuar një shtet duhet të mbajë një minimum respekti në opinionin ndërkombëtar përndryshe mund të vështirësojë ekonominë e tij, zhvillimet teknologjike e kulturore. Njerëzit kanë nevojë për imazh pozitiv të vendit të tyre dhe mund të ndikohen nga degradimi i marrëdhënieve me jashtë.

Pushtimet janë gjë e rrallë që kur ndodhin tani bëjnë përshtypje të madhe. Zakonisht një shtet agresor preferon të armatosë një palë të brendshme dhe ta ndihmojë në luftën e saj civile. Por nuk para ndodh më që të ketë pushtime.

Njeriu jep jetën për çlirimin e atdheut shumë më lehtë dhe më me krenari sesa për të mbajtur të shtypur një popullatë që nuk të sheh dot me sy.

Një arsye pse u njoh pavarësia e Kosovës është edhe pamundësia e Serbisë me popullsi 7 milionë për ta mbajtur nën kontroll një popullatë 2 milionëshe. Do të ishte praktikisht një dhimbje koke e përhershme për Europën. Nëse nuk ke të paktën një pakicë të vendosur për të qenë në anën tënde atëhere është e kotë.

Dy pushtime të kohës sonë, në Afganistan dhe Irak u kryen nga një prej fuqive më dashamirëse të historisë njerëzore, Shteteve të Bashkuara. Pushtues të vendosur për të sjellë demokraci dhe zhvillim, me shpresën për t’i kthyer këto vende në model që do të frymëzonte mbarë Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore. Shpenzuan triliona dollarë për rindërtimin, modernizimin, dhe zhvillimin ekonomik të këtyre dy vendeve dhe dështuan në mënyrë të tmerrshme.

Këto para do të kishin shërbyer shumë më mirë nëse do të investoheshin në lagjet e varfra dhe pjesët e pazhvilluara të vetë Shteteve të Bashkuara.

Shumë propagandë është bërë për naftën irakene, por në balancë, SHBA ka humbur shumë ekonomikisht nga të dy pushtimet. Për arsye të opinionit publik edhe naftën në Irak e ka blerë shtrenjtë për të paguar rindërtimin, në vend që thjesht ta rrëmbente si këshillonte Donald Trump për habinë e zyrtarëve e diplomatëve, kënaqësinë e mbështetësve të tij, dhe bezdinë e këshilltarëve dhe familjarëve të tij.

Ikja e fundit, ajo nga Afganistani, gëzoi talebanët që u kthyen në pushtet. Tani ai shtet aq i vështirë për t’u administruar është punë e tyre. Amerikanët shpëtuan.

I shkruaj këto mendime tani, kur Putini ka kthyer një luftë civile mes dy palëve në Ukrainë, në një luftë të hapur mes dy shteteve, duke u përpjekur që ta pushtojë Ukrainën.

Një lëvizje e marrë që do të rrënojë imazhin e tij prej udhëheqësi të zgjuar e dinak. Ukraina po rreziston me trimëri, duke shkakruar stres dhe nervozizëm në Kremlin. Por, nëse do ta shihte me qetësi e realizëm historinë moderne, mbase do të lutej që të mos e fitonte dot luftën.

Se nëse Putinit i duket e vështirë lufta deri tani, prit se si do t’i duket “paqja” nëse del fitimtar dhe të shtojë brenda popullsisë ruse të lodhur nga sundimi i tij 20-e-ca-vjeçar, edhe 44 milionë ukrainas, të xhindosur e të mbushur me duf hakmarrjeje.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Krokodili: 27/02/2022 08:27

    Analiza si ajo barcaleta e atij vlonjatit që tha kush mban me bukë Amerikën po e mundëm në luftë!! Ka harruar kryesoren, pasuritë që grabit pushtuesi që deri dje i blinte!!

    Përgjigju
  • besitr87: 26/02/2022 21:14

    Me ne fund nje artikull qe ia vlen ta lexosh disa here dhe te mesosh nga kjo

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzore, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzore, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat