Në 21 janar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do hapë dyert e burgjeve për personat që kanë përfituar nga amnistia e miratuar nga parlamenti në mujin dhjetor 2015.
 
Në një komunikim telefonik drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto ka treguar për “Shqiptarja.com” se tashmë ai ka urdhëruar ngritjen e një komisioni specialistësh, të përbërë dhe nga juristë që të verifikojnë të gjithë të dënuarit që përfitojnë nga kjo amnisti.
 
Zoto i tha gazetës se nxjerja nga qelia e personave që u është falur dënimi, do fillojë të kryhet në datën 21 janar të këtij viti.
 
Jemi në kushtet kur po bëjmë evidentimin e personave që përfitojnë faljen e dënimit. Është një punë intensive që po kryhet pasi po evidentohen të gjithë personat që përfitojnë lirinë në çdo qëndër të vuajtjes së dënimit.Ne kemi ngritur një komision që është duke u marrë me këtë punë dhe se pritet që brenda datës 21 janar të fillojmë të mbyllim me sukses lirimin nga burgu të personave që kanë përfituar lirinë” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto.
 
Lirimi i rreth 721 të dënuarve nga qelitë e burgjeve do të sillte krijimin e hapësirave në burgje, pasi sipas zyrtarëve, ambjentet janë të tejmbushura.
Ndërkohë që kjo amnisti sjell dhe një kosto më të ulët financiare në mbajtjen në qeli të një të dënuari.
 
Ligji për amnistinë

Sipas ligjit, plotësojnë kriteret për të lënë qelitë, të gjithë të dënuarit të cilëve u kanë mbetur deri në 2 vite burg për të vuajtur, personat e dënuar me kusht apo me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2015, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi,personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me kusht, me gjobë, apo personat për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim; personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 30 nëntor 2015, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji; ç) të dënuarat femra, që në datën 30 nëntor 2015 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç; të dënuarit meshkuj, që në datën 30 nëntor 2015 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç; të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baraz ose nën moshën 18 vjeç.
 
S’përfituan deputetët
 
Hyrja në fuqi e ligjit për “Dhënie Amnistie” pas ndryshimeve të bëra në parlament nuk solli pushimin automatik të procedimeve penale që prokuroria e Tiranës dhe ajo e përgjithshme kishte për deputetin Tom Doshi, Mark Frroku si dhe kreun e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë Besim Ndregjoni. Kjo pasi në draftin për amnistinë u bënë ndryshime në Komisionin e Sigurisë në minutën e fundit,teksa po zhvillohej seanca për votimin e këtij drafti në parlament. Fillimisht ky komision ishte dakort për amnistimin edhe të procedimeve penale, por më pas konsensusi me opozitën u prish, duke e tërhequr draftin në minutën e fundit.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)