Shqiptari i sotëm nuk e di nëse ka qenë apo s'ka qënë spiun. Jo se e ka harruar. Por sepse ligji e detyron që për këtë të vihet në dijeni nga një letër me firmë e vulë prej një zyrë shteti.
Habitu, çoroditu, tmerrohu, çmendu, çirre fytyrën me thonj, shkuli leshrat me duar, bëj ç’të duash. Pohimi makabër se jetën tënde e njeh shteti më mirë se vetë ti, nuk është muhabet kafeneje, nuk është gallatë fejsbuku, nuk është shaka mes shokësh. Është procedurë ligjore detyruese, çbërëse, çthurëse, asgjësuese, që nuk të dëshmon ai që ke qenë dhe je, por një tjetër, një hije e jotja që të ndjek këmbakëmbës.
Je ai që Sigurimi rrenacak, në çdo germë dhe në çdo fjalë, ka shkruar për ty. Sado sakrifica të kesh bërë. Sado të kesh vuajtur nëpër internime dhe burgje. Edhe sikur të kesh vdekur, nuk të vlejnë aspak. Gjithçka të ka vajtur dëm. S’je, as kurrë s’ke për të qenë ai që je, por vetëm ai që, për ty, Sigurimi i pavdekshëm ka rrejtur.
Duket si makth, si jerm, delir, halucinacion, përçartje, çartallosje. Si diçka e ardhur nga një Univers tjetër, ku një edhe një nuk bëjnë dy, por 7.62.
Njeriu mund të jetë i mefshtë, i leshtë, i trashë, apo bartës dhe vuajtës i çdo cilësie fatkeqe sa i përket ndjeshmërisë së ulët dhe zgjuarsisë së munguar. Por ta konsiderosh aq idiot sa të besojë se dikush tjetër, për më tepër një zyrë shteti, e di më mirë se vetë ai se nuk ka qenë spiun, kjo është një llaftari e paparë, një vaki e padëgjuar, një rrokullimë në humnerën e thellë të errësirës së rrenës, një arratisje në mjegullat e kohës kur njeriu ishte ende majmun, një mizerabilitet poshtërues njerëzor, shoqëror, moral, që tejkalon çdo përfytyrim mbi rendin dhe logjikën më elementare, një veprim makabër që meriton çdo përbuzje, çdo neveri, çdo mallkim.
Pra, po ndërtojmë një shtet demokratik që përpiqet të vërtetojë pastërtinë e qytetarëve të vet bazuar mbi dëshmitë e manipuluara të një kohe kur gjithçka që flitej ishte propagandë, gjithçka që shkruhej ishte rrenë, gjithçka që vishej ishte rreckë, gjithçka që lëvizte dënohej, gjithçka që pështyhej lëpihej, gjithçka që hahej villej.
Me fjalë të tjera, pavarësisht se e ke kaluar tërë jetën duke mallkuar ditë e natë Diktaturën dhe zagarët që e mbanin në këmbë duke i shërbyer si paterica, duke lexuar libra për të kapur dhe kuptuar thelbin dhe arsyen e ekzistencës së dhunës, hipokrizisë e poshtërimit, s’i ke trokitur kurrë në derë askujt për asnjë favor, e megjithatë, dëshminë e të qenit i pastër duhet ta marrësh jo nga vetja, por nga një zyrë, e cila, mbi rrenat e Sigurimit, pretendon ta njohë jetën tënde më mirë se ty.
Gjithçka përpikmërisht si në librat e Orwellit.
Le të ketë ndryshuar shumëçka. Dëshmitar suprem ishte dhe mbetet Sigurimi rrenacak.
Aq e fëlliqur është e gjitha kjo, sa, ata që e kanë bërë këtë ligj, e pamundur të mos kenë qenë spiunë.
Njeriu i pastër nuk kërkon asgjë nga askush, aq më pak nga një zyrë. Refuzon me neveri. As mendja nuk i shkon që pastërtinë e vetes t’ia dëshmojë një zyrë. Jo me miratimin e një Ebu Qerimi të cilit partia i ka gjetur një punë, por as me firmën dhe vulën e Zotit.
Njeriu i ndotur e kërkon pastërtinë kahmos dhe me çdo mënyrë. Ikën vrap te zyra e turpit për të kërkuar pastërtinë inekzistente nga fëlliqësirat e Sigurimit. E merr dhe e valavit në erë në mënyrë triumfaliste.
Diktatura nuk mund të jetonte asnjë çast pa rrenat e Sigurimit.
Demokracia gënjen edhe më fort, dhe më ndyrë, duke përcjellë si të vërteta rrenat e Sigurimit.
Ironia vrastare është se Demokracia dhe Diktatura po pinë ujë nga i njëjti burim dhe po hanë mish të përgjakur rrotull të njëjtës sofër.
Sigurimi ndoshta ka vdekur, por litari i tij, me lak të lyer me sapun, vazhdon të tundet sipër varrit.
Fort e trishtë kur mendon se fati moral i shqiptarëve të sotëm varet nga talenti letrar i operativit të zonës që shkroi çfarë deshi për të marrë një “S” nga eprori.
Mjerë ne që burokracia hajdute dhe kriminale po na e mbush Shqipërinë me të pafajshëm të ndotur dhe spiunë të pastër.
Zoti na ruajt.












Komente
Komento